OpEd

Dy diplomatë, njëri edhe aristokrat: kush janë kancelari dhe ministri i ri i jashtëm i Austrisë?

Alexander Schallenberg është emëruar kancelar i ri i Austrisë. Ai deri më tani ishte ministër i jashtëm. Postin e kryediplomatit tani do ta ushtrojë ambasadori i Austrisë në Paris, Michael Linhart. Çfarë i lidh këta dy zyrtarë me Kosovën? Një rrëfim mbi diplomacinë austriake në Ballkan

Në varrimin e diplomatit austriak, Albert Rohan, i cili bashkë me Martti Ahtisaarin shkroi planin për pavarësimin e Kosovës, Alexander Schallenberg nuk i kishte ndalur lotët. Kështu tregon dikush që ka qenë në varrimin e Albert Rohanit. Babai i Alexander Schallenbergut, Wolfgangu, ka qenë mik i ngushtë i Albert Rohanit, i cili vdiq në vitin 2019.

Nga e hëna, Alexander Schallenberg është kancelar i Austrisë, pasardhës i Sebastian Kurzit, i cili dha dorëheqje pasi hetuesit policorë bastisën selinë e kancelarit dhe selinë e partisë popullore ÖVP.

Wolfgang Schallenberg ka qenë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme austriake dhe ambasador në Bern, ku më 20 korrik 1969 u lind Alexander Schallenberg. Duke qenë bir diplomati, ai u rrit në Indi, në Spanjë dhe në Francë. Studioi drejtësi në Paris, në Vjenë dhe në Bruksel, para se të punësohej në shërbimin diplomatik më 1997. Alexander Schallenberg rrjedh nga një familje aristokrate austriake, paraardhësit e tij i kanë shërbyer perandorëve të Austrisë. Po të mos i kishte ndaluar Austria titujt feudalë më 1919, kancelari i ri austriak do të quhej Alexander von Schallenberg. Predikati “von” tregon prejardhjen aristokrate të personit.

Schallenberg ka ushtruar detyra të ndryshme në Ministrinë e Jashtme të Austrisë. Ka qenë zëdhënës i dy ministrave të jashtëm, ndërsa më 2013 ministri i atëhershëm i jashtëm, Sebastian Kurz, e emëroi drejtor të shtabit për planifikim strategjik të politikës së jashtme.

Kur më 2018 Sebastian Kurz u bë kancelar i Austrisë, ai e mori me vete në kabinet edhe Schallenbergun. Ai konsiderohet si luajal ndaj Kurzit, me të cilin e ndan edhe bindjen për një politikë më të ashpër kundër refugjatëve. Pas dorëheqjes së kabinetit të parë të Kurzit si pasojë e të ashtuquajturës “afera Ibiza”, Schallenberg u bë ministër i jashtëm në qeverinë kalimtare të ekspertëve. Pasi Kurz sërish i fitoi zgjedhjet, Schallenberg nga janari 2020 vazhdoi ta ushtrojë postin e kryediplomatit edhe në kabinetin e dytë të Kurzit.

Duke qenë i socializuar në ambiente të elitës diplomatike austriake, Schallenberg është pa asnjë dilemë përkrahës i pavarësisë së Kosovës. Në maj të vitit të kaluar, kur shumica e vendeve evropiane i lanë shtetet e Ballkanit nën mëshirën e fatit në betejën kundër pandemisë, Schallenberg vizitoi Kosovën dhe njoftoi se Austria do të dhuronte 250 mijë euro për luftimin e koronavirusit. Cinikët mund të thonë se 250 mijë euro janë pak, për realistët ky gjest ishte mjaft domethënës.

Me zgjedhjen e Schallenbergut kancelar të Austrisë, në postin e tij të deritanishëm të ministrit të jashtëm është emëruar Michael Linhart, i cili deri të hënën ishte ambasador në Paris. Edhe Linhart është diplomat i karrierës. Ai u lind më 31 gusht 1958 në Ankara, ku babai i tij ishte diplomat në Ambasadën austriake. Më 1986 Linhart u punësua në shërbimin diplomatik të Austrisë, ndërsa më 1992 u transferua në Zagreb, ku punoi si këshilltar dhe zëvendësambasador në Ambasadën e Austrisë. Në kryeqytetin kroat qëndroi deri më 1995, pra deri në përfundim të luftës.

Kjo përvojë në Ballkan e bën atë njohës relativisht të mirë të historisë së shpërbërjes së Jugosllavisë. Dhe duket se kjo përvojë ka qenë njëra nga arsyet që më 1995 ministri i atëhershëm i jashtëm, Wolfgang Schüssel, e bëri sekretar personal të tij. Kur më 1 korrik 1998, ndërsa po përshkallëzonte konflikti në Kosovë, Austria mori për herë të parë kryesimin e Bashkimit Evropian, Linhart, luajti një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e instancave të BE-së në Bruksel mbi çështjen e Kosovës.

Pasi Schüssel u bë kancelar i Austrisë në vitin 2000, Linhart u angazhua si këshilltar personal i Schüsselit. Linhart ka qenë, mes të tjerash, ambasador në Damask dhe në Athinë. Në Paris u emërua ambasador më 2018, ndërsa më parë (2013-2018) ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Austrisë, pra në postin që dikur e kishte ushtruar Wolfgang Schallenberg, babai i kancelarit të sapozgjedhur Alexander Schallenberg. Linhart konsiderohet përkrahës i vendosur i pavarësisë së Kosovës. Ngjashëm si Schallenberg, edhe Linhart është socializuar politikisht në qarqet diplomatike austriake, që tradicionalisht kanë përkrahur Kosovën. Kjo përkrahje ndërlidhet sidomos me emrin e ministrit të jashtëm, Alois Mock, (1987-1995), një kundërshtar i rreptë i agresionit serb në Ballkan.

Gjatë një vizite në Kosovë, në vitin 2017, Michael Linhart hapi zyrën e konsullatës së nderit të Austrisë në Pejë dhe premtoi mbështetje për ambiciet e Kosovës për t’u integruar në strukturat euroatlantike. Linhart, po ashtu, përgëzoi autoritetet në Prishtinë për luftën e vendosur kundër radikalëve fetarë. Më 2018, ai mbajti fjalimin kyç në një debat në Vjenë me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës.