OpEd

Skemat klienteliste

Shumë ironike kjo puna e jonë. Njerëzit sikur Thaçi na e bënë paçavure shtetin, hala pa e formuar mirë. Na e kanë krijuar një sistem klientelist, ku një grusht badihavxhinjsh politikë, por jo edhe financiarë, ua shohin hairin strukturave zhvatëse që i kanë formuar. Qe 19 vjet na udhëheqin fytyrat e njëjta, dhe tamam sa mendon se nuk mundet me qenë më keq, na befasojnë me “kreativitetin” e tyre

Nuk pati ndryshe si të shkonte java pos me një problem politik në Merdar.

Delegacioni kosovar që ishte nisur të shkonte në festivalin “Mirëdita, dobar dan!” u ndal nga policia serbe; u kontrollua në stilin e asaj që kishim përjetuar që nga fillimi i viteve tetëdhjetë dhe u mbajt në kufi për disa orë. Për pikë të qejfit, policia serbe e konfiskoi një pjesë të materialit që ishte përgatitur për paraqitje në Beograd. Delegacioni shkoi, atje “u mirëprit” nga radikalët, porse qëndroi pa ndonjë problem më të madh sigurie.

Konkluzioni: pallavra janë marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Sepse marrëveshjet e arritura në Bruksel duken të jenë vetëm nga një copë letër pa ndonjë vlerë, për shkak se nuk zbatohen. Dhe, siç do të nxjerrin përfundimin pjesëmarrësit e festivalit, këto janë marrëveshje të padobishme për shkak se krejt çka kanë arritur deri tash është t'i rregullojnë marrëdhëniet vetëm për politikanët dhe ambiciet e tyre për ta mbajtur pushtetin.

Kontributi i arsimtarëve

E për ta mbajtur pushtetin duhet zaptuar atë fillimisht. Dhe kjo është pikërisht ajo çfarë kishte ndodhur gjatë fushatës zgjedhore vitin e shkuar. Në një veprim të paprecedentë, koalicioni PAN kishte nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me SBASHK-un në mes të fushatës zgjedhore, dhe ishin dakorduar që për votat që do t'i jepeshin koalicionit do të miratohej një ligj që i njeh meritat e arsimtarëve që e kanë mbajtur sistemin paralel të gjallë në të nëntëdhjetat. Nejse, nuk ishte shkruar bash kështu, porse kjo ishte esenca e saj.

Ndërkohë, shumëkujt i kishte ikur fakti se më 2014-n, ishte miratuar një ligj që ua njihte statusin kontributdhënës arsimtarëve nga ajo epokë, me çfarë e fitonin të drejtën për ta marrë pensionin e pleqërisë sipas kualifikimit profesional, me kusht që t'i dëshmonin 15 vjet pune para ’99-s.

Dhe, para pak kohësh, Kuvendi miratoi, në lexim të parë, ligjin që e njeh kontributin e arsimtarëve duke ua dhënë një pension tjetër, dhe duke ua dhënë edhe beneficionet e tjera, që nënkuptojnë se pensionin do të mundë ta trashëgojnë edhe anëtarët e familjes.

Për krejt neve që nuk e kishim parë këtë projektligj, e që nuk dinim për ligjin nga 2014-a, dukej normale që të miratohej një ligj i këtillë. Por për Institutin GAP, qe punë për të hulumtuar, dhe për të na i hapur sytë.

Në pika të shkurtra, projektligji i përfshin rreth 27 mijë veta. Të kujtojmë se përherë ka pasur rreth 18 mijë të angazhuar në mësimdhënie, që do të thotë se rreth 9 mijë veta kanë kaluar nëpër të. Por, sipas ligjit, nëse kanë punuar bile një vit, kanë të drejtë të marrin pension të veçantë.

