Vështrime

Weller: Momenti kritik i negociatave për normalizimin që do të vijojnë në Ohër

Weller: Momenti kritik i negociatave për normalizimin që do të vijojnë në Ohër

Neni 7, apo në fakt e gjithë Marrëveshja Bazë nuk e përmend fare termin Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe, madje me asnjë fjalë. Ky koncept tash është modifikuar me një diçka që tingëllon si një referencë modeste për “vetëmenaxhimin” për komunitetin serb në Kosovë. Në versionin përfundimtar të nenit 7, termi “vetëmenaxhim” e ka zëvendësuar fjalën “vetëqeverisje” që u gjet në versionin e parë të propozimit të Marrëveshjes Bazë, që i nënvizon funksionet më modeste që janë paraparë.

Fundjavën tjetër, nën trysni të madhe, do të vazhdojnë negociatat për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga fundi i shkurtit, palët tashmë i pranuan Preambulën dhe 11 nenet përmbajtjesore të Marrëveshjes Bazë, si tekst përfundimtar që nuk do të negociohet më. Megjithatë, hapi i ardhshëm mbetet kyç: arritja e marrëveshjes për dispozitat e zbatimit të neneve në një Aneks, i cili do të konsiderohet pjesë përbërëse e instrumentit. Marrëveshja Bazë do të kompletohet dhe do të jetë e gatshme për nënshkrimin formal vetëm atëherë kur do të përmbushet kjo detyrë.

Tashmë përgjithësisht është e ditur se kjo marrëveshje do të paraqesë vetëm një hap në “shtegun” e normalizimit të plotë. Kjo ende nuk e bën njohjen e ndërsjellë të të dyja shteteve. Porse do të sqarojë se Serbia dhe Kosova do ta trajtonin njëra-tjetrën sipas të së Drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe parimin e barazisë sovrane të shteteve, ndalimin e kërcënimeve dhe të përdorimit të dhunës si dhe detyrimin që të gjitha kontestet duhen zgjidhur në mënyrë paqësore.