OpEd

Premtime të reja nga BE-ja, apo përsëritje të atyre të vjetra në Tiranë

Sa u përket zotimeve politike, që lidhen me të ardhmen e vendeve në BE, pak a shumë ato do të jenë përsëritje të atyre që ishin dhënë para 22 vjetësh në Zagreb. Vërtet ky vit ka shënuar disa zhvillime pozitive. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, Kosova është shumë afër vendimit për liberalizim vizash, Bosnjë-Hercegovina ka gjasa që deri në fund të vitit të marrë statusin e vendit kandidat. Por kur e gjithë kjo krahasohet me kohën që ka kaluar, me 22 vjet, atëherë nuk ka shumë hapësirë për kënaqësi. Në Zagreb, në vitin 2000 optimizmi ka qenë shumë më i madh

Të martën, më 6 dhjetor, në kryeqytetin e Shqipërisë do të zhvillohet samiti më i madh ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Për herë të parë një samit BE-Ballkani Perëndimor zhvillohet jashtë territorit të BE-së, që nga Samiti i Zagrebit i zhvilluar në vjeshtën e vitit 2000, në kohën kur BE-ja kishte vetëm 15 vende anëtare.

Atëbotë, rajonit të Ballkanit Perëndimor iu premtua “e ardhmja evropiane”, që nënkuptonte integrimin në BE, por vetëm Kroacia realizoi qëllimin duke u bërë shtet anëtar në verën e vitit 2013.

Samiti i Zagrebit, mes të tjerash, u pa si një simbol i ndryshimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor me rrëzimin nga pushteti të Slobodan Milosheviqit në Serbi. Kjo u kuptua si fillim i një të ardhmeje të ndritshme evropiane për rajonin dhe tejkalim i së kaluarës së errët të konflikteve në rajon.

në pikën 1 të Deklaratës së Samitit të Zagrebit përmendet “fitorja e forcave demokratike në RFJ në zgjedhjet e 24 shtatorit”, duke menduar pikërisht largimin nga pushtetit të Milosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Beograd.

Sot, 22 vjet më vonë, në Serbi në pushtet janë përsëri ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit. Presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin. Dallimi është se tash këta shihen nga BE-ja si “partnerë për të ardhmen e ndritshme evropiane”. E në Serbi ish-bashkëpunëtorët e Milosheviqit, që kohë pas kohe vërtet i kanë bërë disa ndryshime pozitive, shpesh i kthehen retorikës nga e kaluara, sidomos kur është fjala për shqiptarët e Kosovës apo për Kroacinë. Sulmet e fundit fyese, e besa edhe kërcënuese, të presidentit të Serbisë, Vuçiq, duke e quajtur kryeministrin e Kosovës, Kurti, si një “llum terrorist”, etiketimi i atyre serbëve të Kosovës që nuk punojnë sipas instruksioneve të Beogradit si “kuislingë”, krahas fushatës linçuese në mediat në Serbi, kthen kujtesën nga koha e Milosheviqit.

Dhe sikur në Samitin e Zagrebit, Kosova bëhet temë edhe në prag të Samitit të Tiranës me kërcënimin e Serbisë se nuk do të marrë pjesë. Në vitin 2000, organizatorët e Samitit lëshuan pe ndaj ultimatumit të Beogradit dhe nuk e ftuan asnjë përfaqësues të Kosovës. Edhe shefi i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, ishte vetëm “i pranishëm”, por jo edhe “pjesëmarrës”. Donin me çdo kusht që Vojislav Koshtunica të ishte në atë samit. Në Zagreb u organizuan protesta, ku pjesëmarrësit mbanin foto të ish-presidentit të Serbisë ku shihej me kallashnikov në dorë.

Tash presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënon se ai do ta bojkotojë Samitin e Tiranës. Përsëri për shkak të Kosovës. Sepse nuk i ka pëlqyer se si BE-ja e ka komentuar emërimin e një politikani etnik serb të Kosovës në Qeveri. Dhe, për t’ia bërë qejfin, vetëm një ditë më vonë, BE-ja doli me konstatimin se “sipas analizave preliminare të BE-së ky emërim nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. Mund të jetë e vërtetë, por duket shumë fascinues fakti se si në BE e paskan analizuar aq shpejt Kushtetutën e Kosovës.

Por Vuçiqi ka një hall tjetër. Ai e di se, përkundër vullnetit të mirë të mikpritësit Edi Rama për t’u kujdesur në mënyrën më të mirë për mysafirët, në Tiranë do të jetë mjaft i vetmuar dhe i izoluar. Sepse Vuçiqi do të jetë lideri i vetëm i një shteti që nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, me çka ka dëshmuar se nuk është i gatshëm të ndajë vlerat e përbashkëta evropiane për të cilat të gjithë do të zotohen në Tiranë.

