Nebulozat

Flaka Surroi Flaka Surroi 15 maj 2018 08:07

Serbia e mençur do ta shfrytëzojë secilën mundësi që ka për të na kafshuar, e për të na e gllabëruar një copë sovraniteti aty-këtu. Do ta shfrytëzojë, siç ka bërë edhe deri tash, mungesën e dijes së politikanëve tanë. E mbi të gjitha, mungesën e vëmendjes për çështje madhore: sepse duke i ndjekur bordet e tenderët, nuk kanë kohë për t'u marrë me gjëra ku vyen të mendohet. Në këto të fundit, janë të tjerët që i kryejnë punët për ta

Çka ka të re në Kosovë? Asgjë të madhe me rëndësi. Nuk është kurrfarë risie që korrupsioni s'ka të ndalur dhe se lufta kryesore e partive politike është që të bëhen me kontrollin e bordeve të ndërmarrjeve, të agjencive e të cilitdo institucion që ka para.

Kështu për shembull, huaja 11 milionë dollarëshe e Bankës Botërore për arsimin tash do të kontrollohet nga një njeri që iu ka bashkuar partisë së ministrit (NISMA), dy muaj para se të emërohej në krye të projektit. Ky njeri, qysh vjet, ishte detyruar nga Agjencia Kundërkorrupsion të hiqte dorë nga dy poste të tjera që i mbante derisa e ushtronte (dhe ende e ushtron) detyrën e anëtarit të bordit të ujësjellësit rajonal “Prishtina”. Me gjithë këta njerëz të papunë e që kanë një kallaballëk diploma, shkojnë e zgjidhen njerëzit që i mbajnë nga katër-pesë punë. Supermena, s'ka fjalë.

Nga ana tjetër, dje u publikua një lajm sesi ministri serb, i përfolur për veprime kundër popullatës civile në Prishtinë si paramilitar serb, Rikalo, e kishte pezulluar drejtorin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, me arsyetimin se ky ishte nën hetime. Por ja që prokuroria tha se ky zyrtar nuk ishte nën hetime. Pra, po del që ky u pezullua ngase nuk ia kishte dhënë grantin një personi që kishte lidhje të ngushta biznesore me gruan e ministrit. E për të dëshmuar se sa i madh ishte hidhërimi i ministrit mjafton të përmendet shuma -- bëhet fjalë veç për nja 100 mijë euro. Megjithatë, kurrgjë krahasuar me milionat me të cilat disponon ky dikaster.

Rikalo do ta çojë rastin në Qeveri, dhe kjo, për të mos e humbur përkrahjen e Srpskas nga e cila varet, edhe do t'ia miratojë kërkesën -- sepse me siguri tashmë është gjetur një supermen që do ta marrë përgjegjësinë e re. Drejtori aktual do të ankohet. Procedura do t'i zvarritet një kohë, dhe në fund gjykata do të vendosë ta kthejë prapa, bashkë me krejt rrogat që i ka humbur derisa ka qëndruar i pezulluar. Tipike për Kosovën. Kush mërzitet për buxhetin e shtetit, allahile!

Krejt në dyzen, veç Ligji për Media mangu

Kur jemi te buxheti, ja një shembull të shfrytëzuesve më të mëdhenj të tij: kuvendarët.

Tashmë po e dimë se krejt paratë që i ka Kuvendi shkojnë në rroga, mëditje e shpenzime kot që i bëjnë duke ngarendur herë këndej e herë andej nëpër shtete të ndryshme, ku kinse po shkojnë për të mësuar diçka. Dhe kështu janë duke ia bërë që nga 2001-a, dhe kurrqysh me mësu, bile ata që janë në Kuvend në mandatin e gjashtë. Ama me rëndësi me i marrë do mëditje, dhe me e "shnuk" ndonjë ligj aty-këtu, për ta përkthyer e më pas edhe votuar. Pse nuk zbatohet ai ligj, ajo nuk ka dert.

Komisioni parlamentar për media dhe një lëmsh detyrimesh tjera paskësh qenë në Slloveni e në Itali dhe qenka frymëzuar për ta bërë ligjin e ri për RTK-në (mbase i katërti a i pesti qëkur është themeluar servisi publik), sepse ky i vjetri nuk vyen. Ashtu siç nuk ka vyejtur asnjëri paraprakisht -- për shkak se, thjesht, nuk është zbatuar.

