Rritja e ndërgjegjësimit dhe nxitja (dhe turpërimi) e politikëbërësve është e nevojshme, por jo e mjaftueshme për të shmangur atë që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i është referuar si një “katastrofë klimatike”
Dita më e nxehtë e regjistruar në Jordani që prej vitit 1960 ishte 49.3 gradë Celsius në korrik të vitit 2018, një muaj pasi u bëra kryeministër. Jordania nuk është e veçantë: valët e nxehtësisë në vitet e fundit kanë shkaktuar temperatura rekorde prej Kanadasë e deri në Australi. Efektet e ndryshimit të klimës (përfshirë shpeshtimin dhe ashpërsinë e përmbytjeve, uraganeve dhe thatësirave), teksa ndihen në nivel lokal, ndaj tyre kërkohet përgjigje globale, e cila duhet të përcaktojë objektiva detyrues që marrin parasysh kontributet e vendeve për problemin dhe zgjidhjen.
Jordania ka ndjekur vazhdimisht politika dhe programe për të zvogëluar emetimet e dyoksidit të karbonit. Gjatë 15 vjetëve të fundit, emetimet vjetore të Jordanisë për frymë kanë rënë nga 3.5 tonë në 2.5 tonë. Mirëpo Jordania, si shumica dërrmuese e vendeve, përbën një pjesë të papërfillshme të emetimeve globale të CO2 - vetëm 0.04% në vit. Pra, edhe nëse Jordania do ta kthente të gjelbër të gjithë ekonominë e saj brenda natës, vështirë se do të bënte ndonjë ndikim. Kjo nuk na heq përgjegjësinë, por nuk mund ta anashkalojmë faktin se emetimet janë të përqendruara: 20 emetuesit kryesorë përbëjnë pothuajse 80% të totalit vjetor, me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën që përbëjnë 38 për qind.
Në shumë vende, pasojat e ndryshimit të klimës në furnizimin me ujë kanë qenë tronditëse. Në rastin e Jordanisë, ndryshimi klimatik e përkeqësoi edhe ashtu gjendjen e rëndë. Reshjet e shiut ishin më parë shpëtimtari për komunitetet rurale që merreshin me bujqësi sezonale me shi dhe kullotje në toka gjysmë të thata. Megjithatë, gjatë dekadës së fundit, një rënie e vazhdueshme e reshjeve mesatare vjetore dhe një rritje në shpeshtësinë dhe ashpërsinë e thatësirave kanë cenuar këto mënyra bujqësie, duke thelluar ndarjen socio-ekonomike midis zonave rurale dhe urbane.
Jordania nuk është aspak unike: Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se gjysma e popullsisë së botës do të jetojë në zona me vështirësi furnizimi me ujë deri në vitin 2025. Në thelb, ajo që më parë ishte një sfidë rajonale tani është bërë një çështje serioze e qeverisjes globale me mjedisin, politik , dhe pasojat ekonomike.
Më gjerësisht, manifestimet e tjera të ndryshimit të klimës dhe mungesa e një përgjigjeje të koordinuar ndërkombëtarisht ndaj tyre - për të mos përmendur kërcënimet shtesë siç është pandemia COVID-19 – bëjnë me dije se diçka është seriozisht e gabuar në nivelin global. Sipas vlerësimit të fundit të Panelit Ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, bota nuk do të përmbushë objektivin e marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 për klimën për të kufizuar ngrohjen globale nën dy gradë Celsius nëse nuk bën shkurtime të mëdha shtesë në emetimet e CO2.
Shumë thjesht, rezultatet e përpjekjeve të botës për klimën janë shumë të papërshtatshme. Sipas vëzhguesit të veprimit të klimës, politikat aktuale e vënë botën në rrugën e duhur për të pasur një temperaturë më të lartë nga 2.7 deri në 3.1 gradë Celsius deri në vitin 2100, në krahasim me nivelet paraindustriale. Po, shumë teknologji të reja të gjelbra janë premtuese dhe duhet të mbështeten. Por në mungesë të një qasjeje globale, këto shpikje teknologjike rrezikojnë thjesht rishpërndarjen e ndikimit të ndryshimit të klimës midis vendeve dhe rajoneve.
