Vështrime

Kronika e një sulmi të paralajmëruar

Nga kërcënimi deri te dhuna: sulmit terrorist në Banjskë i ka paraprirë një fushatë militariste, propagandistike dhe diplomatike e regjimit serb. Milan Radoiçiqi është produkt i kriminalizimit të politikës në Serbi. Dhe, fatkeqësisht, edhe i kriminalizimit me vite të tëra të politikës në Kosovë

Në verën e vitit 2022 Milan Radoiçiqi dërgoi një video-mesazh kërcënues nga Leposaviqi: «Këtu jam, jam kthyer, dhe ju e dini se çfarë domethënë kjo». Përkundër se thuhej që Radoiçiqi në faza të caktuara ka qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, ky padron i rrjetit kriminal në veri të vendit duket se ka lëvizur si peshku i artë në akuarium. E paqartë mbetet deri më sot përse atij iu hoq fletarrestimi nga autoritetet e Kosovës.

E qartë është se nga pushteti që gëzonte përmes Listës Serbe dhe votave që ka kontrolluar në Kuvendin e Kosovës, ai ka ndikuar në krijimin e disa qeverive të Kosovës. Kur kjo varësi e qeverive të kaluara kritikohej nga zërat publikë në Kosovë, papagajtë e pushteteve të kaluara vraponin te diplomatët perëndimorë për t’i “informuar” se komentatorë të caktuar po u shprehkan kundër bashkëjetesës.