OpEd

A duhet të kemi një ligj për lobimin?

Aktivitetet lobuese po ndodhin në Kosovë, prandaj duhet të hapet debati shoqëror lidhur me atë se a duhet edhe ne të miratojmë një ligj të veçantë për lobimin, nëse përmes këtij ligji do të mund të monitoroheshin aktivitetet lobuese dhe të dënoheshin zyrtarët publikë, të cilët kryejnë favore për kompani të caktuara në këmbim të përfitimeve personale apo partiake, nëse do të rritej transparenca dhe do të kontrolloheshin burimet e financimit të aktiviteteve lobuese, si dhe nëse shteti do të mund të përfitonte nga taksat që paguajnë kompanitë lobuese

1.

Shumë vendime që merren në parlament janë rezultat i ndikimit të drejtpërdrejtë që bëhet mbi deputetët, si nga kolegët e tyre, votuesit e zonës prej nga vijnë apo grupet e jashtme të interesit. Tradicionalisht, ata të cilët kanë dashur të ndikojnë në opinionet e deputetëve kanë qëndruar në lobet ose korridoret e parlamentit aty ku deputetët janë mbledhur para apo pas debateve parlamentare. Në kuptimin politik, ky aktivitet njihet si lobim dhe zhvillohet edhe jashtë parlamentit. Një histori thotë se termi lobim e ka zanafillën në Hotelin Willard në Uashington, ku supozohej se gjatë mbrëmjeve aty qëndronte presidenti amerikan Grant për të shijuar pije dhe cigare. Presidenti e përdorte fjalën lobist për të përshkruar avokuesit politikë, të cilët frekuentonin lobin e hotelit dhe provonin t’i paguanin pije me qëllim që të ndikonin vendimet e tij politike. Megjithëkëtë, termi lobim mendohet se ekziston shumë më herët dhe sot definohet si formë e avokimit të individëve apo kompanive të lobimit, të cilat janë të kontraktuara për të ndikuar vendimet që merren prej parlamentit apo zyrtarëve publikë.

2.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës llogaritet se në industrinë e lobimit shpenzohen rreth 3.5 miliardë dollarë në vit. Lobimi ndodh në të gjitha nivelet, nga qeverisja lokale e deri te zgjedhjet presidenciale. Industritë që përdorin lobimin si një mjet për të ndikuar vendimet e parlamentit vijnë nga një sërë industrish duke përfshirë farmaceutikën, sigurimet, shoqatat e biznesit, kompanitë e naftës dhe gazit. Përmes lobimit këto kompani provojnë të ndikojnë në procesin legjislativ me shpresën për një legjislacion më të favorshëm për biznesin e tyre. Kjo është edhe arsyeja se pse lobimi shihet si një nga shkaktarët e deficitit të demokracisë dhe lindjes së konfliktit të interesit. Në ditët e sotme lobimi ka marrë një pozicion më drastik pasi kompanitë e mëdha, dhe jo deputetët, po i korruptojnë ligjet dhe rregulloret. Kompanitë po përfitojnë nga ulja e taksave, nga licencat prej agjencive rregullatore apo nga vendosja e kushteve më të favorshme për to në dëm të klientëve apo mirëqenies së përgjithshme sociale. Në këmbim, deputetët që “shiten” tek kompanitë që përfitojnë favore të ndryshme, si dhurata për vete dhe stafin e tyre, udhëtime luksoze, bileta për ngjarje sportive apo donacione për fushatën e tyre zgjedhore.

Nga ana tjetër, përkrahësit e lobimit e arsyetojnë këtë veprimtari si një mekanizëm dhe metodë shumë të nevojshme për të zbutur ndërveprimin midis qeverisë dhe biznesit. Në të vërtetë, pa lobim do të kishte një "dialog të të shurdhërve" ku qeveria dhe bizneset do të flisnin brenda vetes pa ndonjë dialog kuptimplotë. Kjo është arsyeja pse lobistët dhe lobimet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë zakonisht tolerohen nga ligjvënësit. Lobimi gjithashtu funksionon në të dy mënyrat, bizneset financojnë fushatat zgjedhore të ligjvënësve dhe përfaqësuesve të zgjedhur të cilët nga ana tjetër kthejnë favorin duke miratuar ligje dhe rregulla që janë në interes të të parëve.

3.

Shumë vende kanë rregulluar lobimin e organizuar përmes miratimit të ligjeve të veçanta përmes së cilave është synuar të parandalohet korrupsioni në legjislacion dhe të vendoset transparencë për ndikimet e mundshme nga lobistët politikë. Një prej karakteristikave të ligjeve të lobit është krijimi i regjistrave për regjistrim të lobistëve, që mund të jetë regjistrim i obliguar apo vullnetar. Regjistrat e lobistëve janë publikë dhe përmbajnë informata për emrin e entiteteve lobuese, numrin e stafit, propozimet legjislative, të cilat synojnë t’i ndikojnë, burimet financiare. Disa prej përparësive të regjistrimit si lobist është se atyre u lejohet të kenë qasje në parlament dhe të kontaktojnë ligjbërësit dhe stafin e tyre për qëllime të lobimit.

