OpEd

Aleksandri në “Botën serbe” të çudirave

Serbia vazhdon glorifikimin e kriminelëve të luftës në Bosnjë-Hercegovinë të shpallur ndërkombëtarisht nga Tribunali i Hagës. Ngjarjet e dy-tri ditëve të fundit në njërën nga rrugët e Beogradit, aty ku ishte i portretizuar murali i kriminelit Ratko Mladiq, na e vërtetojnë këtë gjë. Një grup qytetarësh ishte mbledhur që të protestonte aty për prezencën e këtij murali, ndërsa një pjesë tjetër e qytetarëve po qëndronin dhe protestonin aty për ruajtjen dhe glorifikimin e këtij murali... Deklaratat e presidentit Vuçiq fatkeqësisht janë ato të cilat vazhdojnë mbrojtjen dhe glorifikimin e këtyre figurave. Po si mund të jetë ndryshe - vetë ai ishte pjesëmarrës në këtë pjesë të historisë së turpit serb

Pak më larg shtëpive tona, aty në kufirin ndërmjet Polonisë - shtet ky i Bashkësisë Evropiane dhe Bjellorusisë - shtetit diktatorial dhe satelit të Rusisë, për shkak të refugjatëve sirianë të grumbulluar në pikën kufitare e të cilët kanë dëshirën që të migrojnë për në Evropën Perëndimore, veç sa nuk ka përshkallëzuar një konflikt i armatosur.

Implikimet, po qe se ndodh kjo, do të ishin të mëdha pasi që bëhet fjalë për një shtet anëtar të NATO-s dhe një shteti tjetër satelit rus. Si do të vepronin këto dy superfuqi po qe se do të kishte një përplasje midis këtyre dy shteteve vartëse të tyre në shumë nivele, mbetet të shihet se si do të zhvillohen gjërat në të ardhmen. Njerëzit e pafat sirianë të gjendur në pikën kufitare midis këtyre dy shteteve mund ta paguajnë çmimin më të lartë për të vetmen arsye, sepse janë në kërkim të një sigurie dhe jete më të mirë. Përveç përplasjes, e cila mund të ndodhë në çdo kohë edhe dimri i ashpër i këtyre anëve nuk është aspak në anën e këtyre fatzinjve.

Në këtë botë dhe Evropë të trazuar është edhe një pikë tjetër në të cilën mund të lindë përsëri një konflikt potencial. Bëhet fjalë për Republika Srpskan dhe pjesën e mbetur të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës. Atje kryesuesi i palës serbe, Millorad Dodik, ka shprehur haptazi qëndrimet e tij se ai dëshiron që ta pavarësojë ushtrinë me pjesëtarët serbë nga pjesa tjetër e ushtrisë boshnjake. Ai gjithashtu kërcënon se nëse forcat perëndimore do të vepronin për të parandaluar këtë, ai e ka premtimin e miqve të tij për ndihmë, duke aluduar në Serbinë dhe Rusinë.

Për dallim nga bashkëkombësi i tij, Millorad Dodik, kryetari i Presidencës Boshnjake, Zheljko Komshiq, në një intervistë me gazetarin e “Tanjugut” u detyrua që ta linte intervistën në gjysmë dhe të largohet. E gjitha kjo si pasojë e insistimit të gazetarit të “Tanjugut” se në Srebrenicë nuk kishte pasur gjenocid gjatë luftës së fundit në Bosnjë. Kryetari Komshiq disa herë e përmendi se aktgjykimet e Tribunalit të Hagës ndaj Karaxhiqit dhe Mladiqit ishin të prera dhe se ata ishin të dënuar për ushtrim të gjenocidit ndaj popullatës boshnjake. Edhe pas këtyre fakteve të prezantuara nga ana e kryetarit Komshiq, gazetari i “Tanjugut” vazhdonte me insistimin e tij se për bindjen e tij në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid. Në këtë pikë, kryetari Komshiq ngrihet nga karrigia, e heq mikrofonin e vendosur në setrën e tij dhe deklaron se nuk ekziston asnjë arsye që ai ta vazhdojë tutje këtë intervistë.

