OpEd

Plumbat

Nuk më kishte shkuar në mendje se viti do të niste edhe me një vrasje shkaktuar brenda në familje. Në fakt, kurrë nuk e kam kuptuar se përse martesat që nuk funksionojnë duhen patjetër të mbahen me zor. Nuk e kam kuptuar se pse “marrja” dhe “fjalët e hallkut” janë më të rëndësishme se jeta e një qenieje njerëzore, më të rëndësishme se jeta e një gruaje

E përcollëm vitin me fishekzjarrë e të shtëna me armë. Nejse, unë e përcolla në gjumë të thellë, e “zhurmën” e pashë të ilustruar të nesërmen në FB. Sinqerisht, nga fotot nuk e dija nëse qyteti ishte mbuluar me mjegull apo me barut atë natë. E di që dritaret e banesës i mbylla mirë e mirë, si njëfarë mbrojtjeje psikologjike ndaj ndonjë plumbi qorr që do të mund të depërtonte.

Një plumb i tillë depërtoi nëpër kulmin e shtypshkronjës dhe fatmirësisht nuk e lëndoi e as nuk e mbyti askënd. Për nga forma, gjasat janë që plumbi është shkrepur nga kallashnikovi (kështu ma komentuan njohësit e armëve). Dhe kur ndalesh e mendon se pse duhet shkrepur në ajër kinse për gëzim, e ke zor ta gjesh përgjigjen. Nuk e di se çfarë kënaqësie është të bartësh e të shkrepësh armë. Kurrë nuk i kam dashur, tash i urrej edhe më shumë.

* * *

Bartja, me gjasë ilegale, e armës e shoi një jetë në Llaushë të Skënderajt. Bashkëshorti vrau bashkëshorten në ditën e parë zyrtare të punës (meqë të hënën e të martën nuk u punua, për shkak se festa ra për fundjavë). Dorasit iu sekuestrua një pistoletë me tre plumba brenda, kurse në shtëpi u gjetën gjashtë gëzhoja.

Burri u arrestua dhe u dërgua në mbajtje 48-orëshe. Vetëm të nesërmen prokuroria kërkoi që këtij t’i caktohej paraburgimi, ani se zyrtarisht është i dyshuar për vrasje.

Dy ditë pas vrasjes u bë e gjallë policia. Doli me një kumtesë për të thënë se e kishin marrë një thirrje për dhunë në familje më datën 1 janar. Kur bashkëshortët ishin dërguar në Stacionin e Policisë në Skënderaj, e ishin marrë në pyetje, policia thotë: “...te viktima nuk ishin vërejtur shenja dhune, e as e njëjta s'kishte potencuar se është rrahur nga bashkëshorti. Hetuesi kishte ftuar menjëherë përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion, ku prezent gjatë intervistimit ka qenë përfaqësuesi i QPS-së. Po ashtu menjëherë është kontaktuar edhe mbrojtësi i viktimave”.

Sipas policisë, proceduralisht krejt ka qenë në rregull, dhe çifti është kthyer në shtëpi. Katër ditë më vonë gruaja do të përfundonte në morg e burri në burg.

* * *

KOHA mbrëmë e publikoi një pjesë të një dokumenti të prokurorisë në të cilën thuhej diçka tjetër. Thuhej se e ndjera e kishte denoncuar burrin e saj për dhunë në familje, por që institucionet nuk e kishin marrë seriozisht.

Për më tepër, thuhej se bashkëshorti kishte tentuar ta vriste atë edhe para disa muajsh, e këtë dëshmi e kishte dhënë njëri nga fëmijët e çiftit. Kishte thënë se burri ishte përpjekur ta ngufaste me çarçaf, porse kjo ia kishte dalë të ikte.

Pos dhunës fizike, sipas dëshmisë së fëmijës, ky kishte ushtruar edhe dhunë psikike ndaj të ndjerës. I thoshte që të dilte nga shtëpia, ndërkohë që fëmijëve u thoshte se “nëna e tyre nuk vyente gjë”. E keqja në këtë rrëfim është se askush nuk fliste, krejt mbahej brenda, me shpresën se “bëhet mirë”.

Por nuk u bë mirë. Dhuna fizike e psikike vazhdoi, dhe më 1 janar gruaja më në fund e paraqiti në polici dhe me atë rast kishte deklaruar se burri i saj vazhdimisht i ka shkaktuar dhunë fizike e psikike, por nuk e kishte raportuar më herët se kishte menduar se do t’i kalonte dhe se nuk donte t’i linte fëmijët. Madje ajo kishte kërkuar edhe urdhër-mbrojtje për shkak se burri e kishte larguar nga shtëpia. Kjo iu ofrua nga institucionet përgjegjëse vetëm në ditën e vdekjes, kur tashmë gjithçka kishte marrë fund.

Komunikatën e Policisë tashmë e lexuat më lart.

* * *

Që tragjedia të jetë edhe më e rëndë u përkujdesën institucionet, që është dashur të ndërhynin. Në një postim në FB ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkroi:

Sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti të kualifikohet si "Dhunë në familje", por edhe përkundër kësaj, kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt, pra që dhunuesi të mbetet i lirë!

...Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar që lënda t’i dërgohej me email, në vend se të shkonte te viktima sa ishte në polici.

Dy gra që është dashur të vepronin për të mbrojtur jetën e tani të ndjerës dhe asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht!

