Vështrime

Kush është pjesë e botës së lirë?

Në një kuptim, Ukraina është padyshim në kufirin e botës së lirë. Veprimet e Rusisë atje - torturimi dhe vrasja e ushtarëve dhe civilëve; shkatërrimi i shtëpive, bizneseve dhe infrastrukturës kritike; detyrimi i njerëzve që të grumbullohen në bodrume të ftohta për t'i shpëtuar bombardimeve - janë sulme flagrante ndaj lirisë.

Në fjalimin e tij në Kongres në vitin 2022, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se po kërkonte “të shkundte vetë themelet e botës së lirë” me pushtimin e tij të Ukrainës gjashtë ditë më parë. Putin besonte se sulmi i tij “i paramenduar dhe plotësisht i paprovokuar” ndaj Ukrainës do të përballej me pak rezistencë. Por, Bideni deklaronte se “bota e lirë po e mban atë përgjegjës”.

Kur Bideni do të mbajë fjalimin e ardhshëm në Kongres më 7 shkurt, ka shumë të ngjarë të tregojë të gjitha mënyrat se si “bota e lirë” ka vazhduar ta mbështesë Ukrainën - dhe ta ndëshkojë Putinin - gjatë vitit të kaluar. Vendet e NATO-s dhe partnerët e tyre anembanë botës kanë dorëzuar sasi masive armësh dhe furnizime të tjera për luftëtarët ukrainas, teksa kanë pranuar miliona refugjatë ukrainas. Të njëjtat vende kanë mbajtur – dhe madje kanë rritur – sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa kanë gjetur mënyra për të mbështetur ata që përpiqen të heqin dorë nga energjia ruse.