Popullsia dhe ekonomitë në rritje të rajonit tonë e bëjnë atë të domosdoshëm ndaj reagimit global të klimës. Nëpërmjet ETM-së, ne synojmë të tregojmë se si vendet mund të rrisin njëkohësisht investimet në energji të pastër dhe të reduktojnë emetimet. Vetëm duke punuar së bashku do të arrijmë në destinacionin tonë neto zero në Azinë Juglindore – gjetkë – më shpejt dhe në mënyrë më të drejtë
Udhëheqësit botërorë u mblodhën në Glasgou nëntorin e kaluar për të hartuar një shtegdalje që zbut efektet më të këqija të ndryshimit klimatik. Mirëpo derisa Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) ishte pa dyshim moment historik, shumica e vendeve sapo kanë filluar punën e tyre në përmbushjen e qëllimeve të reja për të reduktuar emetimet e dyoksidit të karbonit.
Kjo është arsyeja pse njoftimi i Bankës Aziatike për Zhvillim (ADB) dhe i qeverisë indoneziane e filipinase në COP26 ra në sy. Në fillimin e partneritetit tonë për një Mekanizëm Pilot të Tranzicionit të Energjisë (ETM), nuk po bënim një angazhim të paqartë për të arritur një qëllim të largët. Në vend të kësaj, ne formuluam së bashku një plan konkret për një iniciativë energjie të barabartë, të shkallëzuar, të përballueshme dhe të drejtë për të ndihmuar vendet aziatike të tërheqin ose ripërdorin gjysmën e termocentraleve të tyre me thëngjill dhe të rrisin varësinë e tyre në energjinë e pastër. ETM-ja është skema klimatike transformuese që e ka potencialin të bëhet programi më i madh në botë për reduktimin e CO2.
ETM-ja do të ndjekë qasje financiare për tërheqjen ose ripërdorimin e termocentraleve me thëngjill, ndërkohë që do t’i rrisë investimet në energjinë e pastër. Nga kjo strategji e dyfishtë do të përfitojnë komunitetet, investitorët, ekonomitë rajonale dhe mjedisi.
Megjithëse kostot e energjisë së pastër po bien me shpejtësi në shumë vende, shumë termocentrale me thëngjill operojnë sipas marrëveshjeve të sigurta dhe afatgjata të blerjes. E në Azi, këto termocentrale janë më të reja: rajoni është shtëpia e 90% të të gjitha termocentraleve me thëngjill nën 20 vjeç. Pa një ndërhyrje të politikës, ato fabrika nuk kanë gjasa të nxirren nga përdorimi në një afat të afërt. Çdo vit, ato do të mbeten aktive, do të rezultojnë në më shumë emetime të CO2 dhe do të largojnë kërkesën për energji të pastër dhe të rinovueshme.
ETM-ja do të përdorë një përzierje fondesh publike, private dhe filantropike për të anuar tregun në drejtimin e duhur – duke e tërhequr thëngjillin në fillim dhe duke krijuar kërkesën për më shumë energji të pastër. Ne vlerësojmë se ky model, në qoftë se zgjerohet në vetëm tri vende të Azisë Juglindore - Indonezi, Filipine dhe Vietnam – mund të tërheqin deri në 50% të termocentraleve të tyre me thëngjill gjatë dhjetë deri në 15 vjetët e ardhshëm. Kjo do të zvogëlonte emetimet vjetore të CO2 me rreth 200 milionë tonë, ekuivalente me heqjen e 61 milionë automjeteve nga rruga.
Ne e kemi parasysh që kalimi në një të ardhme me pak karbon e me energji të pastër duhet të funksionojë për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ETM-ja do të theksojë një tranzicion të drejtë dhe të barabartë të energjisë, duke ofruar asistencë teknike dhe rikualifikim për punëtorët, duke përfshirë punonjësit e industrisë së energjisë, posaçërisht gratë. Ne po angazhohemi në mënyrë aktive me OJQ-të, organizatat qytetare dhe palët e tjera të interesuara për të siguruar që asnjë komunitet apo punëtor të mos mbetet prapa në tranzicionin e gjelbër.
Qasja e ETM-së është unike dhe e pashembullt në rajonin e Paqësorit Aziatik. Skema shfrytëzon një autoritet thirrës - në këtë rast, ADB-në - për të bashkuar investitorët privatë, qeveritë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për të mbështetur një partneritet reciprokisht me përfitim të bazuar në transparencë dhe besim.
Për shkak se nisma drejtohet në rajon, ajo duhet të funksionojë për njerëzit dhe ekonomitë vendase – dhe kjo do thotë të sigurohet që energjia elektrike të mbetet e përballueshme. Duke katalizuar investimet e jashtme, ETM-ja do të zgjerojë projektet e energjisë së pastër pa kërkuar subvencione të reja nga qeveria. Kjo nënkupton se do t’i shtojë përpjekjet që qeveritë si e jona tashmë po ndërmarrin duke ndihmuar kështu në përshpejtimin e tranzicionit të energjisë së pastër të rajonit.
Për shembull, Filipinet njoftuan më parë një moratorium për termocentralet e reja me qymyr dhe Indonezia po synon të heqë gradualisht objektet e tilla pasi kërkon të bëhet neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2060. Dhe ndërkohë që ka pasur shumë thirrje për mekanizma të bazuar në treg për të adresuar tranzicionet drejt prodhimit të energjisë më të pastër, shumica kanë qenë jopraktike, shpesh duke dështuar në llogaritjen e duhur për barazinë dhe interesat e komuniteteve të përfshira. ETM-ja do ta zgjidhë këtë problem.
Duke shkurtuar ndjeshëm jetën e termocentraleve me thëngjill, ETM-ja do të zhbllokojë investime të reja për energji të qëndrueshme dhe të rinovueshme. Kjo do t'i bënte Indonezinë dhe Filipinet destinacione edhe më tërheqëse për projekte të pastra energjetike të shekullit të njëzet e një dhe do t'u jepte komuniteteve sigurinë energjetike që u nevojitet.
Në fund të fundit, beteja kundër ndryshimeve klimatike do të fitohet ose humbet në rajonin Azi-Paqësor. Ne kemi besim se modeli ETM jo vetëm që do të ndihmojë në zgjidhjen e sfidave të vetë rajonit, por gjithashtu mund të shkallëzohet dhe eksportohet në mbarë botën, duke fuqizuar vendet në zhvillim për të ndërmarrë kalimin nga lëndët djegëse fosile në energjinë e rinovueshme pa sakrifikuar objektiva të tjerë zhvillimi.
Popullsia dhe ekonomitë në rritje të rajonit tonë e bëjnë atë të domosdoshëm ndaj reagimit global të klimës. Nëpërmjet ETM-së, ne synojmë të tregojmë se si vendet mund të rrisin njëkohësisht investimet në energji të pastër dhe të reduktojnë emetimet. Vetëm duke punuar së bashku do të arrijmë në destinacionin tonë neto zero në Azinë Juglindore – gjetkë – më shpejt dhe në mënyrë më të drejtë.
(Masatsugu Asakawa është president i Bankës Aziatike për Zhvillim. Sri Mulyani Indrawati, ministër i Financave i Indonezisë, është kryetar i Koalicionit të Ministrave të Financave të G20 për Veprimin për Klimën. Carlos Dominguez është sekretar i Financave dhe kryetar i emëruar i Komisionit të Ndryshimeve Klimatike të Filipineve. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)