OpEd

“Ballkoni i Hapur” i Kurtit e “Ndeshja e Shtalbave” për diasporën

Diaspora vërtitet në mendjet e gjithsecilit vetëm verës. Por, për ta asgjë nuk ndryshon. E vetmja gjë më ndryshe, që është vërejtur së fundi është shtimi i aktiviteteve të partive politike në diasporë. Garë më e madhe është zhvilluar midis PDK-së e LDK-së, zyrtarët e të cilave kanë postuar njoftime në rrjetet sociale, duke treguar se po i konsolidojnë degët e tyre në diasporë

Të gjithëve në Kosovë vetëm gjatë stinës së verës u bie mend për diasporën. Pritjet e tyre në pikëkalimet kufitare zënë vend në media, sikurse dasmat e tollovitë, që krijohen me ardhjen e tyre. Gjatë kësaj kohe, edhe institucionet angazhohen që sado pak t’ua bëjnë qejfin me organizmin e disa aktiviteteve, që shumica janë veç sa për sy e faqe. Një e tillë ishte edhe pritja e organizuar për bashkatdhetarët në ballkonin e objektit të kryeministrisë. Kryeministri Kurti, duke ironizuar me iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, u tha atyre në takim se e ka mirëpritur iniciativën e stafit, që ta bëjë “Ballkonin e Hapur”.

Pas saj, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar edhe për një takim tjetër të çuditshëm me mërgimtarë. Në Ferizaj është paralajmëruar “Ndeshja e Shtalbave”. Aty është thënë se do të marrin pjesë edhe kryeministri e ministrat dhe deputetët e kësaj partie. Për dallim prej viteve të kaluara, kur aktivitetet gjatë kësaj kohe organizoheshin nga komunat, sivjet ato janë centralizuar nga qeveria e po quhen “Karvani i diasporës”. Por asgjë nuk ka ndryshuar për diasporën. Diaspora vazhdon të jetë e rëndësishme vetëm për remitencat. Deri më tash, shumica e premtimeve për ta nuk janë përmbushur.

Ligji i ri për diasporën ende nuk është dërguar në Kuvend. Iniciativa rreth ndryshimit të ligjit për zgjedhje mbeti e harruar e me rimbursimin për kartonin e gjelbër, u shtua burokracia.

Shumë qytetarë nga diaspora patën marrë rrugë, për të ardhur edhe fizikisht në Kosovë në 14 shkurtin e vitit 2021, për të votuar për partinë, që tashmë po udhëheq me pushtetin në Kosovë. Nëpërmjet votimit me postë, por edhe duke ardhur fizikisht në Kosovë, diaspora masivisht ka votuar Vetëvendosjen, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit e siguroi mbështetjen e 50.28 për qind të elektoratit. Për diasporën, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje pati premtime të mëdha në fushatë. Ndër to ishte heqja e kartonit të gjelbër, ligji i ri për diasporën e ndryshimi i ligjit për zgjedhjet, që do t’ua mundësonte votimin nëpër ambasada. Edhe kur e mori detyrën si i pari i ekzekutivit në fokus të programit të Vetëvendosjes, u përmend prapë diaspora. Sipas Kurtit, roli i mërgatës në ekonominë e Kosovës ka qenë i madh porse ka potencial shumëfish më të madh për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen aktive në zhvillimin e Kosovës.

“Nuk do të ketë karton të gjelbër më për mërgatën”, kishte premtuar Kurti.
Në seancën e parë plenare të legjislaturës së tetë, më 2 prill 2021, ditën kur pritej edhe të votohej për presidenten Osmani, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi se kishte proceduar për në kryesinë e Kuvendit amendamentin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ligj ky, që do t’i mundësojë diasporës së Republikës së Kosovës të votojë në ambasadat e Republikës. Kritika të shumta kishte nxitur si nga opozita ashtu edhe shoqëria civile, nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për amendamentin brenda një dite të Ligjit për Zgjedhjet. Meqë në atë kohë Kuvendi nuk u pajtua, që ndryshimet të kalonin me procedurë të përshpejtuar, e tërë ajo ka mbetur vetëm si nismë fillestare.

E më 29 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës vendosi që t’i rimbursojë policat kufitare për kosovarët, që jetojnë jashtë vendit. Mirëpo për t’u realizuar kjo, atyre u duhet që ta kenë një llogari bankare në Kosovë ose që mjetet të transferohen te ndonjë familjar i tyre, që ka xhirollogari bankare në vendin tonë. Këtë çështje shumica prej tyre kanë thënë se e shohin si lojë me ta. Madje disa të tjerë e shohin si ofendim që për 20 ose 30 euro të hapin llogari bankare në Kosovë. Në vend se t’u bëjë lehtësime, ashtu siç ishte premtuar, ekzekutivi vendosi që për ta të shtonte burokracinë. Mbase me këtë u mendua se do të kurseheshin disa para, duke u hamendësuar se shumica e tyre as që do ta merrnin mundin të hapnin llogari për rimbursim, ngase vetëm mirëmbajtja vjetore e asaj llogarie u kushton sa rimbursimi.

Ligji i ri për Diasporën, që konsiderohet si jetik për t’i mirëmbajtur lidhjet me mërgimtarët, ende nuk është dërguar në Kuvend. Edhe kjo iniciativë e ekzekutivit është e vonuar ngase me të do të orientohej më lehtë tërheqja e kapitalit të diasporës për investime. Ky ligj po ashtu do të kishte ndikim në aspektin ekonomik, social e integrues të vendit. Por, ajo çfarë është parë deri më tash është mungesa e koordinimit ndërinstitucional sa i përket angazhimit të diasporës. Në këtë aspekt është shumë me rëndësi që të qartësohen përgjegjësitë e secilit institucion, që punon me diasporën. Po ashtu, përfaqësimi i mërgimtarëve në institucione deri tani ka lënë shumë për të dëshiruar. Të gjitha subjektet politike thonë se mërgata duhet të jetë pjesë vendimmarrëse e zhvillimit dhe e proceseve në Kosovës, por që nuk kanë treguar vullnet, që këtë çështje ta shtyjnë përpara. E diaspora vazhdon që ende të mos ketë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Bono e Thesarit ishte një premtim tjetër i kësaj qeverie për diasporën. Në korrikun e vitit të kaluar, ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, pati njoftuar se mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe gjashtë bankave komerciale ishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për emetimin e bonove të dedikuara për diasporën. Vlera e këtyre bonove do të jetë 20 milionë euro. Ministri në atë kohë pati thënë se bonot e thesarit dedikuar diasporës janë si letrat me vlerë, që do të thotë se investimi është i garantuar nga Kosova, kurse fitimi, që gjenerohet është i liruar nga tatimi. 10.4 milionë euro u investuan në bonot e thesarit nga diaspora e Kosovës për kohën sa kjo thirrje ishte e hapur. Por, shumën e investuar në Bonot e Thesarit nga diaspora kosovare e ka konsideruar shumë të ulët organizata “Germin”. Madje, kjo organizatë, që target ka diasporën, pretendon se investimi i parave të mbledhura nga bonot kanë shkuar në vendin e gabuar.

Mërgata vazhdon të jetë njëra nga burimet kryesore e financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Botërore tregojnë se që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, mërgata ka dërguar 13.3 miliardë euro. Edhe në kohën e krizës globale nga COVID-19, diaspora ka dërguar 1 miliard e 143 milionë euro. Ndërsa në pesë muajt e parë të vitit 2022, janë dërguar 445.4 milionë euro.

Megjithëkëtë, Diaspora vërtitet në mendjet e gjithsecilit vetëm verës. Dhe prapë për ta asgjë nuk ndryshon. E vetmja gjë më ndryshe, që është vërejtur së fundi është shtimi i aktiviteteve të partive politike në diasporë. Garë më e madhe është zhvilluar midis PDK-së e LDK-së, zyrtarët e të cilave kanë postuar njoftime në rrjetet sociale, duke treguar se po i konsolidojnë degët e tyre në diasporë.