“City of God”, 20 vjet më vonë

Epika braziliane e krimit është më e rëndësishme sot se kurrë më parë.
Kanë kaluar 20 vjet që kur epika braziliane e krimit, “City of God”, doli në kinema për herë të parë dhe i vuri në qendër të vëmendjes globale favelat braziliane dhe strukturat e tyre unike të fuqisë, racës dhe klasës.
I vendosur në periferinë famëkeqe të Rios Cidade de Deus (City of God) midis fundit të viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1980, filmi tregon historitë e disa personazheve të ndërlidhura që luftojnë për t’i shpëtuar dhunës dhe varfërisë nga këndvështrimi i një favele me lëkurë të errët me nofkën “Rocket”.
I drejtuar nga Fernando Meirelles dhe Kátia Lund, filmi mori një vlerësim të gjerë nga kritikët sapo u publikua dhe siguroi katër nominime për “Oscar” në vitin 2003. Në vitet që pasuan, ai u pa nga shumë njerëz si filmi përfundimtar i Brazilit modern dhe një nga filmat më të mëdhenj të shekullit XXI.
“City of God” fitoi zemrat dhe mendjet si në Brazil ashtu edhe jashtë tij për shumë arsye të ndryshme. Para së gjithash, historia, e përshtatur nga romani i vitit 1997 me të njëjtin emër, shkruar nga autori afro-brazilian Paulo Lins, lejoi një përshkrim realist të jetës së favelës. Ai i paraqiti ata që jetonin në “City of God” as si “viktima të shoqërisë” së pafajshme dhe as si banditë të pakuptimtë që zgjodhën dhunën, por si njerëz të vërtetë që përpiqeshin t’i orientonin sa më mirë rrethanat e tyre të vështira. Ai i lejoi shikuesit e filmave të shikonin rrugicat e ngushta dhe shtëpitë e keqndërtuara të “City of God”, si dhe dhunën dhe varfërinë ekstreme që i përkufizojnë ato, përmes syve të njerëzve që jetojnë në të vërtetë atje. Ndërsa filmi duket shumë si një sukses i Hollivudit dhe është shumë i stilizuar, ai ende ndihet autentik, ndoshta për shkak se pjesa më e madhe e aktorëve përbëhet nga banorët e sotëm të favelës së përshkruar në film.
Në 20 vjetët që nga publikimi i tij, “City of God” jo vetëm që u plak mirë, por mbeti shumë aktual – çështjet që ai i përshkruan janë ende po aq të spikatura si kurrë më parë.
Në të vërtetë, varfëria dhe pabarazia ekstreme janë ende problemet kryesore në Rio de Zhaneiro. Në favelat si “City of God”, betejat e shumta të shkaktuara nga varfëria përkeqësohen nga brutaliteti dhe korrupsioni i policisë, varësia, racizmi dhe – siç u përshkrua në mënyrë shumë delikate në film – qëndrimet nënçmuese të klasës së mesme të bardhë liberale ndaj të varfërve.
Filmi përshkruan një favelë në kontrollin e krimit të organizuar në vitet 1970 dhe nënvizon rolin e oficerëve të policisë të korruptuar që luajtën në transformimin e kësaj lagjeje periferike (e ndërtuar me qëllim për të mbajtur të varfrit jashtë qendrës) në një vend ku ligjet nuk zbatohen, drejtësia nuk arrihet kurrë dhe askush nuk mund të ndihet vërtet i sigurt. Sot, për fat të keq, gjendja e favelave të Brazilit është ndoshta shumë më e keqe.
Grupet paraushtarake të përbëra nga ish-policë dhe zjarrfikës po marrin kontrollin e këtyre lagjeve. Në disa raste, këto milici punojnë së bashku me bandat e drogës, në të tjera, ata po i luftojnë me egërsi. Ashtu si në film, e gjithë kjo po ndodh në mungesë të qëllimshme të kontrollit shtetëror.
Vështirësitë personale që hasen në film nga “Rocket” dhe personazhe të tjera si Knockout Ned (Seu Jorge) kur përpiqen të bëjnë një jetë të ndershme gjithashtu nënvizojnë realitetet e jetës së favelës sot. Në filmin “City of God”, këta personazhe janë të dënuar në periferitë e shoqërisë braziliane për shkak të klasës së tyre shoqërore dhe adresave të favelës. Për më tepër, ata janë të frenuar nga racizmi strukturor. Sot, të njëjtat pengesa dhe paragjykime po pengojnë të rinjtë e panumërt të favelës që të mos jenë në gjendje të thyejnë ciklin e varfërisë dhe paligjshmërisë dhe të ndërtojnë një jetë ndryshe për veten e tyre.
Pasojat e kësaj mungese dëshpëruese të mundësive mund të vërehen edhe në jetën e aktorëve të “City of God”, të cilët kanë prejardhje të ngjashme me atë të personazheve që sollën në jetë.
Kohët e fundit pata mundësinë të intervistoja Alexandre Rodrigues, aktorin që luajti “Rocket”, për një profil reviste. Gjatë bisedës sonë, ai kujtoi se sa i tronditur ishte nga luksi që hasi gjatë udhëtimeve që bëri jashtë Rios në fillim të viteve 2000 për të promovuar filmin. Ai foli për zgjimin e ftohtë që përjetoi ai dhe anëtarët e tjerë të kastit kur u kthyen në Rio pas këtyre udhëtimeve dhe kuptuan me të vërtetë shkallën e varfërisë që ata i rrethonte në qytetin e tyre të lindjes – një nga më të pabarabartët në botë. Mjerisht, prejardhja e tyre që i bëri ata të përsosur për rolin e tyre në “City of God” gjithashtu i pengoi ata në karrierën e tyre. Rodrigues, për shembull, arriti të ndërtojë një karrierë të respektueshme aktrimi gjatë viteve, por nuk arriti kurrë në superyll, ashtu siç pritej për një aktor që luajti rolin kryesor në “një nga filmat më të mirë të shekullit të 21”. Në fakt, në vitin 2016, u zbulua se Rodrigues po drejtonte një Uber për të përballuar jetesën, gjë që shkaktoi një bisedë për mungesën e dukshme të mundësive për lëvizshmëri ekonomike në Brazil për ata që kanë lindur në varfëri, edhe pasi ata arrijnë sukses të jashtëzakonshëm në fushën e tyre të zgjedhur të punës.
Natyrisht, pavarësisht suksesit dërrmues dhe ndikimit të pamohueshëm, “City of God” nuk është mbi kritikat. Në fakt, ai u kritikua ashpër nga shumë njerëz – duke përfshirë banorët e jetës reale të favelës së “City of God” – sapo u publikua. Një nga kritikët më të ashpër të filmit ishte reperi MV Bill. Vetë banor i “City of God”, Bill argumentoi fuqishëm se filmi përforcoi paragjykimet rreth favelave për efekt dramatik. Ai pretendoi se banorët e favelës u paraqitën në film si “tjetri kafshëror” – një përshkrim tipik i atyre që janë me lëkurë të errët dhe jetojnë në kontekste në zhvillim. Ndërkohë, disa të tjerë (kryesisht studiues të klasës së lartë, disa prej të cilëve qartazi i shohin të varfrit thjesht si subjekt studimi dhe jo njerëz realë) e akuzuan filmin për “magjepsje” të varfërisë dhe dhunës përmes përshkrimit të tij “shumë të stilizuar” të jetës së favelës. Megjithatë, shikimi i këtij filmi nuk më bëri kurrë (dhe dyshoj se dikë tjetër) të dëshiroja të shkoja në një favelë dhe të jetoja jetën e vështirë të përjetuar nga “Rocket”. Është xhiruar dhe montuar me mjeshtëri në një mënyrë që të kënaq syrin, por në asnjë mënyrë nuk shërben si reklamë turistike për favelën.
“City of God” është një film po aq i rëndësishëm sot sa ishte 20 vjet më parë, flet për përjetësinë e tij si një vepër arti. Por përtej kësaj, ai tregon se si në vitet që kur kjo kryevepër i vuri favelat e Brazilit nën një qendër të vëmendjes globale asgjë nuk është bërë për të parandaluar përsëritjen e tragjedisë së përshkruar në film. Në të vërtetë, fëmijë të panumërt të pafajshëm po rriten ende mes varfërisë së tmerrshme, dhunës së pakontrolluar dhe një ndjenje të thellë padrejtësie në favelat anembanë Brazilit sot.
Në 20-vjetorin e publikimit të tij, “City of God” mund të jetë opusi i madh i Brazilit, jo vetëm sepse është një nga filmat më të mirë dhe më me ndikim që vendi ka prodhuar ndonjëherë, por edhe sepse nxjerr në pah një të vërtetë të shëmtuar për kombin tonë që rrallë e kemi përmendur në shtëpitë tona të klasës së mesme, e lëre më në arenën ndërkombëtare.
(Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të “Al Jazeeras”.
Gabriel Leão është një gazetar me qendër në São Paulo, Brazil. Leão ka shkruar për media në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Brazil. Ai ka një diplomë master në Komunikim dhe një diplomë pasuniversitare në Marrëdhëniet me Jashtë.)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.