OpEd

Mëkati më i madh, solidarizimi me injorancën

Motoja e gabuar - nëse i padituri nuk arrin të ngjitet tek unë, atëherë unë do të zbres tek ai

Me apo pa qëllim, në fundvit Qeveria na solli “ekspertin gjerman” për të parë se ku qëndron problemi me turbinën e termocentralit “Kosova B”. Herë u tha se ai ka mbërritur këtu për të zbuluar shkaktarin/ët, e herë se ai, duke përfaqësuar prodhuesin e pajisjes nuk do t’i ndotë duart, por do të monitorojë procesin e riparimit, që do të bëhet nga “ekspertët kosovarë”.

Cilado që të jetë puna e tij (hetuese apo asistencë profesionale), përfshirja në ekspertizë ngre dy dilema – a është faktori njeri shkaktar i defektit, ashtu siç ngritën dyshime edhe zyrtarët e lartë të Qeverisë, apo kemi vërtet mungesë të ekspertëve për një sektor që është menduar se - edhe kemi traditë në këtë industri e edhe kapacitetet profesionale e shkencore.

Çfarë dihet edhe pa raportin e “ekspertit gjerman” është se problemi me energjinë është kronik – e shkaktarët, të njëjtit. Trajtimi i krizës nuk mund të bëhet pa strategji e pa riaktualizim të problemit, që përveç retorikës boshe të politikanëve, për vite është mbajtur i fjetur. Po ashtu nuk bëhet pa identifikuar perspektivën e burimeve energjetike dhe potencialet njerëzore – ata që e mbajnë peng prosperitetin e vendit dhe ata që mund të bëjnë të kundërtën.

Pasi i shteri debatet për zgjedhjet, tash për të komentuar çështjen e krizës me energjinë, javëve të fundit na janë shfaqur për të saten herë brenda muajit shumë ish-kryeministra, ish-ministra... Kanë folur e folur - një herë për gazin amerikan, e së fundi se si Qeveria e tashme, mashtruese siç e quajnë disa nga ta, ka dështuar t’i japë zgjidhje problemit të furnizimit. Kanë folur edhe për mosndërtimin e termocentralit të projektuar në qeverinë që drejtohej nga AAK (2004-2007), e që është finalizuar me kontratë po kur AAK-ja kishte kontrollin mbi ekzekutivin (2017-2019).

Përmbajtja e deklaratave dhe propozimeve nuk e vlen të komentohen, por çfarë shqetëson është se temat që kërkojnë ekspertizë dhe interpretime shkencore, na vijnë nga personat që më së paku janë kompetentë, e që në historinë e karrierës së tyre politike dhe partive që përfaqësojnë, vetëm për zgjidhje racionale nuk mbahen mend.

Po, s’kanë faj liderët dhe gramafonat e tyre. Për krizën si fenomen global që ka kontekst global gjeostrategjik e për energjinë si sektor kompleks e edhe shkencor, heshtin të “diturit”. Heshtin, meqë ose janë nën hijen e politikanëve, ose janë në anën e gabuar të problemit. Apo, edhe më keq, vazhdojnë të shprehin mirëkuptim e solidarizim me të paditurit, duke mos ua treguar vendin, e duke bërë mëkatin më të madh për shoqërinë në ato që mund të quhen “vitet e kthesës së madhe” nacionale.

Të diturit, që mund të mos jenë mjaft për nevojat e shoqërisë, duket se janë ngatërruar keq me strukturën e injorantëve, që për të përmbushur ambiciet e tyre, nga vitet e para të pasluftës i kanë kapur majat e institucioneve. Statusin në shoqëri injorantët e kanë përcaktuar jo mbi vlera e dijes, por të turmës dhe zhurmës. E për t’ua bërë më të lehtë, elitat i janë bashkuar atyre dhe turmës duke përdorur moton - nëse të paditurit nuk arrijnë të ngjiten tek unë, atëherë unë do të zbres tek ata.

Punë e madhe do të thoshte dikush që një doktor shkence bëhet këshilltar i një politikani analfabet. Apo se kjo është çështje e lirisë së zgjedhjes. Apo edhe më keq, siç më thoshte një avokat – ne shesim mend me pare.

Po bre po, por duke “zbritur” poshtë e duke u ndier komod në mesin e injorantëve, “elita” i ka bërë favore vetes, por dëm të shumëfishtë shoqërisë. Me veprimet e saj e ka degraduar statusin publik të njeriut të arsimuar; e ka relativizuar dobinë e të bërit shkencë; dhe më e keqja, ka promovuar logjikën se të paditurit janë të njëjtë me të diturit, dhe se ata që vijnë më pas, jomedoemos duhet të arsimohen.

Në një shoqëri normale, injorantët, edhe po të donin të “investonin” në afirmimin publik, nuk do të gjenin edhe një qytetar të vetëm normal që i bashkohet. E vetmja mundësi e tyre do të mbetej – bashkimi me sojin e tyre, aty ku ndihen më mirë dhe bëjnë më pak dëm.

Filozofi kinez Confucius (Konfuci), nja 500 vjet para erës së re ka interpretuar mjeshtërisht të paditurin dhe kategorizimin e tij.

“Kush nuk di, dhe nuk e di se nuk e di, është i rrezikshëm”, ka thënë ai, me sugjerimin që të shmanget ky soj i njeriut. Ata që nuk dinë, por janë të vetëdijshëm për mosdijen, Konfuci i ka quajtur fëmijë - ka këshilluar që t’i mësojmë ata. E ata që dinë, por s’e pranojnë se edhe nuk dinë, i ka konsideruar të fjetur – ka kërkuar që t’i zgjojmë. E thënë shkurt, injoranca, sipas tij, është mungesa e dijes.

Edhe të tjerë mendimtarë e religjione kanë diskutuar për konceptin e injorancës.

Injoranca ta zëmë në budizëm nënkupton keqkuptimin themelor të realitetit dhe konsiderohet burimi i të gjitha të këqijave, sepse e pengon njeriun të njohë natyrën e vërtetë të gjërave. Mësimi budist beson se injoranca është shkaku i papastërtisë së mendjes, e cila na drejton më tej drejt të bërit gjëra të këqija dhe të gabuara.

Afrika si edhe disa shtete të Azisë në fqinjësi të saj janë të pasura me gaz, me naftë e me diamante. Atje janë edhe piramidat, mrekullitë e shumta natyrore, madje edhe atraksionet si Burj Khalifa e qendra e skijimit në plus 40 gradë celsius – ama vendet e Lindjes ende janë në krizë e Afrika quhet kontinenti i varfër.

Edhe Kosova ka një listë të potencialeve, që më shumë se hair kanë qenë barrë. Por, sado që në vend të profitit ato kanë shpenzuar taksat e qytetarëve, nuk jam dakord t’i shpërfillim ashtu si nuk duhet të heqim dorë nga gazi, termocentralet, hekurudhat, autostradat.

Por çfarë po lypi unë, është që t’i japim me emergjencë zgjidhje arsimit, dhe të paktën 2022-tën ta shpallim vit të shkollës. Aty është zgjidhja edhe për injorancën - jodomosdoshmërinë që riparimi i Kosovës (B) të bëhet me ndihmën e ekspertit gjerman.

*Falas