Vështrime

Siguria amerikane në hije të mësymjes së 6 janarit

Me normat politike të shkatërruara të Amerikës dhe fraksionizmin me nuancë dhune, a është çudi që vetëm 17% e demokracive të botës e shohin SHBA-në si një vend për t'u imituar? Është koha që amerikanët, ose të paktën ata që synojnë të përfaqësojnë SHBA-në në botë, ta shohin veten si të tjerët, pa justifikime dhe racionalizime

Përvjetori i sulmit të 6 janarit të 2021-tës në kryeqytetin e SHBA-së erdhi e shkoi, e shumë amerikanë janë të dëshpëruar fort që ndarja politike e vendit vetëm është thelluar. Megjithëse shumica e udhëheqësve të Partisë Republikane e dënuan sulmin në atë kohë, GOP-i që atëherë ka përvetësuar rrjetin e gënjeshtrave dhe falsifikimeve të ish-presidentit Donald Trump rreth zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat ai i humbi me shtatë milionë vota. Republikanët kanë refuzuar edhe të marrin pjesë në hetimin e Kongresit për këtë çështje.

Një vit pasi një president në detyrë u përpoq të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të drejta dhe të ligjshme, përpjekja për të identifikuar dhe ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës tani duhet të konkurrojë për vëmendje me krizat e tjera të sigurisë: trupat ruse që po grumbullohen pranë Ukrainës; Irani i afrohet pragut të shpërthimit bërthamor; dhe katastrofat humanitare në Afganistan dhe Jemen. Të ballafaquar me krejt këtë, udhëheqësit amerikanë do të tundohen të vendosin një vijë të ndritshme midis dhe jashtë vendit. Mirëpo nëse do të ndodhte kjo, do të ishte diçka edhe e rrezikshme, edhe e gabuar.