Përmbajtja, praktika dhe problemet me parimin e ligjshmërisë
Sundimi i ligjit
Ligjshmëria përbën bërthamën e konceptit të sundimit të ligjit. Është kërkesa dhe praktika pa të cilën sundimi i ligjit do të ishte thjesht iluzor. Një prej artikulimeve më autoritative ku sundimi i ligjit gjen shprehje është lista e kontrollit të studimit të ligjit, e zhvilluar dhe miratuar nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës (Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit). Kjo listë përbëhet prej pesë komponentëve dhe ka këtë përmbajtje: (1) ligjshmëria; (2) siguria juridike; (3) parandalimi i shpërdorimit apo keqpërdorimit të pushtetit; (4) barazia para ligjit dhe jodiskriminimi; dhe (5) qasja në drejtësi.
Pavarësisht ngjyrimeve relative të konceptit, që mund të jenë krijuar prej regjimeve apo traditave të ndryshme ligjore (p.sh., shprehje gjuhësore dhe jo vetëm, si Rule of Law, Etat de droit, Rechtsstat, Stato di Diritto, Estado di Derecho), përmbajtja e konceptit të sundimit të ligjit të Komisionit të Venecias paraqet bërthamën e nocionit të sundimit të ligjit, siç ajo është mishëruar në këto tradita të ndryshme.
Përmbajtja e parimit të ligjshmërisë
Ligjshmëria pra përfaqëson një parim themeltar të sundimit të ligjit. Duke qenë kështu, ligjshmëria, gjithashtu, qëndron në themelet e një demokracie funksionale. Thelbi i kuptimit të parimit të ligjshmërisë lidhet me epërsinë ose supremacinë e ligjit. Kjo nënkupton se të gjitha veprimet e autoriteteve shtetërore janë të mbështetura dhe në pajtim me ligjin ose, ndryshe, të autorizuara nga ligji. Ky parim nënkupton po ashtu se çfarëdo përjashtimi ose shmangie duhet të jetë e përcaktuar në ligj. Ideali themelor i ligjshmërisë është prania e kufizimeve efektive ligjore ndaj ushtrimit arbitrar të pushtetit ekzekutiv ose administrativ.
paraqitje në formë të përmbledhur e komponentëve të patjetërsueshëm të parimit të ligjshmërisë do të ishte: (1) epërsia ose supremacia e ligjit (duke ndjekur hierarkinë e normave); (2) zbatimi i ligjit; dhe (3) autorizmi i veprimit shtetëror nga ligji (dhe veprimi brenda kufijve të këtij autorizimi, duke respektuar të drejtën në përmbajtje dhe procedurë). Një paraqitje alternative, në formën e pyetjeve testuese, siç është zhvilluar nga Komisioni i Venecias, do të kishte këtë dukje: (a) A është siguruar pajtueshmëria e legjislacionit me Kushtetutën?; (b) A është veprimi i degës ekzekutive në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e tjera; dhe (c) A janë miratuar rregulloret (ose aktet inferiore ligjore) në zbatim të ligjeve pa vonesa dhe brenda kohës së përcaktuar në legjislacionin parësor.
e ligjit nënkupton në radhë të parë pajtueshmërinë e legjislacionit me Kushtetutën dhe pajtueshmërinë e veprimeve të degës ekzekutive me Kushtetutën dhe ligjet e tjera. Së dyti dhe përtej pajtueshmërisë formale të akteve në renditjen e tyre hierarkike, parimi i ligjshmërisë në thelb të tij ka zbatimin e ligjit. Çështja e zbatueshmërisë, në anën tjetër, është çështje që më së miri mund të vlerësohet në kontekst të problemeve dhe situatave reale. Për të krijuar një lloj ideje, megjithatë, një sistem kompleks, konfuz ose i paqartë ligjor mund të jetë pengesë për zbatim të ligjit. Së treti, në bërthamën e tij, parimi i sundimit të ligjit kërkon që veprimi shtetëror duhet të jetë i autorizuar nga ligji. Kjo nënkupton detyrimin që zyrtarët publikë, në ushtrimin e funksioneve të tyre, duhet të kenë autorizim për të ushtruar funksionet e tilla dhe se këto funksione (pra, shtirja e përmbajtja e tyre) duhet të jenë të definuara me ligj.
