Vështrime

Kosova dhe Shqipëria është dashur të ishin konsistente ndaj Dick Martyt dhe Gjykatës Speciale

Krijimi i Gjykatës Speciale është një prej dëmeve më të mëdha që i është bërë Kosovës, e që nuk mund të zhbëhet. Shqipëria ka hise edhe në këtë dhe është dashur të ishte edhe ajo konsistente. Sidomos pasi pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty ishin se krimet më të tmerrshme ishin bërë në territorin e Shqipërisë. Liderët e Kosovës, përfshirë edhe ata që janë sot në paraburgim në Hagë, ani pse as pas 2 vjetësh nuk është nisur gjykimi, kanë pasur luhatje në qëndrime, duke shkuar nga paralajmërimet për padi ndaj Dick Martyt, e deri te mburrja në Bruksel se ata janë kampionë të krijimit të Gjykatës Speciale. Për fat të keq, në Kosovë dhe Shqipëri ndasitë politike inatet mes forcave politike janë më të fuqishme sesa bashkëpunimi për interesat kombëtare

Kosova nuk është dashur kurrë të pranonte, për asnjë çmim, krijimin e Gjykatës Speciale. Secili lider politik është dashur të jepte dorëheqje në rast se do të ishte përballë ndonjë presioni të madh nga miqtë ndërkombëtarë. Dhe nuk ka çmim për të cilin do të duhej pranuar krijimi i një gjykate të tillë. Sepse krijimi i kësaj Gjykate i ka lënë Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, një njollë të madhe, të pashlyeshme historike, pa marrë parasysh se cili do të jetë epilogu i fundit i rasteve që pritet të gjykohen në të. Aq më pak, Kosova është dashur të pranojë që ajo të quhet “e Kosovës”. Statusi i kësaj Gjykate, e cila e ka emrin sikur të ishte një agjenci që lëshon dhoma me qira për pushime - “Dhomat e Specializuara të Kosovës” - është temë në vete. Por ajo që është dashur të ndodhte ka qenë një konsistencë e Kosovës dhe e Shqipërisë rreth pretendimeve të ish-senatorit kontrovers nga Zvicra, Dick Marty.

Por pasi as Kosova e as Shqipëria nuk kanë qenë vende ku i besohej drejtësisë, ku mbrohen dëshmitarët, ku prokurorët dhe gjykatësit dëshmojnë se askush nuk është mbi ligjin, e në rastin e Kosovës kishte dështuar edhe vetë misioni i BE-së në këtë fushë, liderët e këtyre shteteve duket se nuk kanë gjetur fuqi të kundërshtojnë Dick Martyn dhe pretendimet e tij.