Vështrime

Njeriu që jetoi vetëm një ditë e gjysmë

1.

Rrëfimi për një aristokrat shqiptar dhe shekullin që nuk e deshi

1.

Është një dorë e pianistit – gishtërinj të gjatë, përpjesëtim i vizatuar sikur për reklamë të dorëzave - që më bën shenjë se ku duhet të ulem, në rreshtin e parë të sallës së konferencave të hotelit në Lausanne, në konferencën e ekspertëve juridikë të të drejtave të njeriut të Evropës, atë vjeshtë të vitit 1995. Gishtërinjtë kishin marrë tabelën “Kosova”, përfaqësues i së cilës qesh ftuar, dhe e kishin vënë ngjitas me atë “Albania”, në rreshtin e parë të vendeve, të cilat qenë shënuar sipas alfabetit. Buzëqeshja e gjerë, me gojë dhe sy - e një adoleshenti që prishte tërë renditjen alfabetike të përfaqësimit për të na bërë bashkë në tavolinë - është e një burri që duhej të ishte dukur kështu kur i kishte mbushur pesëdhjetë dhe kishte vendosur që trupi dhe fytyra të mos shënonin më vitet e ardhshme - pesë, dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet, njëzet e pesë...