OpEd

A do t’i lehtësojë tensionet SHBA-Kinë lufta në Ukrainë?

Lufta e Rusisë në Ukrainë nuk mund të arsyetohet – dhe Kina nuk është përpjekur ta bëjë këtë. Përkundrazi, ndihma humanitare e Kinës për Ukrainën, së bashku me këmbënguljen e saj për respektimin e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, përbën një marrëveshje të nënkuptuar me SHBA-në dhe aleatët e saj se lufta duhet të përfundojë dhe sovraniteti dhe pavarësia e Ukrainës të ruhen

Lufta e Ukrainës e ka vënë Kinën në pengesë. Si mike e Rusisë dhe Ukrainës, Kina nuk ka dëshirë të zgjedhë anë. Përkundrazi, mençuria konvencionale kineze dikton që, kur dy miq luftojnë njëri-tjetrin, objektivi kryesor duhet të jetë përfundimi i konfliktit përmes ndërmjetësimit. Ndërsa qëndrimi i ekuilibruar i Kinës ka ngjallur më shumë se pak dyshime, mund të përfundojë duke përshpejtuar përfundimin e luftës - dhe duke lehtësuar tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur filloi lufta, vëzhguesit perëndimorë theksuan qëndrimin në dukje pro-Kremlinit të Kinës, reflektuar në refuzimin e zyrtarëve kinezë për të përdorur fjalën “pushtim” për të përshkruar agresionin e Rusisë në Ukrainë, akuzën e tyre se veprimet e NATO-s i shtynë tensionet Rusi-Ukrainë në “pikë thyerjeje” dhe kritikat e tyre ndaj sanksioneve perëndimore. Mirëpo, perëndimorët u kushtuan më pak vëmendje thirrjeve të përsëritura të Kinës për të gjitha vendet që t’i respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit – qortim i qartë, nëse indirekt, i Rusisë – dhe ofrimit të ndihmës humanitare për Ukrainën.

Në fakt, Perëndimi mezi priste të supozonte se Kina – e cila lidhi marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë vetëm tre javë para pushtimit – ishte në anën e Rusisë. Më 13 mars, një ditë përpara takimit me homologun e tij kinez, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, paralajmëroi se Kina do të përballej “absolutisht” me pasoja nëse ofronte ndihmë ushtarake për Rusinë ose ndihmonte vendin të shmangte sanksionet perëndimore.

Megjithatë, takimi shtatë-orësh i Sullivanit me këshilltarin e lartë kinez për politikën e jashtme, Yang Jiechi, nuk ishte aq antagonist sa mund të pritej. Yang përsëriti qëndrimin e Kinës për të promovuar bisedimet e paqes, në mënyrë që konflikti të mund të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Të nesërmen, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, u bëri jehonë deklaratave të Yangut, duke vënë në dukje se Kina është “plotësisht objektive, e paanshme dhe konstruktive”.

I njëjti mesazh dominoi takimin virtual të presidentit kinez, Xi Jinping, me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, disa ditë më vonë. Xi shfaqi keqardhjen e Kinës që pa Rusinë dhe Ukrainën të përdorin forcën ushtarake për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe ai shprehu shpresën e tij se Kina dhe SHBA-ja do të punojnë së bashku për të rivendosur paqen.

Ka arsye për të besuar se SHBA-ja po bëhet më e hapur ndaj pozicionit të Kinës. Pas takimit Biden-Xi, Shtëpia e Bardhë e zbuti gjuhën, duke vënë në dukje se Bideni kishte “përshkruar implikimet dhe pasojat” nëse Kina do të ofronte “mbështetje materiale” për Rusinë dhe “theksoi mbështetjen e tij për një zgjidhje diplomatike të krizës”. Për më tepër, të dy udhëheqësit “ranë dakord për rëndësinë e mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit” në mënyrë që ta “menaxhojnë konkurrencën” midis vendeve të tyre.

Pas takimit, Kina i ofroi SHBA-së prova të mëtejshme për angazhimin e saj ndaj neutralitetit, duke njoftuar raundin tjetër të ndihmave humanitare për Ukrainën. Dhe Qin Gang, ambasadori i Kinës në SHBA, shpjegoi se teksa Kina mbetet e përkushtuar ndaj miqësisë së saj “pa kufij” me Rusinë, ajo ka vendim “përfundimtar”: respektimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Nga ana amerikane, përfaqësuesi i tregtisë i SHBA-së rivendosi 352 përjashtime të produkteve të skaduara për eksportet kineze nga tarifat e tij të “Seksionit 301”. Ndërsa numri është më i vogël sesa pritej – 549 përjashtime ishin të pranueshme – shumë analistë të tregut e interpretuan atë si një gjest të vullnetit të mirë. Dhe, në lajme edhe më të mira për tregjet, rregullatorët kinezë dhe amerikanë duket se do të bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje mbi inspektimet e auditimit të SHBA-së të firmave kineze të listuara në SHBA.

Kina ka kundërshtuar prej kohësh kërkesat e SHBA-së për të rishikuar informacionin e llogarive të kompanive kineze nga frika se firmat do të detyroheshin të zbulonin informacione të ndjeshme. Por rregullatorët kinezë kanë sinjalizuar gatishmëri të re për të bërë disa lëshime për të shmangur heqjen nga lista të kompanive kineze, përfshirë udhëzimin e firmave të mëdha që të përgatiten për më shumë detaje të auditimit. Tregu e ka mirëpritur këtë ndryshim, duke u dhënë rritje çmimeve të aksioneve kineze.

Veprime të tilla vështirë se paralajmërojnë fundin e rivalitetit SHBA-Kinë. SHBA-ja mbetet e bindur se Kina ka mashtruar Perëndimin – i cili prej kohësh e ka mbështetur rritjen ekonomike – duke përdorur praktika të padrejta tregtare, siç është transferimi i detyruar i teknologjisë. Si e tillë, çdo përpjekje e Bidenit për të zbutur politikën e ashpër të Kinës që trashëgoi nga paraardhësi i tij, Donald Trump, ka të ngjarë të përballet me kufizime të rëndësishme politike. Kina, nga ana e saj, këmbëngul se SHBA-ja po ndjek në mënyrë të padrejtë një politikë kontrolli që përbën një tradhti të partneritetit të gjatë ekonomik të të dyja vendeve.

Këto besime i kanë vënë të dyja palët në mbrojtje. Ajo që asnjëra palë nuk njeh është se shumë nga frika e tyre është e pabazë, e nxitur nga zemërimi dhe mosbesimi, në vend që të pasqyrojë kërcënime të vërteta.

Në këtë kontekst, rivendosja e marrëdhënieve paqësore dhe konstruktive kino-amerikane duhet të ndodhë gradualisht, e mbështetur nga rindërtimi i vazhdueshëm i besimit. Siç thotë maksima kineze, “akulli i trashë nuk formohet në një ditë të ftohtë”.

Megjithatë, siç kemi filluar të shohim tashmë, lufta në Ukrainë mund të ndihmojë në forcimin dhe ruajtjen e kushteve për ndryshim në marrëdhëniet SHBA-Kinë, dhe lëvizjet e fundit mund të shënojnë pikë kthese, të paktën në fushën ekonomike.

Lufta e Rusisë në Ukrainë nuk mund të arsyetohet – dhe Kina nuk është përpjekur ta bëjë këtë. Përkundrazi, ndihma humanitare e Kinës për Ukrainën, së bashku me këmbënguljen e saj për respektimin e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, përbën një marrëveshje të nënkuptuar me SHBA-në dhe aleatët e saj se lufta duhet të përfundojë dhe sovraniteti dhe pavarësia e Ukrainës të ruhen. Ndërsa marrëdhënia SHBA-Kinë ka rrugë të gjatë për të bërë, lufta në Ukrainë u ka kujtuar të dyja palëve se kanë interes të përbashkët për paqen dhe angazhimin ekonomik.

(Yang Yao është profesor në Qendrën Kineze për Kërkime Ekonomike dhe Shkollën Kombëtare të Zhvillimit në Universitetin e Pekinit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).