Vështrime

Godo Ballkanik

Në vigjilje të takimit të Bërdos, Reuters citon dokumente të BE-së, të cilat nuk garantojnë se do të ketë zgjerim të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo vetëm sa i vërtetoi parashikimet, që nga viti 2010, se pas “zgjerimit të madh”, nuk do të ketë anëtarësime të reja. Pse? Sepse, Brukseli konsideronte se me anëtarësimin e 12 shteteve më 2004, ishte përmbushur caku gjeopolitik për kufirin e qartë të BE-së me Rusinë.

Sipas strategëve të BE-së, në vend të zgjerimit të fundit- gjeopolitik; tash për Ballkanin Perëndimor, duhej aplikuar një proces teknik. Në vend të cakut strategjik, duhej përcjellë implementimi strikt i kritereve (edhe pse ato fare pak ishin përmbushur gjatë zgjerimit paraprak nga disa shtete). Edhe pse BE-ja vazhdimisht flet për peshën gjeopolitike të Ballkanit, bëri pak që ta pranojë rajonin. Fjala zgjerim as që dëgjohet më në Bruksel, e “perspektivës evropiane“ nuk i beson më askush në Ballkan.