Vështrime

Testi i Trustit

Tërheqja e 30% të kursimeve pensionale rrezikon sigurinë financiare të qytetarëve dhe nuk i ndihmon ekonomisë

Në vitet ‘60, psikologu Walter Mischel ideoi një eksperiment gjenial me fëmijët, i cili njihet gjerësisht si “Testi i Ëmbëlsirës” (ang: “Marshmallow Test”). Në këtë eksperiment, fëmijëve 4 deri në 6 vjeç iu vu përpara një ëmbëlsirë dhe iu dha mundësia që të konsumojnë ëmbëlsirën menjëherë, ose të presin 15 minuta dhe të marrin një ëmbëlsirë të dytë. Me këtë, eksperimentuesit dëshironin të provonin se fëmijët që arrijnë të shtyjnë “shpërblimin e menjëhershëm” do të jenë më të suksesshëm në jetë, në krahasim me ata që nuk munden me i rezistu 15 minuta një ëmbëlsire.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, studiues të tjerë përsëritën të njëjtin eksperiment me një grup më të gjerë fëmijësh dhe erdhën në konkludime më interesante: fëmijët e familjeve të varfra janë më të prirë që të konsumojnë menjëherë ëmbëlsirën dhe të mos presin më vonë. Kjo për faktin se përvoja e tyre i mëson se e ardhmja është e pasigurt dhe më mirë të kapet mundësia menjëherë.