Çfarë mendimesh personale mund të ketë kryetari Komshiq në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë nuk e di, por di se ai e interpretoi ashtu siç ajo është edhe siç do t’i kishte hije një kryetari të presidencës boshnjake pavarësisht përkatësisë së tij etnike.

Në anën tjetër, te fqinji i tyre lindor, Serbia, ndodh pikërisht e kundërta. Atje vazhdon glorifikimi i kriminelëve të luftës në Bosnjë-Hercegovinë të shpallur ndërkombëtarisht nga Tribunali i Hagës. Ngjarjet e dy-tri ditëve të fundit në njërën nga rrugët e Beogradit aty ku ishte i portretizuar murali i kriminelit Ratko Mladiq na e vërteton këtë gjë. Një grup qytetarësh ishin mbledhur që të protestonin aty për prezencën e këtij murali të turpit serb, ndërsa një pjesë tjetër po qëndronin dhe protestonin aty për ruajtjen dhe glorifikimin e këtij murali. Në mes tyre qëndronte xhandarmëria serbe në ruajtjen e “rendit dhe qetësisë”.

Mëngjesi i nesërm e gjeti atë mural të dëmtuar me një ngjyrë të bardhë dhe një grumbull të rinjsh, të cilët tash po mundoheshin që ta kthenin atë në gjendjen e mëparshme. Deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, fatkeqësisht janë ato të cilat vazhdojnë në mbrojtjen dhe glorifikimin e këtyre figurave të kriminalizuara. Po si mund të jetë ndryshe – vetë ai ishte pjesëmarrës me rol të veçantë në këtë pjesë të historisë së turpit serb.

Nëse e kujtojmë qëndrimin e presidentit Biden se të gjithë akterët ballkanikë, të cilët do t’i pengojnë proceset e integrimeve evropiane dhe ndërfqinjësore ballkanike do të përballen me ndëshkime të menjëhershme dhe do t'iu nënshtroheshin sanksioneve të menjëhershme, ai tashmë ata protagonistë i ka me emra dhe mbiemra dhe lirisht mund ta jetësojë kërcënimin e administratës amerikane.

Dje në Tiranë e pamë vizitën e kryeministrit holandez, Mark Rutte, në zyrën e mikut të Aleksandar Vuçiqit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndërmjet të tjerash nga pamjet e asaj videoje u pa admirimi i kryeministrit holandez, Rutte, për mobilet e zyrës së kryeministrit Rama për të cilat ky i fundit tha se i kishte nxjerrë diku nga magazinat, pastaj ia admiroi edhe kravatat kreative të kryeministrit Rama.

Kryeministri Rama më tutje i sqaroi se të gjitha bisedat të cilat i zhvillonte i ulur në karrigen e tij, të cilën Rutte e lavdëroi shumë, pranë tryezës së punës, i shfrytëzonte që të bënte vizatime të cilat më pas do t’i digjitalizonte në kompjuterin e tij, e më pas do t’i printonte dhe ngjiste në muret e zyrës së tij, e cila e kishte pamjen sikur nga skenat e “Lizës në botën e çudirave”.

Më pas Rutte e pyeti Ramën edhe për portretin e Ismail Qemailit e ku Rama iu përgjigj se ai ishte babai themeltar i kombit e shtetit shqiptar, dhe ai i cili e ngriti flamurin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Në pyetjen e kryeministrit Rutte se a ishte Ismail Qemaili, ai i cili i dizajnoi flamurin shqiptar, kryeministri shqiptar u lajthit kur iu përgjigj me po. Më duket vështirë e besueshme se kryeministri Rama nuk është në dijeni se flamuri shqiptar është njëri ndër flamujt më të vjetër kombëtar i popujve evropianë. Daton nga koha e Skënderbeut kur u realizua bashkimi i të gjitha fiseve shqiptare nën një flamur i cili nga ajo kohë mund të ketë pësuar ndryshime kozmetike varësisht nga ideologjitë politike të kohës, por në substancë ka ngelur ai i njëjti me shkabën e zezë dykrenore të shtrirë në sfondin e kuq.