Në mënyrë të veçantë, ka një imperativ edhe më të ngutshëm që ushtrimi i pushtetit të autoriteteve publike që ndikon në të drejtat themelore të njeriut ka bazë ligjore, e cila duhet të jetë konkrete, e qartë dhe e parashikueshme. Një kërkesë e tillë del qartë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika e pasur e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ligjshmëria dhe Kosova
Parimi i ligjshmërisë është i kodifikuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të vitit 2008. Përkufizimi shprehimor kushtetues i këtij parimi është më i ngushtë, duke qenë i lidhur me ligjshmërinë dhe proporcionalitetin në rastet penale. Megjithatë, tërësia më e gjerë e parimeve dhe vlerave kushtetuese të mishëruara në tekstin e Kushtetutës, përfshirë këtu sundimin e ligjit, ofron një dëshmi më të qartë e të qëndrueshme të pranisë së një premise themelore për parimin e ligjshmërisë. Në të vërtetë, Kushtetuta është e qartë dhe përmban dispozitë shprehimore për një prej komponentëve të këtij parimi, që është çështja e epërsisë së saj në relacion me aktet e tjera. Sipas nenit 16(1), “Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës. Ligjet dhe aktet e tjera juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë.”
Ky përcaktim formal merr kuptimin e duhur e të plotë kur shihet edhe nga perspektiva operacionale, mbase sfida kryesore e parimit të ligjshmërisë, por edhe e vetë sundimit të ligjit në përgjithësi. Prandaj, ideja është që në vijim të ofrohet një pamje ilustrative për aspektin e zbatimit të parimit të ligjshmërisë në Kosovë.
Në parim, një observim i përgjithshëm empirik i gjendjes në Kosovë çon te një rezultat, që nuk flet për ndonjë model mangësish të një përmase më domethënëse dhe strukturore. Por, një shqyrtim me i kujdesshëm, mikroskopik i situatës, qartazi vë në pah papërsosmëri dhe praktika që bien në kundërshtim me kërkesat e parimit të ligjshmërisë. Një ndërmarrje e gjerë vlerësimi e Zyrës Ligjore të Qeverisë, ka ardhur në përfundimin, për shembull, se nga 1,762 aktet nënligjore të miratuara nga ministrat si autoritete individuale të Qeverisë—që prej themelimit të saj e deri në dhjetor të vitit 2021—289 akte nënligjore janë pa bazë ligjore. Kjo situatë është trajtuar me një vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 23 dhjetor 2021, i cili shfuqizon këtë kategori të akteve nënligjore. Një ndërmarrje e tillë e pastrimit ligjor është bërë edhe në të kaluarën. Kësisoj, përfundimi që mund të nxirret është se, veprimet e tilla, kanë prirje që të rishfaqen dhe prandaj sfida e njëkohësisht rekomandimi i natyrshëm është të siguruarit se asnjë akt nënligjor nuk nxirret pa praninë e një baze ligjore, që ofron autoritet të duhur për nxjerrjen e aktit. Duhet vërejtur në këtë drejtim që ka situata të një shkalle më pak drastike sesa mungesa e plotë e autorizimit ligjor, por që megjithatë dështojnë të plotësojnë në tërësi dhe me rigorozitet kërkesën e parimit të ligjshmërisë: ta zëmë, rastet kur autorizimi ligjor është joshprehimor, i përgjithshëm dhe/ose i paqartë. Përfundimisht, parimi i ligjshmërisë, njëlloj sikur të gjithë komponentët e tjerë të sundimit të ligjit, duhet të jetë pjesë e një kornize të zbatueshme, e cila është subjekt i përmbajtjes, detyrave, sfidave dhe strategjive të identifikueshme e të matshme objektivisht.
(Ky publikim është pjesë e projektit me titull "Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).