OpEd

Pastrimi i listave po afrohet

Dhe janë pikërisht ata që veten e quajnë “rojat e familjeve” që refuzojnë ta votojnë si Kodin Civil, ashtu edhe Ligjin për fertilizimin e asistuar mjekësor. Pra, moskalimi i këtij ligji lë në fuqi një udhëzim administrativ që këtë mundësi ua lejon institucioneve private, por jo edhe sektorit publik. Pra, është proces që nuk mund të ndalet, me gjithë bojkotimin e Eman Rrahmanit bashkë me vëllezërit dhe motrat e tij në VV dhe në partitë opozitare, që refuzojnë ta votojnë një ligj që do t’ua mundësonte çifteve apo edhe grave, pavarësisht, të bëjnë fëmijë. Dhe kjo në dekadën kur Kosova pëson rënie lindshmërie – po qe se ky detaj ka ndonjë domethënie për ta

Çfarë jave!

U kremtua 16-vjetori i Pavarësisë, me festën më të bukur spontane që kanë mundur ta organizonin vetë qytetarët dhe me një seancë plenare të Kuvendit në të cilën nuk morën pjesë thuajse gjysma e deputetëve.

Ishte për turp të shihje sesi më shumë nderime për ditën e madhe të Kosovës treguan diplomatët e huaj sesa “përfaqësuesit e popullit”. Me gjasë u ka munguar motivimi i nënshkrimit për ta marrë një mëditje. Veprimi i tyre është një marre e madhe, kurse për ne votuesit mbase sinjali se zgjedhjet e reja edhe mund të mbahen sivjet.

* * *

Në Gjakovë u sëmur, thuhet se u trajtua dhe pasi u transferua në QKUK, vdiq një vajzë 4 vjeçe, pjesëtare e komunitetit pakicë. Përderisa prindërit deklaronin se dyshonin se shkaku i vdekjes ishte rrahja, nga QKUK-ja u komunikua se vajza kishte arritur në Klinikën e Pediatrisë me sepsë. Ky rast është duke u hetuar nga Prokuroria themelore në Gjakovë si “hetim i vdekjes” dhe me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i vajzës ishte dërguar në IML për obduksion. Se a ka pasur neglizhencë ose jo, do të duhej të tregonte prokuroria. Por që i gjithë rasti krijoi një debat për diskriminimin që u bëhet sidomos pjesëtarëve të komuniteteve RAE, aty nuk ka asnjë dyshim.

E komuniteti RAE diskriminimin e bart mbi supe mbase qëkur ekziston. Prejse kam kujtesë, romët, ashkalinjtë edhe egjiptianët, përherë janë trajtuar si njerëz të rendit të dytë. Pra, edhe pas më shumë se gjysmë shekulli, shumëçka në jetët e tyre mbetet e pandryshuar.

* * *

Nga Brukseli erdhi paralajmërimi për një takim mes negociatorësh për ta diskutuar çështjen e dinarit të ndaluar në Kosovë. Në një reagim plot hidhërim, Besnik Bislimi iu kthye Lajçakut, duke i thënë se po i caktonte takimet kokë më vete, pa i konsultuar palët e as temat e diskutimit. Deklaroi se nuk do të shkonte në Bruksel.

Të nesërmen doli zëdhënësi i Borrellit dhe e qortoi Bislimin - ta merr mendja është në shkollë fillore dhe si mësues i rreptë mund t’ia ngrehë veshët nxënësit të padisiplinuar.

Tha se ftesa ishte bërë, pasi Borrelli ishte takuar ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin në Munih dhe se ajo nuk e përcaktonte përfaqësuesin e asnjërit shtet, “duke ia lënë palës të vendosë se kë do ta nisë në takim”. Stano e përfundoi duke thënë: “Shpresojmë se zotëri Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që në mënyrë të pabazë, t'i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”.