Do të ketë të tillë që fjalinë e fundit të postimit të ministres do ta shohin si përzierje në kompetencat e gjyqësorit. Porse veprimi i të dyja zyrtareve është skandaloz. Pa paragjykuar, sepse nuk i di rrethanat, porse po e parafytyroj përtacinë e të dyja zyrtareve, që detyroheshin të punonin ditën e parë të Vitit të Ri, në vend se të rrinin në shtëpi, me familje, ushqim e muhabet. Fundja, ky do të ishte edhe një rast dhune, as i pari e as i fundit, dhe do të fashitej si plot të tjera... hajt o bo, se është Viti i Ri, hajt krejt nëpër shtëpi, se kalon edhe kjo.

Nuk e kemi idenë se çfarë ndodhi në katër ditët mes denoncimit dhe vrasjes, porse një gjë duket e sigurt: po t’i ishte ofruar mbrojtja me kohë, mbase sot ajo do të ishte gjallë.

Njëmend është shumë e pakuptueshme se si gratë mund të sillen në formë kaq neglizhuese ndaj rasteve të dhunës, posaçërisht ndaj grave. Masat ndaj këtyre dy zyrtareve edhe mbase mund të merren, porse jeta e gruas së vrarë nuk kthehet më.

* * *

Nuk do ta kisha imagjinuar se shkrimi i parë për sivjet do të ishte vazhdim i kolumnes së fundit të rregullt vjet, ku njësoj i përmenda rastet e dhunimeve dhe të vrasjeve ndaj grave që kishin ndodhur më herët në Kosovë.

Nuk më kishte shkuar në mendje se viti do të niste edhe me një vrasje shkaktuar brenda në familje. Në fakt, kurrë nuk e kam kuptuar se përse martesat që nuk funksionojnë duhen patjetër të mbahen me zor. Nuk e kam kuptuar se pse “marrja” dhe “fjalët e hallkut” janë më të rëndësishme se jeta e një qenieje njerëzore, më të rëndësishme se jeta e një gruaje. Është pa dyshim punë e mentalitetit, të cilin tashmë sa herë e kam përmendur, i cili mbizotëron në familje, institucione e në shoqërinë e Kosovës.

Dhe fakti se sot për çdo ditë mund të dëgjojmë për raste të dhunës në familje nuk do të thotë se në të kaluarën ato nuk kanë ekzistuar. Ka pasur edhe raste të vrasjeve makabre, porse në të kaluarën ato disi kanë kaluar heshtazi dhe pa bujë. S’ka dyshim se administrimi dhe trysnia e donatorëve ndërkombëtarë kanë bërë që për këtë fenomen të keq të flitet përherë e më shumë dhe që rastet të bëhen publike. Porse as administrimi i huaj e as donatorët nuk kanë arritur të ndikonin në mentalitetin e përgjithshëm e as në ndërtimin e një strukture që duhet të merret nergut me këto raste.

Pra, nëse institucionet, rast pas rasti, janë duke dështuar për t’i mbrojtur viktimat, ka diçka që nuk funksionon në sistemin tonë. Nuk ekziston vetëdija, e besa as struktura, e cila do të duhej ofruar ndihmë viktimave të dhunës, çfarëdo të jenë ato, pavarësisht gjinisë dhe moshës.

Kosova nuk do të ishte as shteti i parë e as i fundit që do ta themelonte një trup të veçantë që do të merrej me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, në të cilin do të bënin pjesë edhe policët, prokurorët e gjyqtarët që do të ishin trajnuar e vetëdijesuar për ndërhyrje në raste të këtilla. Ky trup do të duhej ndihmuar edhe nga psikologët, edhe nga ndonjë profesionist tjetër që do ta lehtësonte ofrimin e mbrojtjes, jo vetëm fizike, por edhe asaj psikike për viktimat.

* * *

Fillimi i vitit e shoi një jetë me gjashtë plumba. Dorasi thotë se nuk i kujtohet se e ka shkrepur armën. Avokati i tij ka kërkuar një vlerësim psikiatrik të klientit për shkak se beson se ky e ka kryer vrasjen “në gjendje të zvogëluar të aftësisë mendore”. Ndërkohë familjarët e dorasit deklarojnë “se gruaja ka qenë shumë e mirë, kurse i vëllai ka pasur probleme”, e megjithatë nuk kanë ndërmarrë gjë që dhuna në atë familje të mos ndodhte e të mos përsëritej. Nuk është larg mendsh që qëllimi i tyre në fakt është që dënimi në fund të jetë sa më i butë, për shkak të “gjendjes psikike” të burrit me pistoletë.

Dhe po, Kosova nuk është vendi i vetëm në botë ku ndodh dhuna në familje e ku ndodhin vrasjet për shkak të “xhelozisë” e të “kurvërisë” së grave, sepse nënkuptohet se gratë përherë kanë faj, prandaj edhe duhen ndëshkuar. Porse fakti mbetet se Kosova mund të bëjë shumë më shumë për parandalimin e dhunës e të vrasjeve në tokë të veten. E këtë punë duhet ta bëjnë institucionet e sundimit të ligjit dhe të arsimit, e posaçërisht këto të fundit, që duhen të jenë baza e ndryshimit të mendësisë që po na gërryen prej shekujsh.

flaka@koha.net