Dhe në mes të debatit për kushedi çfarë teme, kryesuesit të Komisionit, Nait Hasani, iu kujtua se duhet votuar një ligj për media -- një "që do t'i mbronte gazetarët". U ftua në Express Intervistë për ta sqaruar e argumentuar ligjin dhe në fund nuk morëm vesh asgjë. Lëmshi i informatave jokoherente, pa ide të qartë se çka në të vërtetë do të arrihet me të, e krijoi një nebulozë. E kjo me të drejtë ngjall dyshimin në mos ajo që po synohet është miratimi i Ligjit për Informim, asi të stilit të ish-Jugosllavisë, ku do ta kemi një ministër të Informatave, siç ka qenë Vuçiqi në kohën e Millosheviqit, i cili mundet me e mbyllë një medium kur të dojë dhe për çfarë të dojë.

Pra, nëse telashe paraqesin portalet, Kuvendi mund ta ndërrojë Ligjin e KPM-së, që i rregullon mediumet elektronike, dhe ta autorizojë këtë trup kushtetues që Kuvendi me ngulm e anashkalon dhe e shfuqizon, që të merret së paku me regjistrimin dhe licencimin e tyre.

Nëse telashe paraqesin fyerja dhe shpifja, është një ligji i veçantë civil që e rregullon këtë punë. Kuvendi e ka fuqinë e ndërrimit të ligjit për gjyqësorin, dhe ta krijojë një gjykatë të veçantë për shpifje e fyerje, e që procedurat të zhvillohen më shpejt. Gjithashtu e ka në dorë kontrollin e buxhetit për aftësimin e gjykatësve që këta ta kuptojnë fillimisht se ekziston një ligj i tillë, e më pas se është lehtë i zbatueshëm. Vetëm po të kishte vullnet.

Nëse problemi është statusi i gazetarëve si të punësuar në kompani mediale - ekziston një Ministri e Punës dhe kjo ministri e ka një inspektorat. Nuk e kanë zor ta kryejnë punën: ashtu siç kishin bërë vjet. Na kontrolluan hollësisht; patën gjetur anomali në shumë mediume, porse kur erdhi puna për ta paraqitur raportin në konferencë shtypi -- të gjithëve na futën në të njëjtin thes. Konstatimi i tyre qe: gjendja është pak a shumë mirë. Ja është pak, ja është shumë. Dhe nëse është pak mirë, atëherë ekziston fuqia me të cilën mediumi mund të detyrohet t'i përmbahet ligjit: quhet dënim me para.

E në rastet kur inspektorati nuk kryen punë, ekziston gjykata. Sërish, Kuvendi e ka në dorë nëse do që të themelojë gjykatë speciale që merret veç me çështje kontratash që burojnë nga marrëdhënia e punës -- dhe aty nuk ka shumë filozofi. Porse ka shumë punë, duke e marrë parasysh se në Kosovë rreth gjysmës së të punësuarve nuk u paguhen kontributet. E në këtë numër gazetarët bëjnë një përqindje tejet të vogël krahasuar me problemin që ekziston e me të cilin nuk merret askush. E as Kuvendi.

Pse pra Ligj për Media? Mjegulla e krijuar ditëve të fundit rreth këtij ligji që doli prej hiçit është natyrisht punë e qëllimshme -- shmangia e vëmendjes nga temat e tjera të mëdha dhe nga mosveprimi kronik i Kuvendit. Çka me thënë kur ende nuk mund të themelohen komisionet hetimore për rastin e dëbimit kundërligjor të turqve (bile me një njeri që as që ka qenë në listë) apo për shpenzimet e lobimit? Ama me rëndësi që taksimetri po iu ecë me seanca e mbledhje komisionesh kot.

Kotësia e një debati të padinjitetshëm

I kotë edhe një këmbim i gjatë porosish e statusesh të gërditshme që mund të përcillen në FB ndërmjet dy krahëve të ndarë të VV-së. Prej para disa ditësh ata që hynë në Kuvend pas zgjedhjeve të qershorit, si grupi më i madh parlamentar, u radhitën në atë që mbeti nga Vetëvendosja dhe në partinë e themeluar më 1990, dikur si PSDK, e sot thjesht si PSD.