Prej Stanos, për shembull, nuk e dëgjuam një deklaratë për sjelljen e papranueshme të shefave të tij ndaj një fakti që Marc Weller na e tregon për të tretën herë: “Ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur e prishën këtë marrëveshje në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte. Të dyja palët kishin theksuar në mbledhjen e mbajtur më 27 shkurt të vitit të shkuar në Bruksel se ishin pajtuar me formulimet e një marrëveshjeje të re bazë sipas modelit gjerman. Në takimin vijues, në Ohër, më 18 mars 2023, palët duheshin miratuar formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit, mbase i përcjellë nga një konferencë për nënshkrimin formal që do të mbahej në Paris. Sidoqoftë, që në fillim të takimit të Ohrit, Serbia deklaroi se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën në asnjë rrethanë.

Në vend se të insistohej te nënshkrimi dhe t’i bëhej trysni Serbisë me këtë qëllim në mendje, sikurse kishte pritur Kosova, BE-ja thjesht e pranoi këtë kërkesë. Bashkëbiseduesit nga BE-ja e gjetën mënyrën për të deklaruar se Serbia së paku e kishte miratuar tekstin në raport me BE-në. Serbia, pra, mund të insistonte se nuk ishte pajtuar për asgjë në raport me Kosovën. Për më tepër, në vend se të pranonte se traktatet duhej respektuar të tëra, kryetari Vuçiq paralajmëroi se do të përzgjedhë se cilin nga detyrimet e supozuara do t’i zbatonte, po qe se ato ekzistojnë. Kosova, nga ana tjetër, do të duhej që fillimisht ta përmbushte çështjen e Asociacionit/Bashkësisë”.

Pra, në një proces ku, është evidente, nuk ka paanshmëri, mbrojtja e qëndrimit se çështja e dinarit nuk është punë që duhet diskutuar në Bruksel, nuk është sjellje e papranueshme. Është vendim sovran, sado me pak komplikime për mungesë të paralajmërimit dhe përgatitjeve, por i domosdoshëm për luftimin e krimit dhe të kontrabandës që është toleruar mbi dy dekada edhe nga BE-ja.

* * *

Dhe pavarësisht faktit se të gjithë pajtohen se ky hap është legjitim, ende vazhdon trysnia që vendimi të pezullohet. Është evidente përpjekja e kryetares Osmani që të përfshihet në këtë çështje tash, duke u takuar me Hovenierin dhe duke dhënë deklarata për temën. Është e qartë që po mundohet ta mbajë anën e qetësisë, dhe jo të acarimit, që te rasti i dinarit duket se është cytur nga hidhërimi për shkak të injorimit që iu bë përfaqësuesve të Pesëshes, e sidomos amerikanit, për një vendim, megjithatë, sovran. Dhe pavarësisht faktit se ka mundur të menaxhohej më mirë se kaq.

Ndërkohë, qarkullonin video nga Kopaoniku, ku Radojçiqi po e festonte ditëlindjen e tij me petardë, fishekzjarrë e një pankartë ku i shkruhej “Urime komandant”. Pra, vendndodhja e kryeterroristit dihet dhe në cilindo çast do të mund të arrestohej po të donte shefi i tij, Vuçiqi, nën komandën e të cilit edhe ka operuar në Kosovë. Por jo. I festohet ditëlindja dhe lartësohet hero, komandant (i njësive terroriste, pa dyshim) e çka mos, ndërkohë që Kosova ende mbetet nën sanksionet e BE-së, për shkak të “moskooperativitetit”.

E të kujtojmë: kooperativiteti që kërkohej nga Kosova atëherë, ishte tërheqja e njësive speciale. Të po atyre që e çmontuan Radojçiqin dhe terroristët e tij në Banjskë.

E tash, pse këta u lejuan të largoheshin, kjo është çështje tjetër dhe për të cilën e besoj zor se do të marrim përgjigje ndonjëherë. Ashtu siç duket e pafund pritja e raportit për Banjskën, ku do të duheshin përcaktuar përgjegjësit e sulmit terrorist.

As pas pesë muajsh, nuk ka asnjë indice për përmbajtjen e raportit që duhet të hartohet. E gjasat janë se nuk do të hartohet kurrë, sepse po trokasin zgjedhjet evropiane. Tash të gjithë janë të preokupuar me mandatet dhe postet e tyre të ardhshme – pse duhet lodhur për Banjskën e “Kosovës jo bashkëpunuese”?