Rritja e ndërgjegjësimit dhe nxitja (dhe turpërimi) e politikëbërësve është e nevojshme, por jo e mjaftueshme për të shmangur atë që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i është referuar si një “katastrofë klimatike”. Zbutja e ndryshimeve klimatike duhet të ndiqet si një e mirë publike globale. Problemi është se këto të mira janë të rrënuara nga problemet e veprimit kolektiv, sepse kostot priren të përqendrohen në hapësirë dhe kohë, ndërkaq përfitimet janë të përhapura. Këto vështirësi mund të trajtohen vetëm nga strukturat globale të qeverisjes që zvogëlojnë koston e veprimit kolektiv, i bëjnë të brendshme çështjet e jashtme dhe kundërshtojnë paragjykimet afatshkurtra në vendimmarrje.
Për t’i trajtuar ndryshimet klimatike në mënyrë më efektive, kemi nevojë për aranzhime të qeverisjes globale që përbëjnë një kontratë të re sociale globale. Strukturat ekzistuese të qeverisjes ndërkombëtare mund të shërbejnë si bazë për këto institucione të reja, por do të duhet të ndryshohen dhe plotësohen për të adresuar problemet specifike që lidhen me të mirat publike dhe veprimet kolektive.
Si fillim, kemi nevojë për një strukturë qeverisëse, juridiksioni i së cilës është i kufizuar në të mirat publike globale, të cilat nuk mund të sigurohen në mënyrë adekuate në nivel kombëtar. Shtetet-kombe do të ishin të lira të vendosnin dhe të tërhiqeshin, me përfitimet e zgjedhjes për të tejkaluar ato të zgjedhjes. Vendimet do të merreshin mbi bazën e shumicës, pa asnjë vend të vetëm që do të kishte të drejtën e vetos. Do të ketë gjithashtu një proces apelimi dhe gjykimi që lejon kundërshtimin e vendimeve.
Së dyti, një njësi mbikëqyrëse do të mbante gjurmët e llogarive globale të pasurisë natyrore për të adresuar çështjet e kapitalit ndërgjenerativ. Kjo njësi duhet të jetë në gjendje të vendosë pika në agjendën e institucionit të qeverisjes globale dhe të apelojë vendimet.
Së fundmi, një regjim stimuluesish dhe stimujsh do të synonte të ruante natyrën dhe biodiversitetin dhe të taksojë ata që e konsumojnë atë, duke marrë parasysh pabarazitë e pasurisë dhe të ardhurave në vende të ndryshme.
Krijimi i mekanizmave të qeverisjes globale, që fokusohen në sfidat e ndryshimeve klimatike të mallrave publike dhe veprimeve kolektive, nuk do të jetë i lehtë. Shqetësimet dhe frika që lidhen me një “deficit demokratik” dhe nevojën për të mbrojtur sovranitetin kombëtar janë legjitime dhe thjesht nuk mund të lihen me një anë..
Sidoqoftë, nuk po fillojmë nga themeli. Organizata Botërore e Tregtisë jep një shembull të një strukture të fortë dhe të suksesshme të qeverisjes globale me rregulla të detyrueshme. Prandaj është edhe ironike edhe e trishtueshme që OBT-ja nuk ka arritur të përfshijë çështje rregullatore të mjedisit dhe të drejtave të njeriut në lidhje me tregtinë në rregulloret e saj, në mënyrë që të sigurojë një fushë të barabartë loje ndërkombëtare. Tek e fundit, me autoritetin sanksionues, OBT-ja është pozicionuar më së miri për të lidhur çështje të tilla si emetimet e gazrave serrë dhe të drejtat e punës me rregullat e tregtisë.
Jordania nuk mund të përballojë e vetme me sukses sfidat e sotme globale të klimës. As Lindja e Mesme nuk mundet, për shkak të konflikteve dhe rivaliteteve rajonale. Tani që bota është bërë një fshat, detyra me të cilën ballafaqohet rajoni është të pajtohemi me vendet e tjera - bashkëfshatarët tanë - se si të zbusim teprimet tona dhe të shmangim një kërcënim ekzistencial. Kjo mund të arrihet vetëm duke gjetur mënyra të përshtatshme për të kërkuar llogari për veten dhe njëri-tjetrin. Zgjidhja qëndron në krijimin e një sistemi të qeverisjes globale që bazohet në shtetin-komb, por që ka aftësinë për të sanksionuar sjelljet e dëmshme.
Disa mund ta shohin si të largët idenë e krijimit të një strukture të tillë. Mirëpo nëse nuk e bëjmë këtë, ka pak shpresë për të parandaluar krizën klimatike - tashmë e dukshme në Jordani dhe në mbarë botën - të vazhdojë të shkatërrojë jetë dhe mjete të panumërta jetese.
Omar Razzaz është ish-kryeministër i Jordanisë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.
Përktheu: Gent Mehmeti