Kostoja e këtij ligji për çdo vit e arrin shumën prej 20 milionë eurosh në vit. Mendohet se ky ligj do të zbatohet deri në vitin 2049 (sipas projeksioneve), që do të thotë se Kosova do të detyrohet t'i ndajë më së paku 650 milionë euro pensione vetëm për këtë kategori. Kjo, duke mos e pasur sigurinë se numri i përfituesve eventualë do të jetë ky që është. Shumë lehtë mund të na ndodhë që numri edhe i arsimtarëve të rritet aq sa i veteranëve fals.

Këmba zhag

Frymëzimi për një ligj të këtillë rrodhi nga procesi famëkeq i përcaktimit të veteranëve që e kanë fituar të drejtën në pension të veçantë. Kurse koha e cila mençur u përzgjodh nga SBASHK-u qe fushata zgjedhore. Pra, në këmbim të jo pak votave, ata që më vonë do të krijonin Qeverinë, premtuan ta kalojnë një ligj të këtillë. E pse jo, se a mos do t'i paguajnë pensionet nga xhepat e tyre? Pse a mos do të mërziten se çfarë do të ndodhë me Kosovën pas mandatit që e mbajnë e të cilin kushedi a mbërrijnë ta kryejnë? Natyrisht se jo, ngase atyre u intereson ta shtrydhin këtë vend edhe pak përderisa i mbajnë kolltukët ku janë ulur, ndërkohë që me kësi potezash e blejnë edhe paqen sociale.

E kur jemi te veteranët, ligji që i rregullon pensionet e tyre, natyrisht, është duke dalë kapuç me mëngë. Për shkak të numrit të fryrë dhe për shkak të beneficioneve që i parasheh edhe ky ligj, kostoja e zbatimit të tij është rritur në mënyrë enorme. Kur qe miratuar ligji, ishte paraparë që kostoja të ishte diku rreth 11 milionë euro. Tash ka mbërritur në 81 milionë euro në muaj, sepse i kemi 40 mijë veteranë që marrin pension. Ndoshta na del edhe ndonjë rrugës, bile ta rrumbullakojmë shpenzimin në 100 milionë në vit.

Skema të tilla pensionale janë shpikur disa dhe me gjasë do të vazhdojnë të shpiken sa herë partitë politike do t'i kaplojë frika nga mungesa e votave. Sa për të kujtuar, shteti ynë ka paraparë pensione/kompensime për ish-të burgosurit politikë; për deputetët e Republikës së Kosovës të të '90-ve, për “Trepçën”, për arsimtarët tash -- plus, të mos harrojmë edhe për deputetët e legjislaturave të ndryshme, që nuk ia dolën ta kalonin një ligj super komod për veten, ama që paguhen edhe kur t'iu skadojë mandati për një kohë të përcaktuar me ligj, varësisht nga stazhi i kaluar në Kuvend. Të mos flasim për ministrat dhe zëvendësministrat që gjithashtu paguhen në një formë a tjetër për “punën” që e kanë kryer derisa kanë qenë në detyrë.

Koordinatorët

E se e gjithë Qeveria Haradinaj në fakt është një skemë akomodimi dostash e interesash partiake, e dëshmoi gjetja e re: ajo e emërimit të koordinatorëve nëpër resorë të ndryshëm. Sikur të donin të na tregonin se ata 100 badihavxhinj ministra e zëvendësministra nuk dinë ta kryejnë punën e tyre, tash janë caktuar edhe ca koordinatorë që do ta kenë pagën e zëvendësministrit dhe të gjitha beneficionet e tjera. Se çfarë do të bëjnë këta, dhe nëse do të shkruajnë raport tremujor të cilin askush nuk do ta lexojë, mbetet të shihet.

Pra, politikanë të dështuar, që me gjasë kanë mbetur pa punë pas fizkulturave të ndryshme që janë përpjekur t'i bëjnë, tash janë akomoduar me tituj koordinatorësh -- kot së koti -- për të bërë edhe më shumë kallaballëk në ekzekutiv.

