OpEd

Dallimi mes shoqërive të civilizuara dhe Serbisë që lartëson kriminelët e luftës

Autoritetet në Lubjanë dhe Zagreb po korrigjojnë disa gabime që janë bërë gjatë agresionit serb në vitet 90-të. Në Serbi, ndërkaq, nuk lejohet të vendoset as një pllakë përkujtimore për gati 800 kufoma shqiptarësh të hedhur në një varr masiv në Batajnicë afër Beogradit. Këtu qëndron dallimi mes shoqërive civilizuese dhe shoqërisë serbe që vazhdon të mohojë krimet.

Kur Sllovenia shpalli pavarësinë më 1991, autoritetet e reja ua anuluan lejet e qëndrimit mbi 25 mijë njerëzve nga viset e tjera të Jugosllavisë. Brenda natës ata humbën të drejtën e banimit në Slloveni. Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë e ka quajtur të paligjshëm këtë vendim. Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor ka kërkuar falje. Dhe tani në Lubjanë një ekspozitë dhe një memorial kujtojnë këtë kapitull të historisë së re sllovene.

Shoqëritë e civilizuara i pranojnë gabimet e tyre, nderojnë viktimat dhe kujdesen për paqe me të kaluarën. Këtë shembull e ka dhënë Sllovenia.

Në kryeqytetin e Zagrebit kryetari i ri Tomisllav Tomasheviq ka përkrahur propozimin që i është bërë Kuvendit të qytetit të Zagrebit për t’ia ndryshuar emrat katër rrugëve që kujtojnë kohën e të ashtuquajturit “Shtet i pavarur kroat”, i cili në Luftën e Dytë ka qenë një ngrehinë parashtetërore dhe vasale e Adolf Hitlerit. “Rrugët të cilat në Zagreb bartin emrat e ustashëve duhet të riemërohen, kjo është çështje civilizimi. Nuk është normale që në kryeqytet të ketë edhe më tutje rrugë që bartin emra ustashësh”.

Tomisllav Tomasheviq ka paralajmëruar edhe një pllakë përkujtimore për familjen serbe Zec, pjesëtarë të së cilës u vranë në Zagreb nga forcat kroate të sigurisë pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë. Qeveria kroate i ka ndarë kësaj familjeje rreth 200 mijë euro dëmshpërblim.

Vetëm Serbia vazhdon me kryeneçësi të mohojë krimet e të lartësojë kryerësit e tyre. Në qershor të vitit 2001 në poligonin e forcave të policisë speciale në Batajnicë afër Beogradit nisi hapja e një varri masiv ku forcat policore e ushtarake serbe kishin hedhur rreth 800 kufoma të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë agresionit serb kundër Kosovës në vitet 1998/99. Sot e atë ditë në Batajnicë asnjë shenjë nuk kujton këtë krim të shtetit serb. Qeveria aktuale serbe si qeveritë e mëparshme refuzon çdo shprehje keqardhjeje për ekzekutimin e civilëve shqiptarë. Nëpër portën e poligonit të policisë speciale serbe para 24 viteve kaluan kamionë të ngarkuar me kufoma të civilëve shqiptarë. Mes tyre ishin kufomat e familjes Berisha të masakruar në Suharekë. Mes tyre ishin Genci 4-vjeçar, Graniti 2-vjeçar dhe Lirija, e cila ishte në muajin e tetë të shtatzënisë.

Pas zhgroposjes së kufomave, varret masive të Batajnicës u mbushën me dhe, u rrafshuan dhe aty vazhdon trajnimi i policëve serbë. Serbia është një shtet që policët e saj i trajnon mbi varret masive të shqiptarëve. Në Batajnicë janë gjetur kufoma civilësh shqiptarë të vrarë në Suharekë, Mejë, Qyshk, Lubeniq, Sllovinjë, Vushtrri, Nakaradë, Gjakovë, Pejë, Fushë Kosovë.

Që nga viti 2015 Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë për të drejtat e njeriut me seli në Beograd, angazhohet për hapjen e një qendre përkujtimore në Batajnicë, por pa sukses. Ndërsa qeveria serbe refuzon, në shoqërinë serbe, me përjashtime të vogla, mbretëron heshtja, mohimi, madje edhe lartësimi i kriminelëve të luftës.

Batajnica nuk është vendi i vetëm ku autoritetet serbe u përpoqën të fshehin gjurmët e krimeve të luftës. Kufoma të civilëve nga Kosova janë gjetur edhe në një gurthyes në Rudnicë afër kufirit me Kosovën, në bazën e policisë në Petrovo Sello në lindje të Serbisë dhe te liqeni Peruçac në perëndim të Serbisë.

Ndërsa në Serbi ende mbretëron fryma e primitivizmit dhe mburrjes me krimet e së kaluarës, Sllovenia dhe Kroacia, dy shtete anëtare të EU-së dhe NATO-s dhe me valutën e përbashkët europiane euro, bëjnë hapa të duhur drejt normalitetit i cili e karakterizon çdo shoqëri të civilizuar.