***

Nga kabllogramet diplomatike vendore do të veçoja vazhdimin e fushatave të partive politike të Kosovës për garën e balotazhit në zgjedhjet komunale. Një gjë e cila më le shije të hidhur dhe nuk kam si të mos e kritikoj, kur atë gjë e kam bërë shumë herë më parë për partitë e tjera në pushtet, është shfrytëzimi i resurseve shtetërore dhe qeveritare për qëllimet e fushatës dhe përkrahjen e kandidatëve të Vetëvendosjes. Atë të cilën më parë i bënin Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj e që Albin Kurti, opozitë e atëhershme, e kritikonte me të drejtë tashmë ai vetë po i bën po të njëjtat veprime.

Shfrytëzohen veturat qeveritare, orari i punës në qeveri, komplet ministritë me përkrahjen e ministrave përkatës të tyre dhe një mori resursesh të tjera shtetërore e qeveritare për përkrahjen e kandidatëve të tyre partiakë.

Ne të cilët i votuam, i votuam për ndryshimin të cilin do të sillnin jo për kopjimin e dukurive negative me të cilat ishim mësuar nga qeveritë e mëparshme. Shumë herë e kam përmendur dhe do të vazhdojë ta them se një pjesë e madhe e votuesve të ndryshimit të 14 shkurtit nuk e kemi dhënë votën tonë blanko, dhe për dallim nga votuesit e mëparshëm të qeverive të tjera ne do të kërkojmë gjithmonë përgjegjësi nga qeveritarët për çfarëdo tejkalimi kompetencash të tyre apo keqpërdorimi me pozitat e tyre publike.

Mbrëmë gjithashtu e pamë në një televizion privat edhe ballafaqimin e parë publik të dy pretenduesve për kryetar të Komunës së Prishtinës. Ajo që mua personalisht më ra në sy ishte fakti i një debati të qytetëruar nga dy kandidatë të përgatitur, secili në mënyrën e vet. Për herë të parë, pas 21 vjetësh ne e pamë një debat në të cilin nuk kishte akuza të ndërsjella për vjedhje, nuk kishte as akuza për aktakuza të ngritura, mungonin edhe fajësimet për vrasjet e pasluftës, mungonin edhe akuzat për mospjesëmarrje apo lavdërimet për pjesëmarrjen në luftë.

Prishtina dhe qytetarët e saj kanë evoluar nga një show politik i tillë e gjithashtu shpresoj se ky evoluim është reflektuar edhe në partitë politike, të cilat këtë po mundohen të na e dëshmojnë me kandidaturat e kandidatëve të tyre për kryetarë të kryeqytetit tonë.

Ishte ballafaqim programesh dhe idesh, ndonjëherë të shoqëruar edhe me cinizmin e sarkazmin me konotacion politik, por asnjëherë duke kaluar në diçka personale dhe fyerje të ndërsjella siç jemi mësuar t’i dëgjojmë rëndomtë.

U mbetet qytetarit dhe votuesit të Prishtinës, që duke vepruar sipas bindjeve të veta se cili kandidat ofron programin më të realizueshëm dhe i cili do të ketë ndikim në jetën e përditshme të tij ta votojë atë kandidat.

Të mos harroj në fund, s’e di se çka mu kujtua filmi i vitit 1941 nën skenarin e Orson Welles-it “Citizen Kane” (Qytetari Kejn), mirëpo po e shfrytëzoj rastin që ta përshëndes qytetarin Grenell dhe t’i dëshiroj qëndrim të këndshëm në Prishtinë.