Vështrime

Fatkeqësia energjetike e Evropës që po afrohet

Por mosbesimi është i përhapur dhe me kalimin e kohës dhe përkeqësimin e situatës ekonomike, dritarja për një marrëveshje po mbyllet. Megjithëse objektet e magazinimit janë plot dhe moti i ngrohtë ka ulur çmimet e gazit, problemi nuk është zhdukur. Rreziku që embargoja ruse e gazit do të shkaktojë ndarje të thella dhe gjithnjë e më të rrënjosura brenda BE-së mbetet shumë serioz. Dështimi për të vepruar së bashku do të dërgonte një sinjal katastrofik

Paris – Tetë muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian mbetet mjerisht i ndarë në përgjigjen e tij të politikës energjetike. Në samitin e tyre të fundit, më 20-21 tetor, liderët e vendeve anëtare të BE-së kaluan orë të tëra duke u grindur me njëri-tjetrin. Në fund ata lëshuan një komunikatë zyrtare duke pranuar thjesht se “përballë armatizimit të energjisë nga Rusia, Bashkimi Evropian do të mbetet i bashkuar për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset e tij dhe për të marrë masat e nevojshme si çështje urgjente”. Por, i vetmi vendim i rëndësishëm që ata kishin arritur ishte rritja e blerjeve të përbashkëta të gazit – dhe madje kjo erdhi me paralajmërime gjymtuese.

Divergjencat e politikave në Evropë nuk janë të rralla. Por, kur COVID-19 goditi, u deshën vetëm rreth tre muaj që Franca dhe Gjermania të hartonin një propozim të përbashkët shpëtimi dhe rimëkëmbjeje, dhe dy muaj të tjerë që shtetet anëtare të bien dakord për skemën përkatëse të përbashkët të huamarrjes së BE-së. Dhe kur erdhën vaksinat, pothuajse nuk pati ndonjë argument nëse ato do të bliheshin bashkërisht dhe të shpërndaheshin në mënyrë të barabartë, në proporcion me popullsinë.