Vështrime

Drafti i Asociacionit nuk është edhe aq sekret - vështirë që mund të ketë më të mirë

Propozimi i këtij drafti, dhe shprehja e gatishmërisë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta pranuar, ndonëse me kusht që të nënshkruhet si pjesë e paketës bashkë me Marrëveshjen dhe aneksin e implementimit, shënon një moment të ri në dialog. Shënon një evoluim të madh të kësaj qeverie, e cila deri tash nuk ka dashur as të flasë për këtë temë e tash është e gatshme ta pranojë, por duhet të sigurojë që nga kjo edhe Kosova të përfitojë. Shënon moment të ri edhe pse tash ka një propozim serioz, real dhe me mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare mbi të cilin mund të punohet për të kryer këtë obligim. E Kosova e ka obligim dhe nuk mund t’i ikë, së paku jo pa pasoja serioze.

Drafti për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe zyrtarisht mbetet konfidencial, por ai për opinionin e Kosovës nuk është më i panjohur. Me një probabilitet shumë të madh mund të thuhet se versioni të cilin e ka bërë publik Burim Ramadani është, pak a shumë, ai version sipas të cilit synohet të themelohet Asociacioni. Kushdo që ka përvojë me leximin e dokumenteve të tilla që draftohen nga strukturat e BE-së dhe SHBA-së, e shohin dorën e tyre në këtë dokument. Dhe vështirë që një version i tillë të mund të kishte dalë nga dikush që nuk është thellë i përfshirë në proces. Fakti se askush nuk e ka mohuar në mënyrë të prerë, as BE-ja, as SHBA-ja, as Kosova e as Serbia se ai version është i saktë e bën edhe më të besueshëm pohimin se ai është drafti. Prandaj, derisa edhe “zyrtarisht” të mos bëhet publik ai draft, opinioni dhe ekspertët, por edhe strukturat politike që nuk kanë mundur ta shohin tekstin, duhet debatin ta zhvillojnë pikërisht duke e trajtuar atë version si real. Ai në fund mund edhe të pësojë ndryshime, mund edhe të ketë ndryshime të vogla në gjuhë, por thelbi është aty. E ai thelb është se në territorin e Kosovës do të themelohet një Asociacion i cili do të duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, por e cila nuk e largon mundësinë që Serbia të ketë rol të madh në të.

Propozimi i këtij drafti, dhe shprehja e gatishmërisë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta pranuar, ndonëse me kusht që të nënshkruhet si pjesë e paketës bashkë me Marrëveshjen dhe aneksin e implementimit, shënon një moment të ri në dialog. Shënon një evoluim të madh të kësaj qeverie, e cila deri tash nuk ka dashur as të flasë për këtë temë e tash është e gatshme ta pranojë, por duhet të sigurojë që nga kjo edhe Kosova të përfitojë. Shënon moment të ri edhe pse tash ka një propozim serioz, real dhe me mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare, mbi të cilin mund të punohet për të kryer këtë obligim. E Kosova e ka obligim dhe nuk mund t’i ikë, së paku jo pa pasoja serioze.