OpEd

Java kur Putini mori një goditje të rëndë

Ushtria ukrainase po përparon në dëbimin e pushtuesve rusë, Europa dhe krejt Perëndimi po qëndrojnë në kundërshtimin e agresionit rus, muri i sanksioneve nuk po rrëzohet, siç shpresonte Kremlini. Tani edhe shtete si Kina dhe India tërthorazi po ia bëjnë të qartë Vlladimir Putinit se duhet t’i japë fund luftës. Diktatori rus tani duhet të vendosë: të eskalojë konfliktin apo të tërhiqet disi nga Ukraina duke i dhënë shans negociatave. Rreziku është i madh që të vendosë për eskalim. Por çmimi do të jetë edhe më i lartë për të.

Kjo javë ia tregoi kufijtë Vlladimir Putinit. Përparimi i dukshëm i ushtrisë së Ukrainës në betejën për të përzënë pushtuesit rusë ka shkaktuar pasiguri deri në qarqet më të larta të Kremlinit. Kur më 24 shkurt të këtij viti Putini vendosi të sulmojë Ukrainën, ai dhe regjimi i tij ishin të bindur se në Kiev do të instalonin një qeveri marionetë. Rezistenca e ukrainasve i dha një leksion të mirë hegjemonisë ruse. Rusët nuk u pritën me lule, por me plumba!

Sukseset e ushtrisë ukrainase në lindje të vendit janë spektakulare, por nuk janë vendimtare. Putini mund të eskalojë sulmet kundër Ukrainës. Sulmet e ditëve të fundit kundër infrastrukturës kritike si rrjeti energjetik në Ukrainën lindore tregojnë nervozizmin e lartë të palës ruse.

Edhe një pritje tjetër e Putinit nuk u bë e vërtetë. Ai llogariste se europianët herët apo vonë do të përçahen dhe muri i sanksioneve do të bie. Deri më tani Bashkimi Europian po qëndron, e pas BE-së edhe SHBA-të dhe Britania e Madhe, dy akterë të rëndësishëm dhe vendimtarë në përkrahjen e Ukrainës.

Putini shpreson dhe kalkulon se reduktimi i furnizimit me gaz të amvisërive në Europë mund të shkaktojë tensione në shoqëritë europiane. Kjo nuk përjashtohet, por gjasat nuk janë të mëdha. Aleatët e Putinit në Europë janë Viktor Orbani i Hungarisë dhe Aleksandar Vuçiqi i Serbisë – dy autokratë me kapacitet të kufizuar për të sfiduar Perëndimin. Shpresa e Putini është se pas një jave në Itali do të fitojnë partitë proruse. Anketave u prin një parti neofashiste, e cila po përpiqet të tregohet besnike ndaj idealeve transatlantike. Pas Luftës së Dytë Botërore Washingtoni i kishte përkrahur me miliona dollarë partitë demokristiane në Itali për të pamundësuar triumfin e komunistëve. Në vitin 2022 SHBA-të po përpiqen prapë t’i bëjnë presion të djathtës radikale italiane të mos braktisë taborin transatlantik.

Këtë javë Putini u përball edhe me një front tjetër. Kina dhe India, dy shtete të fuqishme, të cilat kanë shtuar blerjet e gazit dhe naftës ruse, befas dërguan sinjale kritike ndaj Putinit. Kryeministri i Indisë Nerendra Modi në një samit në Samarkand të Uzbekistanit tha se kjo “nuk është kohë e luftës”. Njëkohësisht presidenti i Kinës Shi Xhinpin i garantoi Kazakistanit se Pekini do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi nëse do të ketë “interferim nga çfarëdo force”. Në Kazakistan jeton një pakicë e madhe ruse. Mesazhi i liderit kinez drejtohet në radhë të parë kundër Rusisë. Putin e pranoi se Shi Xhinpin ka “pyetje dhe dilema” sa i përket luftës në Ukrainë.

Nga mesi i javës në mediat sociale qarkulloi një incizim ku shihet Jevgeni Prigoshin, aleati i nacionalistëve serbë dhe shefi i grupit paramilitar rus Wagner, duke u bërë thirrje të burgosurve rusë që të kyçen në luftë. Sipas tij, kush i mbijeton 6 muaj në luftë, pastaj do të gëzojë amnisti. Ky apel bizar është sinjal i qartë se Rusia ka probleme me mobilizimin e trupave kundër Ukrainës. Kjo javë nuk paraqet kthesën vendimtare në luftën e Ukrainës për mbijetesë, por e pamohueshme është që Putini mori një goditje të rëndë.