Vështrime

T’i llogarisim gjërat që kanë rëndësi

Nëse të gjitha vendet do t’i përcillnin rregullisht këta katër tregues, do të kishim një pamje shumë të ndryshme të performancës krahasuese ekonomike nga ajo që del nga matjet e thjeshtuara të GDP-së për frymë ose të përgjithshme. Kurse ndërgjegjësimi i publikut për këtë pikëpamje të rishikuar të realitetit mund ta mobilizojë fare mirë mbështetjen për politika të ndryshme themelore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar

Mexico City – Pavarësisht problemeve të njohura me përdorimin e produktit të brendshëm bruto si tregues i zhvillimit njerëzor, politikëbërësit në mbarë botën duket se janë ende të fiksuar pas tij. Qeveritë kërkojnë ta nxisin rritjen e GDP-së me të gjitha mjetet e mundshme, shpesh pavarësisht pasojave më të gjera për planetin. Fokusi aktual në rritjen tremujore reflekton një perspektivë veçanërisht të pashëndetshme, afatshkurtre. E megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe organizata të tjera shumëpalëshe i referohen GDP-së në të gjitha vlerësimet e performancës ekonomike dhe e bëjnë atë fokusin e vetëm të parashikimeve të tyre.

Mirëpo, koncepti i GDP-së është thellësisht i gabuar. Shifrat agregate, ose për frymë janë padyshim qorre ndaj shpërndarjes së të ardhurave dhe GDP-ja është gjithnjë e më e paaftë për të matur cilësinë e jetës dhe qëndrueshmërinë e ndonjë sistemi të veçantë të prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit.