Fasadat e Luzernit, Arbën Xhaferi, Fatos Nano, Thomas Mann, një betejë mesjetare, pemët e Singaporit dhe autobusët e Kosovës: Shënime për një ecje në Zvicrën qendrore - nga Luzerni në Sursee.
1. Një ditë nëntori
Herët në mëngjes, kur sapo kishte nisur dita, arrita në Luzern. Natyrisht me tren. Me tren zviceran! Ata që i kanë lexuar tekstet e mia rregullisht e dinë arsyen pse po e nënvizoj: “tren zviceran”!
Në stacionin e trenit nuk shiheshin shumë njerëz që do të dilnin për të ecur nëpër kodra, male e alpe zvicerane - ose të paktën kështu më dukej. Alpinistët bien në sy me veshje me ngjyra të ndezura. Dhe kjo ka një arsye: në rast rreziku dallohen nga larg falë ngjyrave, për shembull e kuqja sinjalizuese.
Në stacionin e trenit në Luzern shumica e miletit vraponte për të kapur trenin e radhës. Temperatura rreth zeros apo nën zero. Pasi bleva disa ushqime në një dyqan të stacionit, vazhdova rrugën përgjatë lumit Reuss.
2. Hoteli “Schweizerhof” dhe ballkanasit
Promenada buzë lumit, shtëpitë në anën përballë, diga e vogël dhe natyrisht ura e famshme Kapellbrücke ia marrin njëra-tjetrës bukurinë. Ura u ndërtua në shekullin e 15-të si pjesë e fortifikimeve të qytetit. Një pjesë e madhe e saj u shkatërrua nga një zjarr në vitin 1993, por u rindërtua brenda tetë muajsh.
Nga larg shihej hoteli “Schweizerhof”, i cili më kujtoi një kohë të shkuar, para dy dekadave. Atëbotë qeveria zvicerane organizonte në këtë hotel takime mes politikanëve të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikanëve serbë. Ishte një iniciativë e mbështetur nga një organizatë amerikane, ndërsa Zvicra e financonte. Politikanë të ndryshëm vinin këtu, kalonin mirë në hotelin e jashtëzakonshëm, edhe pse rezultate konkrete nuk dukeshin askund. Megjithatë, ishte një periudhë kur politikanë shqiptarë dhe serbë rrinin së bashku në një hapësirë të përbashkët, 4-5 vjet pas luftës së Kosovës dhe 2-3 vjet pas luftës në Maqedoni.
Më kujtohet njëri nga këshilltarët e kryeministrit të atëhershëm serb, Vojislav Koshtunica, i cili e pyeti Arben Xhaferin:
“Zotëri Xhaferi, jeni mysliman apo katolik?”
Kjo pyetje tregonte dijen e kufizuar që një pjesë e elitave serbe kanë për shqiptarët - si për identitetin e tyre etnik ashtu dhe fetar. Në Prizren apo Gjakovë ndoshta mund të kishte njëfarë kuptimi të pyesje dikë nëse je katolik a mysliman, por për dikë nga Tetova ishte pyetje absurde. Shkuam te bari i hotelit me Arben Xhaferin dhe ia plasëm një të qeshure mbi këshilltarin injorant të Koshtunicës. “Nesër me siguri do të më pyes se pse di serbisht kaq mirë”, tha Arbën Xhaferi me ironi.
Në një nga ato samite shqiptaro-serbe në Luzern, ku merrnin pjesë edhe politikanë zviceranë si ministri i Jashtëm, Joseph Deiss, u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë së atëhershme, Fatos Nano. Ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana, me të cilën sapo ishte martuar. Për një moment, vëmendja e politikanëve ballkanikë u zhvendos krejtësisht nga çështjet politike; të gjithë u mblodhën rreth tavolinës ku u ul Nano me gruan, sepse dëshironin “ta shihnin nusen”.
Kaq sa u përket parave të taksapaguesve zviceranë të investuara për pajtimin shqiptaro-serb.
3. Luani, Demi, Kaprolli dhe Beteja e Sempachut
Pas këtyre mendimeve mëngjesore, vazhdova ecjen nëpër disa fshatra zvicerane. Terreni ishte i rrafshët, i këndshëm. Kalova pranë aeroportit ushtarak në Emmen, afër Luzernit, dhe më tej drejt qytezës së bukur Rothenburg, me shtëpitë e saj të vjetra, sheshe të rregulluara, rrugë të pastra dhe restorante me emra kafshësh: Luani, Demi, Kaprolli, e kështu me radhë. Vazhdova deri në Sempach, një vend me rëndësi të madhe historike, sepse këtu është zhvilluar një betejë shumë e rëndësishme në vitin e largët 1386, tre vjet para Betejës në Gazimestan (Fushë-Kosovë).
Beteja e Sempachut (9 korrik 1386) ishte një përleshje vendimtare midis Habsburgëve dhe Konfederatës së Zvicrës në rritje e konsolidim e sipër. Duka Leopoldi III kërkonte të forconte kontrollin e tij mbi territoret midis Tirolit dhe tokave pranë Alpeve, por u përball me rezistencën e Luzernit dhe kantoneve aleate. Kur ushtria habsburgase marshoi drejt Sempachut, zviceranët u organizuan shpejt nën drejtimin e Petermann von Gundoldingen dhe arritën një fitore të qartë. Rrjedha e saktë e betejës mbetet e paqartë, pasi burimet primare janë të pakta; më vonë u krijua legjenda e Arnold Winkelriedit, i cili thuhet se u sakrifikua vullnetarisht dhe ndikoi në fitoren e zviceranëve.
Humbjet habsburgase ishin të rënda, përfshirë vdekjen e Leopoldit III dhe shumë fisnikëve. Fitoret e Konfederatës së Zvicrës dobësuan ndikimin habsburgas dhe u lejuan qyteteve si Luzern, Bern dhe Solothurn të zgjerojnë territorin. Kujtimi i betejës mbetet i gjallë në Zvicër, një kishëz e ndërtuar pas përleshjes ende është atraksion jo vetëm turistik.
4. Pasioni për detin dhe Thomas Manni
Rreth orës dy pasdite, në bregun e liqenit të Sempachut, u përballa me dilemën nëse duhet të ndalem këtu, të marr autobusin dhe të kthehem në shtëpi. Ose të vazhdoj. Vendosa të eci deri në fund të shtegut të ditës, i cili filloi në Luzern dhe mbaron në Sursee - gjithsej 30 kilometra. Po, 30 kilometra!
Rruga ishte shumë e bukur, sidomos pjesa nga Sempach deri në Sursee, që kalon pranë liqenit, ku shihen shpendë të ndryshëm që pluskojnë në ujë ose fluturojnë mbi ujë.
Ecje të tilla të gjata, 7-8-orëshe, janë një mundësi e mirë për t’iu telefonuar miqve të ndryshëm. Edhe sot i “shqetësova” disa nga rrethi im - për biseda të rëndësishme e të parëndësishme, thjesht për llafe (jo të kota).
Ndonjëherë, në raste të tilla, dëgjoj edhe libra. Kësaj radhe nisa të dëgjoja një libër për pasionin që shkrimtari gjerman Thomas Mann kishte për detin. Është e pabesueshme sa shumë libra janë botuar në dekadat e fundit për familjen Mann. Gazeta gjermane “Die Zeit” madje e ka quajtur “familje mbretërore gjermane”. Britanikët kanë familjen e tyre mbretërore, Windsorët; gjermanët, pasi nuk kanë mbret, kanë familjen Mann - aristokratë nga rrethina e Hamburgut dhe me biografi jashtëzakonisht interesante, shkrimtarë të mëdhenj, figura tragjike që bëjnë vetëvrasje, homoseksualë (të hapur apo të fshehur, si Thomas Manni, patriarku i familjes). “Ne jemi një bashkësi e nderuar, por secili ka një dërrasë mangu”, vuri re Thomas Mann që në vitin 1942.
Përveç Thomas Mannit, edhe vëllai i tij, Heinrich Mann, ishte shkrimtar shumë i rëndësishëm. Është interesant fakti që Heinrich Mann dhe Albert Einstein kanë botuar së bashku një letër proteste në “New York Times”, pas vrasjes së albanologut Millan Shufllaj në Zagreb, më 1931, nga shërbimi sekret i Jugosllavisë së atëhershme.
Arrita të dëgjoja rreth 20-30 faqet e para të librit. Është i mbushur me detaje të jetës së Mannit, të cilat pastaj i gjen të reflektuara në romanet e tij. Të gjitha këto biseda, telefonata, libra - nuk kanë lidhje me politikën ditore. Në fakt, dëgjimi i një libri të mirë, larg politikës, është një formë arratie nga çmenduria e politikës botërore.
Libri për Thomas Mannin që po dëgjoja përshkruan se si familja Mann udhëtonte me tren nga Müncheni drejt Detit të Veriut. Buzë detit, Mann mban për dore vajzën Elisabeth dhe njërin nga tre djemtë e tij; vëmendje i kushton sidomos Elisabethës, e cila bën vazhdimisht pyetje, ndërsa Thomas Mann i përgjigjet me një elegancë të mrekullueshme e plot mirëkuptim.
5. Pemët e Singaporit
Pastaj në radion publike gjermane dëgjova një kronikë interesante nga Singapori, ku qyteti planifikon të mbjellë mbi një milion pemë për të përballuar temperaturat gjithnjë e më të larta si pasojë e ndryshimeve klimatike. Dhe mendova: sa pemë janë mbjellë në Prishtinë në 25 vjetët e fundit? Ndërsa llogaris ndërtimet e shumta, betonizimin, kaosin, rritjen e popullsisë, papastërtinë, kolonat e makinave që vijnë çdo ditë nga rrethina në kryeqytet, e kupton se qyteti ka ndryshuar shumë. Por si ka ndryshuar?
Kur largohem nga Prishtina, më pëlqen të udhëtoj me autobus; më duket si një ekspeditë sociale. Zakonisht, sheh studentë, të moshuar dhe ndonjë nënë me fëmijën e saj që kthehet nga ndonjë kontroll mjekësor në Prishtinë.
Gjendja në autobusë ka ndryshuar, kjo është përshtypja ime aspak reprezentative. Para 10 vjetësh, autobusët të “terrorizonin” me muzikë të viteve 90-të - një përzierje tallavash, vajtimesh pseudo-patriotike dhe arabeskash të zhurmshme. Tani nuk ndodh më. Arsyeja është e qartë: të gjithë kanë telefona dhe kufje. Secili dëgjon çfarë të dojë - muzikë, podcast, libra. Me sa duket, edhe kompanitë e transportit e kanë kuptuar këtë. Nuk më ka rastisur prej vitesh të hip në autobus që lëshon muzikë nga ata televizorët e vegjël mbi kokën e shoferit. Por kjo mund të jetë, siç e thashë, një përshtypje e imja. (8 orë janë të gjata, mendon njeriu për shumë gjëra, edhe për autobusët e Kosovës).
Në Sursee, treni i orës 17:12 u nis në 17:12. Tren zviceran!