* * *

E zgjedhjet duket se po trokasin edhe në dyert tona. Ka sondazhe, kredibile ose jo; ka thirrje nga opozita për rrëzim qeverie me zgjedhje dhe mund të ketë kalkulime nga pushteti për ta zgjedhur kohën më të përshtatshme për zgjedhje, me sigurinë se përkrahja mund të jetë aty për shkak të arritjeve në veri, më shumë se çfarëdo tjetër që kjo qeveri të ketë kryer në këta tre vjet pushtet.

Tashmë kemi krijim koalicionesh të partive që rrezikojnë të mos e kalojnë pragun me parti që nuk e kalojnë pragun dhe me një subjekt të porsakrijuar që e quan veten Demokraci konservatore dhe që synimin kryesor e ka “fuqizimin e vlerave të familjes në shoqëri”.

Dhe janë pikërisht ata që veten e quajnë “rojat e familjeve” që refuzojnë ta votojnë si Kodin Civil, ashtu edhe Ligjin për fertilizimin e asistuar mjekësor. Pra, moskalimi i këtij ligji lë në fuqi një udhëzim administrativ që këtë mundësi ua lejon institucioneve private, por jo edhe sektorit publik. Pra, është proces që nuk mund të ndalet, me gjithë bojkotimin e Eman Rrahmanit bashkë me vëllezërit dhe motrat e tij në VV dhe në partitë opozitare, që refuzojnë ta votojnë një ligj që do t’ua mundësonte çifteve apo edhe grave, pavarësisht, të bëjnë fëmijë. Dhe kjo në dekadën kur Kosova pëson rënie lindshmërie – po qe se ky detaj ka ndonjë domethënie për ta.

“Ligje sikurse ishte ky sot që mund të çojnë në martesa të babës me vajzën, vllaut me motrën... KURRË nuk do të mbështeten!”, qe statusi i deputetit Rrahmani në FB dje. Vetë kjo fjali, me gjithë gabimin gjuhësor, tregon se ky njeri as nuk po e kupton se çfarë ligji e ka në dorë. Mbase dikush duhet t’ia shpjegojë se fertizilimi i asistuar as nuk është incest dhe as nuk është martesë.

Por mbase edhe t’ia shpjegosh është kot, ngase ky deputet bashkë me shokët dhe shoqet e tij deputetë që e mbështesin politikën mbi fenë, e njohin vetëm një definicion të familjes: çifti heteroseksual me fëmijë.

Pra krejt familjet që dalin jashtë këtij përkufizimi janë ose mëkat ose të kundërligjshme – pavarësisht se kjo qasje është mohim i një realiteti absolutisht të paimponuar dhe i zgjedhjes së vetë individit se si do që ta jetojë jetën e vet intime.

* * *

Rrahmani e shfrytëzon në maksimum mundësinë që një parti e deklaruar majtiste ua ka dhënë një grumbulli dogmatikësh duke i futur në lista zgjedhore në kërkim të votës së ndjekësve fetarë. Pra, një gjë që e kanë bërë të gjitha partitë politike për të njëjtën arsye, pa e marrë fare parasysh ideologjinë të cilën e përfaqësojnë. Pa e marrë fare parasysh faktin se feja dhe politika duhen vepruar ndaras në një shtet shekullar.

Shmangia e disiplinës partiake, sado që Kushtetuta e përkufizon votën e deputetit të pavarur, e që kohëve të fundit ka nisur të shpeshtohet, shpejt do të na sjellë në situatën e një bllokade legjislative. E jo që ky Kuvend mund të lavdërohet për punën që e ka bërë, meqë në tre vjetët e fundit më shumë i ka bojkotuar punimet sesa që e ka kryer detyrën e vet, por megjithatë e sjell shtetin në bllokadë dhe të varur nga vendimet vetëm të ekzekutivit. E në këso kushte, zgjedhjet duken opsioni i vetëm për të dalë nga rruga qorre dhe për t’i pastruar listat nga manipuluesit që e dominojnë këtë legjislaturë.

flaka@koha.net