Vështrime

Konsulentët dhe kriza e kapitalizmit

Konsulentët dhe kriza e kapitalizmit

Transformimi i ekonomive tona në interesin e publikut e kërkon ndryshimin e mënyrës se si mendojmë dhe si flasim për rolin e qeverisë. Ne duhet të ndalojmë që ta shohim shtetin thjesht si një shpëtimtar të tregut dhe amortizues të rrezikut dhe ta njohim atë si akter kritik ekonomik. Organizatat dhe individët privatë me njohuri dhe kapacitete të mirëfillta ende mund të jenë burime të çmueshme këshillimi. Por ata duhet të këshillojnë dhe “të konsultojnë” në mënyrë transparente nga anash, e jo të vendosen në udhëheqje dhe të paguhen pavarësisht se si performojnë

Viteve të fundit, McKinsey & Company është shndërruar në një emër familjar – por për arsye krejtësisht të gabuara. Duke qenë një nga kompanitë e konsulencës “Big Three”, puna e saj për korporata dhe qeveri të mëdha është bërë burim përherë e më i madh i skandaleve dhe i intrigave përreth botës.

Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, McKinsey pranoi që të paguante gati 600 milionë dollarë për rolin e saj në epideminë vdekjeprurëse të opioidëve, pas akuzave se e kishte këshilluar Purdue Pharman se si të “tejshtrenjtojë” shitjet e OxyContinit. Në Australi, puna e firmës në strategjinë kombëtare me zero-neto të qeverisë së mëparshme qe kritikuar si një përpjekje flagrante për mbrojtjen e industrisë së karburanteve fosile të vendit. Ndërkaq në Porto Riko, një hulumtim i New York Timesit ka zbuluar se filiali i investimeve i McKinseyit, MIO Partners, ishte i pozicionuar për të përfituar nga po i njëjti borxh që konsulentët e tij po ndihmonin të ristrukturohej.