Duket paradoksale, por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është ndër liderët e rrallë që kanë mirëkuptim për qëndrimet e Serbisë. Ndoshta këtu duhet shtuar edhe kryeministrin e Hungarsië, Viktor Orban. Dhe Vuçiqi do të jetë në Tiranë, sepse ai nuk do të rrezikojë as raportet me BE-në e as ato me Edi Ramën, me të cilin vazhdon përpjekjet për të jetësuar nismën “Ballkani i Hapur”, një nismë e cila në Bruksel shihet me shumë dyshim.

Nëse do të lihen anash detajet se kush dhe si do të marrë pjesë, kush do të flasë me kë, ky samit ka një rëndësi edhe për nga përmbajtja. Siç shihet nga teksti i draftit të deklaratës që do të miratohet, e në të cilin ka pasur qasje edhe KOHA, jo vetëm se do të përsëritet përkushtimi i BE-së për integrimin e vendeve të rajonit, por do të bëhet thirrje që ky proces edhe të përshpejtohet. Ndikim në këtë ndryshim paksa pozitiv ndaj këtij procesi, që për disa vjet është parë me shumë dyshim dhe rezerva nga disa vende të BE-së, pa dyshim kanë qenë rrethanat globale pas invazionit të Rusisë në Ukrainë. Edhe kjo shihet nga teksti i “Deklaratës së Tiranës” që pritet të miratohet.

“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës që po përshkallëzon po e vë në rrezik paqen e sigurinë evropiane dhe atë globale, dhe kjo potencon rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në tekst.

“Bashkimi Evropian rikonfirmon përkushtimin e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, bazuar në reformat kredibile nga ana e partnerëve, kushtet fer dhe rigoroze dhe parimit të meritave individuale, që janë në interesin tonë të përbashkët”, thuhet më tej në tekst.

Por bëhet thirrje që të gjithë në rajon t’i mbështesin edhe qëndrimet e BE-së kur është fjala për sanksionet ndaj Rusisë. Pasi të gjitha vendet tjera i kanë përkrahur këto sanksione, porosia qartë i shkon pikërisht Beogradit. Prandaj Vuçiqi dëshiron që atë ta falënderojnë se i ka nderuar me pjesëmarrjen e tij, e jo ta qortojnë.

Në tekst mirëpritet edhe përkushtimi i vendeve të rajonit për të respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat themelore të BE-së, që është dëshmi për orientimin strategjik të tyre.

“Qëndrimi në krahun e BE-së është një sinjal i qartë strategjik i partnerëve, tash më shumë se kurrë më parë, në kohën kur Rusia përshkallëzon luftën e saj agresive ndaj Ukrainës. Vizioni i përbashkët i së ardhmes nënkupton edhe përgjegjësi të përbashkët dhe vlerat e përbashkëta”, thuhet në këtë tekst.

“Përderisa po e thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, kërkojmë nga ata që të bëjnë përparim të shpejtë dhe domethënës drejt përshtatjes së plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe të veprojnë në përputhje me këtë, përfshirë edhe në masat restriktive të BE-së”, është porosia që qartë i dërgohet Beogradit.

Ka shumë çështje nga deklarata e këtij samiti që janë shumë të rëndësishme për vendet e rajonit dhe për qytetarët e tyre. Mes tyre edhe liria e lëvizjes, ndërtimi i infrastrukturës, lirimi dhe potencialisht heqja e roamingut mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Por, sa u përket zotimeve politike, që lidhen me të ardhmen e vendeve në BE, pak a shumë ato do të jenë përsëritje të atyre që ishin dhënë para 22 vjetësh në Zagreb. Vërtet ky vit ka shënuar disa zhvillime pozitive. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, Kosova është shumë afër vendimit për liberalizim vizash, Bosnjë-Hercegovina ka gjasa që deri në fund të vitit të marrë statusin e vendit kandidat. Por kur e gjithë kjo krahasohet me kohën që ka kaluar, me 22 vjet, atëherë nuk ka shumë hapësirë për kënaqësi. Në Zagreb, në vitin 2000 optimizmi ka qenë shumë më i madh. Dhe as pesimistët më të mëdhenj nuk do ta kishin menduar se kaq vjet do të kalojnë e të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Kroacisë , do të jenë ende jo vetëm jashtë, por edhe aq larg nga Bashkimi Evropian.