OpEd

Një natë e mirë për Evropën

Fitorja e Emanuel Macronit në Francë e shpëtoi edhe një herë Evropën nga kaosi, ndërsa Francën nga turpi. Por fakti se mbi 40 për qind e francezëve votuan për një kandidate si Le Pen është shqetësues. Forcat radikale kanë humbur, por ato nuk janë zhdukur. Në Bruksel besojnë se nëse fitojnë forcat proevropiane në Francë edhe në zgjedhjet në qershor, Parisi jo vetëm se do të vazhdojë të mbështesë procesin e zgjerimit dhe zgjidhjet e problemeve në Ballkanin Perëndimor, por do të jetë edhe më i angazhuar se deri më tash

Jo vetëm Brukseli, por shumë kryeqytete të tjera të Evropës ishin në ethe deri në orën 8 të mbrëmjes të dielën, duke pritur rezultatin e rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë. Edhe pse anketat parazgjedhore i jepnin përparësi presidentit të deriatëhershëm Emanuel Macron, ndihej një nervozë e madhe se mos kësaj radhe kandidatja e së djathtës ekstreme, Marin le Pen, do të fitojë.

Macron fitoi me një dallim më të madh sesa që pritej. Fitorja e Emanuel Macronit në Francë e shpëtoi edhe një herë Evropën nga kaosi, ndërsa Francën nga turpi. Por fakti se mbi 40 për qind e francezëve votuan për një kandidate si Le Pen është shqetësues. Forcat radikale kanë humbur, por ato nuk janë zhdukur.

Kjo fitore tash siguron një kontinuitet të politikës së Francës, edhe në nivelin nacional, por edhe në atë evropian dhe ndërkombëtar.

Macroni në fjalimin e tij pranoi se për të kanë votuar edhe ata që nuk e mbështesin, por kanë dashur ta parandalojnë fitoren e Le Pen. Edhe atyre iu falënderua.

I luti mbështetësit që të mos fishkëllejnë kur përmendi kundërkandidaten e tij, duke thënë se “Unë jam president i të gjithëve”. Tha se e kupton se ka përgjegjësi të mendojë edhe për ata të cilët zhgënjimi dhe hidhërimi i kanë çuar në krah të së djathtës ekstreme.

Fitorja e Macronit pak a shumë pritet të sjellë kontinuitet edhe në procesin e zgjerimit të BE-së dhe në politikën ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Po të fitonte Le Pen, jo vetëm zgjerimi do të pësonte goditje, por do të viheshin në pikëpyetje edhe të arriturat e deritashme të BE-së, sidomos lëvizja e lirë, vlerat liberale, politika e integrimit të imigrantëve, valuta e përbashkët dhe shumë standarde të tjera me të cilat mburret BE-ja. Fitorja e saj do të ishte një fitore edhe për forcat autoritare dhe të djathtën ekstreme në Evropë dhe gjetiu.

ishte një kandidate me lidhje të forta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, edhe pse në prag të zgjedhjeve, për interesa të fushatës, tentoi të distancohej nga ai, duke e dënuar agresionin ndaj Ukrainës. Ajo para zgjedhjeve fliste për largimin e Francës nga strukturat e komandës së përbashkët të NATO-s dhe donte lidhje më të forta me Rusinë.

Le Pen ishte e njohur për institucionet e Bashkimit Evropian, pasi ka qenë edhe deputete e Parlamentit Evropian. Por ka pasur gjithmonë qëndrime negative ndaj BE-së e në anën tjetër është akuzuar për keqpërdorim të mjeteve financiare.

Partia e Le Penit ka lidhje të forta edhe me qarqet nacionaliste në Serbi dhe në entitetin Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Anëtarë të partisë së saj kishin marrë pjesë edhe në manifestimin e ditës që entiteti i Republika Srpskas e kremton si ditë të saj, festë e cila ishte shpallur si ilegale nga bashkësia ndërkombëtare. Të njohura janë faktet edhe për marrje të ndihmave financiare nga qarqet ruse.

Franca do të ketë edhe zgjedhjet parlamentare pas disa javësh. Edhe ato do të jenë të rëndësishme, sepse presidenti ka nevojë edhe për mbështetje të shumicës parlamentare. Nga këto zgjedhje do të varet, po ashtu, edhe sjellja e Francës në procesin e zgjerimit.

Në Bruksel besojnë se nëse fitojnë forcat proevropiane në Francë edhe në zgjedhjet në qershor, Parisi jo vetëm se do të vazhdojë të mbështesë procesin e zgjerimit dhe zgjidhjet e problemeve në Ballkanin Perëndimor, por do të jetë edhe më i angazhuar se deri më tash. Edhe gjatë mandatit të parë të Emanuel Macronit si president, Franca ka qenë mjaft skeptike ndaj zgjerimit dhe nuk ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Macron kishte paralajmëruar se gjatë kryesimit të Francës me BE-në do të organizojë edhe një konferencë të veçantë kushtuar Ballkanit Perëndimor, në të cilën do të diskutohet për problemet specifike, sidomos për tensionet politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe për raportet mes Kosovës e Serbisë. Në të njëjtën kohë, Franca ka paralajmëruar edhe bashkëpunim më të madh me Gjermaninë për ta avancuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kohë të vështirë për Evropën dhe botën, dështimi i Marin le Penit të bëhet presidente e Francës erdhi si lehtësim. Prandaj edhe urimet për presidentin e rizgjedhur Macron nga Brukseli ishin të menjëhershme, me porosi se do të vazhdojnë forcimin e Evropës dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta.