Vështrime

Kurs përpasjeje

Kurti ka lënë për të nënkuptuar se ai është i gatshëm për kompromis tek Asociacioni, por vetëm si pjesë e propozimit franko-gjerman. Vuçiqi, nga ana tjetër, vazhdon të insistojë se nuk mund të zhvillohen negociatat për marrëveshjet e reja (propozimin franko-gjerman) pa u zbatuar marrëveshjet ekzistuese (Asociacioni). Pra, në një sens së shpejti do të jemi dëshmitarë të përplasjes së dy parimeve negociatore: Kurtit, i cili insiston në parimin “asgjë nuk është e dakorduar pa u dakorduar për çdo gjë” dhe Vuçiqit, i cili insiston në “pacta sunt servanda”

Ndodh shumë rrallë që një vend i vogël sikur Kosova të zërë vend në kryetituj të BBC-s. Ndodh edhe më rrallë që kjo të ndodhë dy herë brenda javës. Por, Kosova e kishte arritur pikërisht këtë javën e kaluar. Brenda javës dialogu kaloi nga një dështim, i cili rrezikonte stabilitetin e rajonit në një storie suksesi të diplomacisë ndërkombëtare. Edhe pse gjatë procesit palët akuzuan njëra-tjetrën për dyfytyrësi dhe manipulim, në fund të gjithë ishin të lumtur me epilogun. Kështu janë negociatat ndërkombëtare. Kështu ishte atmosfera edhe në një proces tjetër negociator 4.000 kilometra në jug të Brukselit, ku në Sharm el-Sheikh afro 200 vende të botës arritën marrëveshje historike për të luftuar ndryshimet klimatike. Tensionet ngrihen dhe ulen, palët afrohen dhe largohen, marrëveshja arrihet dhe rrezikohet, negociatat zgjatin deri në rrezet e para të diellit të mëngjesit, por në fund të gjitha palët kuptojnë se kanë më shumë për të humbur sesa të fitojnë në rast të dështimit.

Edhe pse Brukseli ka qenë nikoqir i shumë marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja e javës së kaluar ka potencial që të jetë një nga momentet më të rëndësishme të dialogut që nga nisja e tij dhjetë vjet më parë, edhe pse vetëm një faqe dokumenti i dakorduar nuk duhet nënvlerësuar. Është një nga ato dokumente ku cilësia është më e rëndësishme se volumi. Marrëveshja i jap fund drejtimit të deritanishëm të dialogut duke e transformuar atë nga dialogu për çështje teknike në dialog për çështje strategjike. Nga dialog për çështjet urgjente në dialog për çështjet e rëndësishme. Në këtë drejtim janë së paku pesë mesazhe të cilat vlen të nënvizohen.