Pa qasje në informacion të saktë dhe objektiv nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme lokale. Fakti që demokracia është e vetmja lojë në qytet në nivel kombëtar, është një siguri e vogël për ata që jetojnë në një shtet apo provincë të sunduar nga një autokrat lokal
Një dramë makabre politike u zbulua së fundmi në provincën filipinase të Palawanit, ishull i njohur kryesisht për biodiversitetin e pasur dhe plazhet e paprekura. Më 9 maj, Joel T. Reyes, organizatori i dyshuar i vrasjes së vitit 2011 të transmetuesit të njohur të radios, Gerry Ortega, kandidoi sërish për guvernator. Sikur Reyes të kishte fituar, mundësitë që familja e Ortegës të merrte drejtësi për vrasjen do të ishin pakësuar. Për fat të tyre ai humbi.
Ani pse episodet si vrasja e Ortegas mund të duken ekstreme, ato janë më të zakonshme nga sa mund ta kuptojnë të tjerët. Elitat e fuqishme autoritare lokale si Reyes, të mbështetura nga mjedisi politik që shpesh u garanton atyre mosndëshkimin, përbëjnë kërcënimin më vdekjeprurës për gazetarët.
Ortega u qëllua për vdekje pasi prej vitit 2002 deri më 2011, publikisht, e akuzoi për mashtrim Reyesin, guvernatorin e Palawan. Të gjithë të përfshirët në vrasjen e tij u arrestuan dhe pranuan vrasjen e gazetarit. Por, me gjithë provat e forta se Reyesi urdhëroi vrasjen, prokurorët u tërhoqën nga ngritja e akuzës ndaj tij.
Ndërmjetësi në skemë, Rodolfo Edrad, implikoi Reyesin si organizator dhe u bë dëshmitar i mbrojtur. Megjithatë, prokurorët gjetën se dëshmia e Edradit ishte e pavërtetuar. Prokurorët vendosën që SMS-të të dërguara nga Reyes tek Edrad pak para dhe pas vrasjes – duke përfshirë një mesazh ku shkruhej, “Shpresoj se pas kthimit tim, problemi të ketë mbaruar” – nuk mund të përdoreshin si provë sepse ato ishin “paraqitur jashtë kohe”.
Pasoi beteja ligjore prej dhjetë vjetësh midis familjeve të Ortegas dhe Reyesit. Një ekip prokurorial i sapoemëruar pranoi mesazhin me tekst si provë dhe rifilloi çështjen, pas së cilës Reyesi iku në Vietnam. Ani pse Gjykata e Apelit më vonë vendosi se trupi i dytë i Prokurorisë ishte i paligjshëm, një trup gjykues i ri i së njëjtës gjykatë urdhëroi në vitin 2019 që gjykimi të vazhdonte.
Mirëpo urdhri për arrestimin e Reyesit, i paraqitur në vitin 2021, u hoq përkohësisht, duke i mundësuar atij të bënte fushatë të hapur në zgjedhjet për guvernator. Ndërkohë, familja e Ortegas, avokatët e tyre dhe Zyra e Avokatit të Përgjithshëm kanë kërkuar zyrtarisht nga Gjykata Supreme që të urdhërojë arrestimin e menjëhershëm të Reyesit – hap i mbështetur nga organizatat globale për lirinë e shtypit.
Nëse shumë shpejt Reyesi ndiqet penalisht, ka implikime të rëndësishme për lirinë e shtypit në Filipine. Vendi aktualisht renditet i 147-i në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, jo vetëm për shkak të mungesës së sigurisë për gazetarët. Mosndëshkimi i përhapur ose mosndëshkimi i pjesshëm për vrasjet e tyre është shqetësim sigurie për të gjithë gazetarët në Filipine.
Organizatat, si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, kanë shprehur shqetësimin për efektin e mundshëm në lirinë e shtypit të fitores zgjedhore të presidentit Ferdinand “Bongdong” Marcos Jr. Mirëpo për shumë gazetarë, sidomos në vende të mëdha, të decentralizuara si Filipinet, të cilët kanë pushtetin në nivel rajonal dhe lokal, kanë po aq rëndësi – ose edhe më shumë. Në demokracitë e reja me institucione relativisht të dobëta, liderët autoritarë mund të sundojnë në mënyra që disa autokratë të nivelit kombëtar vetëm mund të ëndërrojnë. Klientelizmi dhe patronazhi u japin atyre mjetet për të fituar zgjedhjet dhe ndonjëherë për të grabitur burimet publike.
