OpEd

Politikat e gabuara të shteteve anëtare të OBSH-së

Qëllimi madhor i ditës së sotme duhet të jetë “Shëndet për të gjithë”. Menjëherë, kjo do të thotë të sigurohet që vaksinat e COVID-19 të jenë të qasshme globalisht. Por nuk është momenti për shtetet anëtare të OBSH-së që të financojnë organizatën e tyre në mënyrë që ajo të mund të bëjë punën e saj. Ky është thjesht sens i përbashkët: OBSH-ja shpëton jetën e njerëzve të shteteve të saj anëtare. Ne tashmë kemi zgjidhje shumë të përballueshme, praktike dhe të drejtpërdrejta për shëndetin publik global, duke përfshirë financimin e mallrave të përbashkëta për shëndetin; ajo që na duhet tani është vetëm një pjesë e ambicieve të politikëbërjes që kishim dikur

Londër/Gjenevë – Është bindje lypsarësh, por është e vërtetë: Në kulmin e krizës së COVID-19, shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ende po hamenden nëse, dhe deri në çfarë shkalle, duhet të ngrehin kontributet e tyre financiare për organizatën, puna e së cilës vazhdon të shpëtojë jetë njerëzish brenda dhe jashtë kufijve të tyre.

Derisa shumëkush mund të mendojë se OBSH-ja është financuar mjaftueshëm, e kundërta është e vërtetë. Struktura aktuale e buxhetit të OBSH-së ende po vuan dhe po minon mandatin e saj për të vepruar si organizata më e madhe ndërkombëtare e shëndetit. Më pak se 20 për qind e buxhetit të OBSH-së buron nga shumat e rregullta (“kontributet e vlerësuara”) të ndara nga shtetet anëtare. Mbështetja e madhe në kontributet vullnetare prej shteteve anëtare dhe donatorëve të tjerë dëmton rëndë aftësinë e OBSH-së për t’i kryer me sukses aktivitetet e saj themelore, duke krijuar hapësirë për presione politike dhe devijuar prioritetet e saj drejt preferencave të shteteve individuale.

Nevoja akute për të mbështetur punën kritike të OBSH-së për të kapërcyer krizën e pandemisë dhe për të jetësuar programin “Shëndet për të gjithë” është e vetëkuptueshme, sikurse edhe roli prijatar në shëndetin botëror. OBSH-ja është mekanizmi më i rëndësishëm koordinues global për përgatitje dhe për kundërvënie ndaj pandemisë dhe kërcënimeve të tjera shëndetësore, duke ofruar shëndet të mirë publik që u shërben të gjitha vendeve. Andaj është imperativ që shtetet anëtare të mbështesin propozimet nga një grup punues i OBSH-së për të reformuar financimin e organizatës, përfshirë ngritjen e kontributeve të vlerësuara si hise të buxhetit të saj nga 16 për qind deri në 50 për qind.

Përmirësimi i cilësisë dhe sasisë për financimin e OBSH-së është çështje e urgjencës botërore. Shtetet anëtare nuk duhet të humbasin kohë për t’ia paguar OBSH-së shërbimet relevante. Që të jetësohen këto qëllime, kërkohet financim i mirë. Dhe sikurse kemi vërejtur në punën tonë për Këshillin për ekonomi të shëndetit për të gjithë të OBSH-së, financimi nuk është neutral: lloji i financave të gatshme ndikon alokimin dhe në fund rezultatin e investimeve.

Forcimi i OBSH-së siguron kthimin më të mirë të investimit për shëndetin. Miliarda po propozohen – si nga Paneli i Pavarur i Nivelit të Lartë të G20-s për Financimin Global për Përgatitjen dhe Reagimin ndaj Pandemisë – për të ngritur dhe financuar institucione të reja globale të sigurisë shëndetësore që nuk mund të garantojnë një pjesëmarrje të gjerë politike, veçanërisht nga Jugu Global. Thjesht nuk ka asnjë arsye logjike pse shtetet anëtare duhet të vendosin baste të rënda në një sipërmarrje të re që mund të mos fitojë mbështetje të gjerë mbi investimin në organizatën e tyre ekzistuese, e cila me siguri mund të japë më shumë nëse financohet në përputhje me rrethanat.

Është e thjeshtë: potenciali më i madh për solidaritetin shëndetësor global qëndron tek OBSH-ja. Financimi i besueshëm nga pronarët e tij – 194 vendet anëtare – do të bënte të gjithë ndryshimin në bashkëpunimin global shëndetësor dhe do të demonstronte efektivitetin e zgjidhjeve shumëpalëshe ndaj sfidave ndërkombëtare.

Koha për të ecur para është tani. Shumë shtete anëtare kanë qenë prej kohësh indiferente ndaj nevojës për të forcuar OBSH-në ose për të investuar në shëndetësi. Nuk duhet të ishte kështu para COVID-19 dhe nuk duhet të vazhdojë kështu pas pandemisë.

Hezitimi dhe ngurrimi që na solli në këtë pikë bie në kontrast të thellë me frymën dhe vendosmërinë e treguar gjysmë shekulli më parë, kur njerëzit kapërcenin sfida në dukje të pakapërcyeshme për të arritur në Hënë dhe për t'u kthyer. Me paratë e sotme, arritja në Hënë gjatë presidentes së John F. Kennedy kushtoi 283 miliardë dollarë, pa asnjë garanci suksesi. Natyrisht, ai pati sukses dhe në këtë proces ai nxiti inovacionin ndërsektorial që, me kalimin e kohës, i dha botës telefonat me kamera, izolim më të mirë të shtëpisë dhe industrisë moderne të softuerit.

Me fjalë të tjera, suksesi i Kennedyt nxiti dinamizmin dhe rritjen ekonomike përmes inovacionit të orientuar drejt misionit. Në krahasim, propozimi aktual i financimit do t'i kushtonte të gjitha 194 shteteve anëtare të OBSH-së vetëm 1.2 miliardë dollarë në vit, me sigurinë se do të forconte ndjeshëm efektivitetin e organizatës. Ne besojmë se në fakt duhet të jetë më shumë.

Qëllimi madhor i ditës së sotme duhet të jetë “Shëndet për të gjithë”. Menjëherë, kjo do të thotë të sigurohet që vaksinat e COVID-19 të jenë të qasshme globalisht. Por nuk është momenti për shtetet anëtare të OBSH-së që të financojnë organizatën e tyre në mënyrë që ajo të mund të bëjë punën e saj. Ky është thjesht sens i përbashkët: OBSH-ja shpëton jetën e njerëzve të shteteve të saj anëtare. Ne tashmë kemi zgjidhje shumë të përballueshme, praktike dhe të drejtpërdrejta për shëndetin publik global, duke përfshirë financimin e mallrave të përbashkëta për shëndetin; ajo që na duhet tani është vetëm një pjesë e ambicieve të politikëbërjes që kishim dikur.

(Mariana Mazzucato, profesoreshë e ekonomisë së inovacionit dhe vlerës publike në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL), është drejtoreshë themeluese e Institutit të Inovacionit dhe Qëllimit Publik të UCL-së. Ilona Kickbusch, themeluese dhe drejtoreshë e Bordit ndërkombëtar këshillues të Qendrës Botërore të Shëndetit në Institutin e Gjenevës, është anëtare e Këshillit për ekonomi të shëndetit për të gjithë.

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).