Vështrime

Zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë si projekt politik i ndërtimit të paqes

Sikur Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia të kishin dashur para vetëm pesë muajsh të dorëzonin kërkesën për anëtarësim në BE, me siguri se do të merrnin këshilla që të mos e bënin një gjë të tillë. Sepse këto shtete, thoshin në BE, kanë “aspirata evropiane”, por BE-ja nuk u ka premtuar dhe nuk do të merr përgjegjësi për t’iu premtuar “perspektivë evropiane”.

Rekomandimi për dhënien e statusit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, dhënien e “perspektivës evropiane” për Gjeorgjinë, dëshmon se në BE, kur ka vullnet politik, vendimet mund të merren me shpejtësi të madhe edhe në procesin e zgjerimit. Ajo që dikur dukej si e pabesueshme, u bë e mundshme. Një kthesë e tillë e të menduarit në BE, e nxitur nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, mund të shfrytëzohet për të lëvizur më shpejt integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE

Sikur Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia të kishin dashur para vetëm pesë muajsh të dorëzonin kërkesën për anëtarësim në BE, me siguri se do të merrnin këshilla që të mos e bënin një gjë të tillë. Sepse këto shtete, thoshin në BE, kanë “aspirata evropiane”, por BE-ja nuk u ka premtuar dhe nuk do të merr përgjegjësi për t’iu premtuar “perspektivë evropiane”.

Prapa këtyre dallimeve semantike qëndronte një politikë e krijuar për shumë vjet në BE rreth të ardhmes së procesit të zgjerimit. Sipas kësaj qasjeje, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të anëtarësimit në BE, por me këtë përfundon obligimi që BE-ja merr në procesin e zgjerimit. Natyrisht, këtu nuk llogariten vendet e pasura dhe të zhvilluara perëndimore si Zvicra, Norvegjia apo Islanda. Ato nuk duan, dhe sikur të donin do të mund të integroheshin shpejt në BE.