Ky fenomen ka qenë i dukshëm me dekada të tëra në Filipine, ku, për të marrë vetëm një shembull, familja Osmeña ka gëzuar epërsi prej dinastie në provincën Cebu. Por kjo ndodh edhe në vende të tjera. Në Meksikë, Partia Revolucionare Institucionale (PRI) kishte sunduar shtetin e Veracruzit për gati një shekull, kur Javier Duarte, guvernator prej vitit 2010 deri më 2016, u bë fëmija i partisë për korrupsion pasi përvetësoi miliona dollarë të parasë publike.
Në kontekste të tilla, gazetarë si Ortega janë shpresa e fundit e demokracisë. Udhëheqësit vendorë autoritarë ende kujdesen për imazhin e tyre, pasi humbja e fytyrës mund të bëjë që institucionet qendrore të ndërhyjnë. Klonimi dhe shpërndarja e versioneve të rreme të revistave të lajmeve kritike nga ish-Qeveria shtetërore e Quintana Roo në Meksikë ishte përpjekje e ngathët për të menaxhuar imazhin e saj dhe për të heshtur mospajtimin. Vrasja e gazetarëve me urdhër të elitave të tilla është pika më e zymtë në vazhdimësinë e represionit.
Pa qasje në informacion të saktë dhe objektiv nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme lokale. Fakti që demokracia është e vetmja lojë në qytet në nivel kombëtar është një siguri e vogël për ata që jetojnë në një shtet apo provincë të sunduar nga një autokrat lokal. Për shembull, në Veracruz, nën administrimin e Duartes, 18 gazetarë u vranë pothuajse pa u ndëshkuar plotësisht dhe prokurorët e shtetit janë akuzuar se kanë torturuar një punonjëse seksi vendase për të rrëfyer në mënyrë të rreme vrasjen e gazetares Regina Martínez Pérez.
Nuk është për t’u habitur që si institucionet ekzekutive, ashtu edhe ato gjyqësore, janë të dobëta në mjedise të tilla – si mund të dilnin ndryshe këta pushtetarë autoritarë vendas? Në rastin Ortega në Filipine, akuzat për ryshfet brenda gjyqësorit janë të shumta.
Ndërsa është e vështirë të zbulohet se si dhe nga kush është vrarë një gazetar, vlerësimi i qëllimeve të sakta të autoriteteve lokale gjatë një hetimi mund të jetë edhe më i ashpër. Një zgjidhje e mundshme është krijimi i organeve të pavarura prokuroriale për të hetuar vrasjet e gazetarëve dhe për të monitoruar zbatimin lokal të udhëzimeve të Kombeve të Bashkuara për prokurorët për rastet e krimeve kundër gazetarëve. Por përpjekje të tilla kërkojnë vullnet politik nga qeveritë qendrore.
Një mënyrë tjetër për të luftuar mosndëshkimin për vrasjen e gazetarëve është përmes përpjekjeve të shtuara për të hetuar rastet e ftohta. Projekti “Një botë më e sigurt për të vërtetën”, bashkëpunim midis Free Press Unlimited, Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Reporterëve pa Kufij – aktualisht po kryen hetime të tilla. Gjetjet e reja ndonjëherë mund të çojnë në rihapjen e këtyre rasteve. Për shembull, një hetim për vrasjen e gazetarit pakistanez Zubair Mujahid rezultoi që familja – së bashku me avokatët – të depozitonin një peticion në Gjykatën e Lartë të Sindhit për të rihapur hetimin.
Udhëheqësit kombëtarë që sulmojnë mediat e pavarura – si ish-presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro dhe presidenti rus, Vladimir Putin – tërheqin më shumë vëmendje. Por, siç do ta konfirmojnë gazetarët në rrezik kudo, lufta lokale për lirinë e shtypit dhe demokracinë ka po aq rëndësi.
(Jos Midas Bartman është koordinator i Kërkimit për “Një botë më të sigurt për të vërtetën” në Free Press Unlimited. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore” Përktheu: Gent Mehmeti)