OpEd

Koktej vere

Javën e shkuar u konfiskua edhe një kontingjent jo i vogël armësh në veri. Kushedi edhe sa arma sillet andej, e që askush të mos e ndalë infiltrimin. Por, kjo me siguri nuk do të merret parasysh nga ata që këmbëngulin se sanksionet ndaj Kosovës duhet të vazhdojnë, në vend se ato t’i aplikohen palës që është burimi i shumë të këqijave. Sepse ende besojnë se duke e marrë Serbinë me të mirë dhe duke ia bërë qejfin, krejt sendet do të zgjidhen vetvetiu. Njëherë, më moti, kishin menduar e vepruar njësoj. E dimë se si përfundoi e tëra

Ende befasohem kur dëgjoj njerëz të më thonë se puna e ngrohjes globale është punë e shpikur për nuk e di çfarë arsye, që për qëllim përfundimtar e ka paranë. Thuajse këta jetojnë në një dimension tjetër ku stinët e vitit vazhdojnë të jenë asi çfarë i mbaj mend nga fëmijëria: ku secila nga to kishte zgjatur rrafsh 3 muaj, ku në dimër ka pasur borë, në pranverë çelnin lulet, verës dominonte dielli përcëllues, kurse vjeshta mbushej me gjethe të rëna, shi dhe nga pak erë qymyri që e paralajmëronte stinën e bardhë.

Dimri i fundit nuk qe dimër. Nja dy ditë borë, mjaft shi, nja dy-tri ditë me temperatura minus dhe rezultati përfundimtar: prishja e gomave të dimrit që as që iu afruan akullit të shkrirë me kripë, se nuk pati akull. Pranvera u bë vjeshtë me shi që nuk diti të ndalej, dhe ende pa përfunduar na çoi në ambient tropikal me temperatura anormale afër katërdhjetë gradëve. Tash na mbetet të shohim se në mos ndoshta në vjeshtë nisin të çelin lulet dhe të konkludojmë që bota është kthyer mbrapsht.

* * *

Pra, kjo zgafellë tropikale po vjen mes nxehtësisë së padurueshme atmosferike dhe ngrohtësisë që shkaktojnë emocionet e ndeshjeve që po zhvillohen në Kampionatin Evropian të Futbollit. Kosova nuk ia doli të kualifikohej, dhe siç po luan kohëve të fundit, zor se do ta arrijë këtë cak pa kaluar shumë vjet. Nuk kanë qenë të rrallë ata që thoshin se do ta kërkonim Challandesin, duke e parë performancën e përzgjedhësit aktual. Që tregon se për të arritur suksese më të mëdha vyen investime: në kuadro të kualifikuara që do ta udhëheqin ekipin; në lojtarë cilësorë; në infrastrukturë, pra ende kemi “stadiume” që u ngjasojnë më shumë arave sesa fushave të lojës si dhe në ardhmërinë: nuk e besoj se ekziston një strategji për ofrimin e sa më shumë hapësire dhe mundësie për fëmijët e të rinjtë që të merren me sporte në përgjithësi. 

Për të arritur një nivel të pranueshëm ndërkombëtar në sport, duhet nisur që nga fëmijëria. Investimi në zhvillimin e sportit në Kosovë do të kishte efekt të dyfishtë – edhe do të kishim nivel më të mirë paraqitjeje ndërkombëtarisht dhe do ta kishim rininë e angazhuar në diçka që ndikon pozitivisht të zhvillimin psiko-fizik të tyre. Do t’i bënte gjithsesi më të angazhuar dhe më të disiplinuar dhe do t’ua shkurtonte substancialisht kohën për ta kaluar në rrjete sociale dhe të ngjashme.

Po, është e vërtetë se nuk kemi shumë para, sikur që kanë shtetet e mëdha evropiane. Por fakti vijon të qëndrojë se ne nuk dimë as t’i shpenzojmë paratë të cilat i kemi dhe e kemi shumë të vështirë që si shoqëri t’i përcaktojmë prioritetet në të cilat duhet investuar. Në zgafellen e shkuar fola për arsimin si prioritetin mbi prioritetet – pra natyrshëm arsimi dhe sporti do të duheshin kombinuar dhe të zhvilloheshin paralelisht. Fundja, asgjë nuk kushton të ëndërrojmë se dikur do të këndellemi dhe do t’ia dimë rëndësinë që të dyjave. Vetëm uroj të mos na marrë edhe nja dy dekada kjo punë.

* * *

Dhe përderisa i nxehti dhe futbolli po na e marrin gjithë vëmendjen, në planin politik pati dy lëvizje në ditët e fundit.

E para ishte një deklaratë, sado e pabesueshme që duket, e zëdhënësit të përfaqësuesit të Lartë të BE-së, sllovakut Peter Stano, i cili tha: “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është valide dhe obliguese në tërësinë e saj për të dyja palët, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Kjo përfshin edhe nenin 4 dhe lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshjeje”.

Pra, edhe pse vetë BE-ja dhe të gjitha palët e përfshira në procesin e normalizimit e kanë shumë të qartë se marrëveshja e Brukselit si dhe vazhdimësia e saj në Ohër nuk janë marrëveshje valide, për shkak se Serbia ka paraqitur rezervimin e saj ndaj thuajse të gjithë marrëveshjes (fakt që e bën të pavlefshme), megjithatë, dhe më në fund, u dëgjua një zë nga Brukseli që tregon se qasja e Serbisë, me obstruksionet që ia bën Kosovës për anëtarësim në trupat ndërkombëtarë, është ajo e një pale jo bashkëpunuese.

Ajo që nuk befason është se përtej kësaj deklarate, Evropa nuk shkon tutje: nuk i bie ndërmend që t’i fusë Serbisë sanksione, sikur ia bëri Kosovës, kot së koti në maj të vitit të shkuar.

Lëvizja e dytë qe raporti i Borrellit në lidhje me po këto sanksione. 

Pas shumë muajsh diskutimesh dhe mbase dy muaj hartimi, Borrelli më në fund doli me rekomandimin që sanksionet të hiqen. Dhe përderisa futja e sanksioneve nuk pati nevojë për konsensus dhe vendimi u mor me shpejtësi të dritës, tash heqja e tyre nuk kalon në bllok, por do të shkojë në formë të përshkallëzuar sepse një e treta e anëtarëve të BE-së nuk pajtohet që ato të hiqen, “për shkak se Kosova nuk i ka plotësuar kërkesat”.

E kërkesat, do të kujtojmë, kishin të bënin me policinë speciale në veri, pas zgjedhjeve të bojkotuara nga serbët. Pra, po ajo polici speciale e cila doli faqebardhë nga sulmi terrorist i paramilitarëve serbë të udhëhequr nga Radoiçiqi, dhe për të cilën ngjarje BE-ja dhe askush, ende nuk ka nxjerrë asnjë raport për ta konstatuar gjendjen edhe në letër. Prej ngjarjes së Banjskës kanë kaluar 9 muaj. 

Ndërkohë, Radoiçiqi, pasi e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin, ka gjetur strehim në Beograd ku, sipas burimeve të BIRN-it në Serbi, është duke e ndërtuar një vilë 1500 metrash katrorë në lagjen më luksoze të Beogradit, Dedinje, në vlerë prej 6 milionë eurosh. Fqinjët e tij janë krimineli tjetër nga veriu Zvonko Veselinoviq si dhe kumbara i Aleksandar Vuçiqit, Nikolla Petroviq. 

Po të kishte pasur vullnet që njëmend të normalizoheshin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ky raport kishte dalë para fundit të vitit të shkuar dhe mbase disa gjëra kishin qenë më ndryshe.

* * *

Zgjedhjet në Evropë përfunduan dhe tash po zhvillohen negociatat për emërimin e udhëheqësve të Komisionit Evropian. Ajo që po dihet me siguri është që Lajçaku më nuk do të jetë lehtësues, porse ajo që gjithashtu dihet është se do të vazhdojë të vijë në Kosovë e Serbi derisa nuk të caktohet personi që do ta zëvendësojë në post.

Pra, erdhi javën e shkuar dhe u takua me Besnik Bislimin, por jo edhe me Kurtin. Doli për të thënë se ishte për heqjen e sanksioneve, por jo edhe për hapjen e Urës së Ibrit. Do të befasohesha po qe se do ta përkrahte hapjen e urës – do t’i bezdiste serbët të cilët i simpatizon, tej mase, e këtë ka shikuar të mos e bëjë gjatë gjithë kohës sa e ka luajtur rolin e lehtësuesit, ndërmjetësit dhe gjykatësit, ani pse nuk e ka pasur atë autorizim.

Një tjetër që do të shkojë është Borrelli, në raport me Kosovën njësoj i anshëm sikurse emisari i tij sllovak. Prandaj, shumë befasuese ftesa e tij dërguar Kurtit dhe Vuçiqit për takim javën tjetër në Bruksel. Sinqerisht, nuk e kuptoj se çfarë mund të merret vesh kushdo me dikë që pas një muaji më nuk do të jetë në atë post. 

Pos nëse Borrelli ka vendosur t’i ftojë për t’u përshëndetur pasi në këtë dialog e ka kënaqë krejt.

* * *

Edhe java tjetër do të shkojë krejt vapë – tash e ka kohën, meqë vera edhe zyrtarisht nisi. E edhe futbolli do të vazhdojë. Që nuk do të thotë se duhet lëshuar krejt në ler. 

Javën e shkuar u konfiskua edhe një kontingjent jo i vogël armësh në veri. Kushedi edhe sa arma sillet andej, e që askush të mos e ndalë infiltrimin. 

Por, kjo me siguri nuk do të merret parasysh nga ata që këmbëngulin se sanksionet ndaj Kosovës duhet të vazhdojnë, në vend se ato t’i aplikohen palës që është burimi i shumë të këqijave. Sepse ende besojnë se duke e marrë Serbinë me të mirë dhe duke ia bërë qejfin, krejt sendet do të zgjidhen vetvetiu. 

Njëherë, më moti, kishin menduar e vepruar njësoj. E dimë se si përfundoi e tëra.

[email protected]