Organizatat lobuese nganjëherë punëson ish-deputetë (një fenomen i njohur si “dera rrotulluese”), të cilët kanë njohuri të brendshme dhe procesin e politikëbërjes në përgjithësi. Një raport i “Transparency International” në vitin 2017 analizoi rrugët e karrierës së ish-zyrtarëve të BE-së dhe gjeti se 30% e anëtarëve të Parlamentit Evropian, të cilët u larguan nga politika shkuan për të punuar për organizatat e regjistruara në regjistrin e lobuesve të BE-së pasi kishin përfunduar mandatin e tyre. Këto konflikte të mundshme të interesit tentohen të shmangen përmes miratimit të kornizave të forta etike dhe periudhave më të gjata brenda të cilave deputetët nuk mund të angazhohen në kompani lobimi. Kjo periudhë e pritjes njihet edhe si periudhë e ftohjes (cooling-off period).

4.

Në Kosovë nuk është miratuar ndonjë legjislacion specifik që rregullon lobimin. Megjithëkëtë, Kodi i mirësjelljes së deputetëve të Kuvendit, që është shtojcë e Rregullores së Kuvendit të Kosovës, i vendos disa parime të përgjithshme përmes të cilave u ndalohet deputetëve të marrin vendime për përfitim financiar apo material për vete, për familjarët apo shokët e tyre. Po ashtu, ndalohet edhe propagandimi i paguar në Kuvend dhe kërkohet regjistrimi i interesave të deputetëve dhe familjarëve të tyre. Me ligj të veçantë janë rregulluar edhe pranimi dhe regjistrimi i dhuratave për të gjithë zyrtarët e lartë publikë. Kërkimi ose pranimi i dhuratave ose favoreve të tjera për vete apo anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare është i ndaluar, me përjashtim të atyre protokollare.

Me gjithë këto ndalesa, ndërmarrja e nismave ligjore me qëllim të përfitimit për kompani apo industri të caktuara kanë ndodhur në Kosovë. Natyrisht që këto nisma nuk mund t’i lidhim drejtpërdrejt me aktivitetet lobuese të kompanive, por që favoret që u janë bërë apo kanë pasur për qëllim t’u bëhen, lënë përshtypjen se janë bërë për këto qëllime. Kështu, së fundmi ishte Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike COVID-19, ku në momentet e fundit ishte propozuar një amendament përmes së cilit ndryshohej Ligji për Miniera dhe Minerale përmes së cilit të gjitha subjektet liroheshin nga pagesa e rentës minerare për një periudhë të caktuar kohore. Një iniciativë tjetër ligjore në Kuvend e cila nuk ishte miratuar, parashihte ndryshimin e Ligjit për Automjetet, respektivisht rritjen e vjetërsisë së veturave, të cilat do të mund të importoheshin në Kosovë, por të cilat ishin të obliguara të vendosnin një katalizator për të zvogëluar lirimin e dyoksidit të karbonit në atmosferë. Miratimi i këtij ligji do të ishte në interes të kompanisë së licencuar për vendosjen e këtyre katalizatorëve dhe mendohej se bëhej për këtë qëllim. Favorizimi i kompanive apo sektorëve të caktuar ka ndodhur edhe përmes vendimeve të Qeverisë. Një vendim i tillë ishte ai përmes së cilit ishte ulur akciza e cigareve të prodhuara brenda Kosovës që destinoheshin për shitje me pakicë.

5.

Ekziston një linjë e hollë në mes të lobimit dhe korrupsionit apo konfliktit të interesit. Kontrolli mbi industrinë e lobimit është shumë i dobët edhe në vendet që kanë rregullativë ligjore për lobimin. Deklarimet e aktiviteteve lobuese janë më shumë vullnetare dhe shumë prej tyre nuk regjistrohen. Po ashtu, edhe regjistrimi i lobuesve në regjistrat publikë nuk është i plotë. Rastet e dënimit për korrupsion për lobistët apo ligjbërësit e stafin e tyre mbështetës është shumë i ulët. Pavarësisht këtyre mangësive, aktivitetet lobuese po ndodhin në Kosovë, prandaj duhet të hapet debati shoqëror lidhur me atë se a duhet edhe ne të miratojmë një ligj të veçantë për lobimin, nëse përmes këtij ligji do të mund të monitoroheshin aktivitetet lobuese dhe të dënoheshin zyrtarët publikë, të cilët kryejnë favore për kompani të caktuara në këmbim të përfitimeve personale apo partiake, nëse do të rritej transparenca dhe kontrolloheshin burimet e financimit të aktiviteteve lobuese, si dhe nëse shteti do të mund të përfitonte nga taksat që paguajnë kompanitë lobuese.

(Ky editorial është pjesë e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) “Dhënia fund korrupsionit përmes ngritjes së transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies gjatë procesit ligjvënës në Kosovë” i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk i pasqyrojnë medoemos ato të Fondacionit).