Pos që u shanë me muaj -- jo më the, jo të thashë; jo tradhtar, jo patriot; jo kështu, jo ashtu, tash së fundi aktual u bë debati për logon e partisë së re: se a ka trëndafila, zogj a karafila; nëse është më i bukur sesa ai i partisë së vjetër me font të vjedhur në internet...

Ama bash sinqerisht, na e kanë lodhur kokën me debatin e padinjitetshëm që nuk çon askund. Për më tepër, në një ambient pa lidhje politik çfarë e ka Kosova, nesër mund t'u vijë puna të bashkohen e të krijojnë koalicion -- dhe, sikurse krejt partitë e tjera, t'i harrojnë të sharat e ofendimet që ua kanë bërë njëri-tjetrit.

Po të kishin një grimë ndërgjegjeje, si njëra, ashtu edhe pala tjetër, do të duhej të përqendroheshin në problemet të cilat i kemi. Nëse e kanë fuqinë e votës, e këtë e kanë kur të bëhen bashkë, le të shikojnë të marrin vendime që nuk e dëmtojnë Kosovën. Ose, së paku, t'i parandalojnë ato. Krejt të tjerat janë budallallëqe për konsum të brendshëm dhe për pozicionim politik, disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Goditjet e Serbisë

E problem shumë serioz politik (sa herë më e kemi përmendur sa jemi mbushur deri në neveri) është ai i negociatave të pakokë me Serbinë. Futja në rrugë qorre me nisjen e negociatave pa koncept, pa strategji, pa synim, pa ide..., përherë do të na sjellë situata çfarë u ndodhi karateistëve të Kosovës kësaj jave. Sikurse në kohën e okupimit, qe policia serbe ajo që u tregoi nëse kishin ose jo të drejtë të garonin në ndonjë kampionat.

Me vendim të Qeverisë serbe, kosovarëve iu lejua hyrja në Serbi rrugës për në Novi-Sad vetëm nëse nuk do të manifestonin simbole shtetërore. Natyrisht se karateistët nuk hoqën dorë, duke e marrë parasysh se federata jonë është e pranuar ndërkombëtarisht. Policisë nuk iu bë vonë - ua ndaloi hyrjen jo një, por dy herë -- dhe këtu përfundoi pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Karatesë për Kosovën.

Pasuan reagimet e politikanëve nëpër twittera, FB e ndonjë komunikatë. Pa peshë dhe kot, sa për ta lënë të shënuar diku se dikush megjithatë ka reaguar. Sepse faji është i Kosovës -- për shkak se i ka humbur shtatë vjet duke "biseduar teknikisht" përderisa gradualisht ka lëshuar pe në secilën gjë që është negociuar. E që, për më tepër, as nuk zbatohet.

E keqja në gjithë këtë situatë është se Serbia me mjeshtëri po na godet sa herë që mundet për shkak se ne si Kosovë ia kemi dhënë atë hapësirë. Serbia do të vazhdojë të na godasë -- sepse ajo po e di se çka po do të marrë nga ky proces. Dhe do të vazhdojë të na godasë përderisa vendimmarrësit tanë do të vazhdojnë të krijojnë mjegullina për t'i fshehur të bëmat e tyre dhe për të krijuar kaos edhe më të madh në të cilin ata ndihen si peshku në ujë.

Serbia e mençur do ta shfrytëzojë secilën mundësi që ka për të na kafshuar, e për të na e gllabëruar një copë sovraniteti aty-këtu. Do ta shfrytëzojë, siç ka bërë edhe deri tash, mungesën e dijes së politikanëve tanë. E mbi të gjitha, mungesën e vëmendjes për çështje madhore: sepse duke i ndjekur bordet e tenderët, nuk kanë kohë për t'u marrë me gjëra ku vyen të mendohet. Në këto të fundit, janë të tjerët që i kryejnë punët për ta.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

lind15/05/2018 10:28

Kosova të zgjohet nga gjumi. Dhe pjesë e këtij zgjimi është të marrë përgjegjësi për politikën e brendshme dhe të jashtme,sepse ësht domosdoshmërisë ekzistenciale. "Por ne duhet të bëjmë të pamundurën, sepse të mundurën mund ta bëjnë edhe të tjerët"

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi