Në kohën e presionit populist në rritje, papërgjegjshmëria e dukshme demokratike e gjyqësorit, sipas të gjitha gjasave, do të dëshmohet si një prej fuqive të saj fondamentale e jo si dobësi. Gjykatat mund të jenë tani garantuesit e fundit të rendit demokratik kushtetues
Ditë pas dite e javë pas jave, gjykatat po shndërrohen përherë e më shumë në një vijë fronti të betejës për ruajtjen e demokracisë nga populistët dhe autoritarët. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjykata Supreme së fundi i dëgjoi argumentet mbi vendimin e gjykatës më të lartë të Colorados se Donald Trumpi nuk është i përshtatshëm për të dalë në zgjedhjet presidenciale të shtetit, duke e pasur parasysh rolin e tij në kryengritjen e 6 janarit të 2021-tës në Capitol. Dhe një gjykatë e Apelit vendosi kundër pretendimit të Trumpit se presidentët gëzojnë imunitet për çdo veprim të ndërmarrë gjatë mbajtjes së detyrës.
Për më tepër, gjykata shtetërore në New York i caktoi Trumpit një penallti prej 354 milionë dollarësh për mashtrim financiar. Kjo shumë i shtohet asaj prej 83 milionë dollarësh që iu caktua nga juria në rastin, në të cilin Trumpi akuzohej për shpifje ndaj një gruaje që e paditi me sukses për sulm seksual. Përpos ndalesës për ta mbajtur çfarëdo pozite të lartë në një kompani me seli në New York brenda tre vjetëve të ardhshëm, këto dy vendime pritet që ta lënë Trumpin pa pothuajse të gjithë keshin e disponueshëm.
Në ndërkohë, përgjatë Atlantikut, qeveria konservatore e Mbretërisë së Bashkuar bëri përpjekje ta kalojë Projektligjin për Zhvendosjen e Emigrantëve që e synonte anashkalimin e vendimit të vitit të shkuar të Gjykatës Supreme britanike për përmbysjen e një legjislacioni të ngjashëm. Në Izrael, gjykata më e lartë e shtetit së fundi e hoqi një amendament të Ligjit Bazë, i cili do ta kufizonte autoritetin e saj. Dhe në Gjermani, Gjykata Kushtetuese vendosi se financimet publike mund t’i refuzohen së djathtës ekstreme, partisë antidemokratike Die Heimat, duke i hapur rrugën spekulimit se e njëjta mundësi mund të shqyrtohet edhe për rastin që e përfshin Alternativën për Gjermaninë (AfD), përherë e më popullore.
Rasti i përshtatshmërisë për dalje në zgjedhje, që është para Gjykatës Supreme të SHBA-së mund të dalë njëri prej më të rëndësishmëve në historinë e Shteteve të Bashkuara. Pasi Gjykata Supreme e Colorados vendosi se shkaku i rolit në kryengritjen e 6 janarit Trumpit i ndalohet mbajtja e një detyre të lartë, bëhet e pashmangshme që gjykata më e lartë ta vërë peshën e vet në këtë rast.
Pasi e pranuan rastin, gjykatat duhet të vendosin nëse do ta bllokojnë kthimin e Trumpit në presidencë, duke e ditur se ai premtoi që ta zgjidhë të gjithë “çmendinë” po qe se ato vendosin kundër tij. Por edhe nëse ndjekësit e Trumpit shkaktojnë parregullsi, sistemi i demokracisë i Amerikës – i cili është i dizajnuar që t’i pengojë demagogët – duhet të qëndrojë. Në të kundërtën, nëse gjykatat e zmbrapsin vendimin e Colorados, siç duket të jetë e mundur, e ardhmja e demokracisë amerikane mund fare lehtë t’i lihet vetëm një grushti votuesish në shtetet e pavendosura vendimtare.
Gjykatat dhe ligji kanë qenë të ndërthurura me jetën politike amerikane pothuajse që prej themelimit. Më 1835, Alexis de Tocqueville vëzhgoi që “vështirë se ndonjë pyetje ngrihet në Shtetet e Bashkuara e që nuk zgjidhet, herët apo vonë, në një çështje gjyqësore”. Ky nuk qe ekzagjerim. Më 1803, Gjykata Supreme e mbrojti autoritetin e saj për të rishikuar dhe, po qe se është nevoja, për ta rrëzuar legjislacionin, i cili e shndërron në arbitrin e fundit të kuptimit dhe të kërkesave të Kushtetutës amerikane.
Ani se Amerika prej kohësh ka qenë demokraci e shquar botërore, pak vende të tjera e adoptuan modelin e saj gjyqësor. Përbrenda SHBA-së, sovraniteti i Gjykatës merret si pothuajse i mirëqenë, duke pasur murmuritje vetëm të rastësishme mospajtimi. Por shumë vëzhgues gjetiu janë të shqetësuar me idenë se vetëm pak burra dhe gra me mantele të zeza mund të vendosin për, le të themi, krijimin e një banke kombëtare apo ligjshmërinë e skllavërisë.
Përderisa pothuajse çdo vend demokratik ka një gjykatë kushtetuese, pak janë aq të ngarkuara politikisht sa ajo e Amerikës. Në vend të kësaj, ato pritet t’u nënshtrohen zyrtarëve të zgjedhur.
Dhe megjithëkëtë, politikanët populistë i kanë tendosur përherë e më shumë rendet kushtetuese të shumë vendeve, duke shpjerë drejt instancave më të shumta në të cilat gjykatat e shohin veten në mënyra të reja. Një shembull i mirë i kësaj është përpjekja e administratës djathtiste izraelite për ta ndaluar Gjykatën Supreme të vendit që ta shqyrtojë “arsyeshmërinë e një vendimi të Qeverisë, të kryeministrit apo të cilido ministri tjetër”.
Muajin e shkuar, Gjykata Supreme e Izraelit e rrëzoi këtë ligj. Duke e ndjekur hapin e homologeve të saja amerikane, drejtësia vendosi se Gjykata – jo Knesseti, jo Qeveria dhe jo presidenti – është autoriteti më i lartë për sa u përket kuptimit dhe kërkesave të Ligjeve Bazike të Izraelit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ku gjykatat prej kohësh janë përshkruar si “luanët nën fron”, vendimi i vitit të shkuar për rrëzimin e ligjit qeveritar për Zhvendosjen e Emigrantëve sugjeroi se drejtësia do të dalë nga hijet kurdo që nevojitet. Tentimi i qeverisë për t’i kthyer azilkërkuesit në Ruandë, vendosi gjykata, përbën shkelje si të së drejtës ndërkombëtare ashtu edhe të ligjeve vendore, ngase – në kundërshtim me atë që e pretendon Zyra e Brendshme – Ruanda nuk kualifikohet si vend i sigurt për zhvendosje.
Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e kryeministrit Rishi Sunak ia del ta kalojë Projektligjin që e deklaron Ruanën si “të sigurt”, thjesht ngase asnjë qeveri britanike kurrë nuk e adoptoi legjislacionin, synimi i vetëm i të cilit është që ta mohojë realitetin. (Në fakt, ruandasit që kërkojnë azil politik në Mbretërinë e Bashkuar veçse i kalojnë në numër ata që Mbretëria e Bashkuar po përpiqet t’i dërgojë në Ruandë).
Nëse qëndron mendimi tradicional britanik i sovranitetit parlamentar, Gjykata Supreme do të jetë e obliguar që ta pranojë këtë rezultat të tipit Liza në botën e çudirave. Megjithëkëtë, edhe nëse drejtësia dëshmohet e pavullnetshme për ta rrëzuar situatën kushtetuese në këtë rast specifik, ndryshimi më i gjerë në pushtetin gjyqësor është i qartë, si në Britani ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Për ta mbijetuar këtë periudhë të sulmeve populiste mbi rendin demokratik, gjykatat do të duhet ta përqafojnë rolin e tyre si arbitra të drejtësisë. Ato e dinë se vendimet e tyre nuk mund t’u mbeten tekeve emocionale të një Trumpi apo të një Boris Johnsoni. Ato duhet të ndjekin arsye, precedentin dhe ligjin.
Në kohën e presionit populist në rritje, papërgjegjshmëria e dukshme demokratike e gjyqësorit, sipas të gjitha gjasave, do të dëshmohet si një prej fuqive të saja fondamentale e jo si dobësi. Ato mund të jenë tani garantuesit e fundit të rendit demokratik kushtetues.
(Nicholas Reed Langen, njohës i çështjeve kushtetuese, është redaktor i LSE Public Policy Review dhe ka shkruar mbi Kushtetutën britanike për The Justice Gap. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).