Tek e mendoj pak, e vetmja gjë e mirë që mund të dalë nga edhe kjo pafytyrësi është që ndoshta kjo do ta cytë ndërtimin më të shpejtuar të sallës së operës dhe baletit -- ngase do të jetë salla e vetme që do të mund të zërë gjithë këta me një vend.

E kur e kujton se vetëm këta zëvendësministra i kushtojnë Kosovës 1 milion euro në vit paga dhe kur e kupton se për tre muaj këta njerëz, së bashku me Kuvendin dhe zyrën e kryetarit i kanë shpenzuar 35 milionë euro në shëtitje nëpër botë -- të kujtohet se gjithashtu iu nevojitet një koordinator për rroga e një tjetër për shëtitje. Ndërkohë që varfëria në Kosovë e mbërrin 40-përqindëshin. Marre.

Supershëtitësi me paratë tona

E ai që nuk ka fije marreje është Thaçi, i cili në ditët e fundit i ka intensifikuar udhëtimet nëpër Evropë, dhe që, me gjasë (sepse këtë ndoshta kurrë nuk do ta dimë), me paratë tona sillet nëpër ambiente klasike për ta bërë promovimin e librit për të.

Javën e shkuar qe në Austri, në Akademinë diplomatike austriake, i rrethuar me emra me nam që folën për të dhe ku e besoj ua fali librat pjesëmarrësve. Natyrisht, jo pa i nënshkruar, ani pse thotë se nuk është autori i librit.

Tash, teori konspiracioni mund të jetë që Kosova ta ketë paguar Akademinë austriake për ta organizuar këtë ngjarje. Ashtu siç u përfol se autorët e librit u paguan nga paratë e lobimit. Ashtu siç Kosova ia paguan darkat, apo së paku udhëtimet për në Londër, për t'u takuar me “miqtë e Kosovës”, siç është Catherine Ashton, e që njëkohësisht është edhe këshilltare e Vuçiqit.

Dhe krejt kjo në shërbim të paraqitjes së tij si personit të vetëm që mund ta shtyjë procesin e negociatave me Serbinë përpara -- sepse pavarësisht faktit se Kuvendi ende nuk e ka shqyrtuar Platformën e Qeverisë për negociata (thonë se kjo do të ndodhë të hënën, ama kini parasysh se është pika 24 e rendit të ditës - kjo kallëzon ose për qëllim kontrabandimi, ose për frikën se nuk do të kalojë), ky me ngulm insiston se negociatat vazhdojnë në qershor. Dhe lë të nënkuptohet se ai do të shkojë në Bruksel, sepse “Kushtetuta ashtu e parasheh”. Ani që Kushtetuesja ka vendosur se nuk mund të shkojë pa autorizimin e Kuvendit.

* * *

Shumë ironike kjo puna e jonë. Njerëzit sikur Thaçi na e bënë paçavure shtetin, hala pa e formuar mirë. Na e kanë krijuar një sistem klientelist ku një grusht badihavxhinjsh politikë, por jo edhe financiarë, ua shohin hairin strukturave zhvatëse që i kanë formuar.

Qe 19 vjet na udhëheqin fytyrat e njëjta, dhe tamam sa mendon se nuk mundet me qenë më keq, na befasojnë me “kreativitetin” e tyre.

“Kreativitet” që do të na e sjellë edhe një skemë të re shpaguese.

Kush janë në radhë, tash? Policët, administrata, mjekët, familjet kontributdhënëse, pronarët e shtëpive-shkolla; pronarët e shtëpive-ambulanca; vullnetarët e Nënës Terezë; aktivistët e KMDLNJ-së; punëtorët kosovarë të organizatave ndërkombëtare gjatë luftës, shoferët e autobusëve që çonin në mërgim..., kush?

Krejt varet se sa vota i bëjnë, bashkë me familjarët e tyre.

flaka@koha.net