Vështrime

I Akullti dhe Frenki dënojnë Serbinë

Udhëheqësit e shërbimit sekret të Serbisë, Stanishiq dhe Simatoviq, u dënuan përfundimisht për krimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Që të dytë lanë namin edhe në Kosovë

1.

Si të ishte ndonjë skenar filmi apo ndonjë roman krimi, gjykimi i fundit në Hagë (i Gjykatës për ish- Jugosllavi) dha një verdikt që ishte pjesë e ligjërimit të përgjithshëm publik në ish-Jugosllavi dhe qarqet diplomatike e intelektuale të Perëndimit, por nuk mori ndonjëherë vulën juridike. Në vendimin e vet të fundit Kolegji i Apelit i Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale ka nxjerrë aktgjykim në rastin kundër ish-drejtuesve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SDB) të MPB-së së Republikës së Serbisë - Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq. Përfaqësuesit më të lartë të SDB RS u dënuan si anëtarë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale përgjegjëse për krimet e kryera nga anëtarët e Gardës Vullnetare Serbe (SDG), Njësisë për Veprime Speciale, Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO) - Beretat e Kuqe, milicia e Martiqit dhe Skorpion në vitin 1992 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.