OpEd

JO fushatës!

Tash e keni rastin që të mos e përsëritni gabimin e qershorit. Fushatën nuk duhet lejuar me prani fizike asnjë ditë të vetme, pavarësisht çmimit politik që do të mund ta paguante cilado parti. Ky çmim përherë do të ishte më i ulët sesa madje edhe një jetë që ka mundur të ruhet e shpëtohet

Numrat e të infektuarve dhe të vdekurve vazhdojnë të jenë alarmantë. Masat e imponuara para dy javësh me shumë gjasë do të shtyhen edhe për dy javë të tjera - ngase tagri që duhet paguar për mendjelehtësinë e qershorit po del të jetë shumë i madh.

Edhe pse numri i të infektuarve ka rënë, sërish numrat janë të lartë: në javën e shkuar janë infektuar, sipas shënimeve zyrtare, gjithsej 4.713 njerëz dhe u shënuan madje 153 vdekje. Është e tmerrshme kur tashmë nis të të "mësohet" veshi me të dëgjuar për numra dyshifrorë të atyre që nuk ia dolën ta mundnin virusin.

Lajmi i mirë, sado që Qeveria doli më herët ta festonte milionëshin, është se numri i dozave të administruara në Kosovë (nuk e di a ka kush evidencë se sa njerëz janë vaksinuar në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Mal të Zi) ka arritur në 995.930 doza (pra milionëshi do të mbërrihet sot) dhe se 347.344 njerëz i kanë marrë të dyja dozat (diku rreth 20% e gjithë popullsisë). Lajm edhe më i mirë do të ishte nëse deri në fund të këtij muaji numri i dozave të dyta ta kalonte gjysmë milionëshin.

Sado që pati telashe edhe me sistem te regjistrimit, edhe me organizimin e çuditshëm dhe pushimet për fundjavë e festa të tjera, e edhe me vonesën e ardhjes së vaksinave në vend, megjithatë është bërë një punë kolosale. E edhe me kolosale do të bëhej po qe se refuzuesit e vaksinës do të bindeshin se duhet marrë atë, nëse jo për vete, atëherë gjithsesi për të afërmit e tyre.

* * *

Një ditë e javës që po e lëmë prapa qe ndër më të këqijat që i kemi përjetuar në shumë kohë. Mëngjesi i së mërkurës agoi me lajmin e tmerrshëm për djegien e dy fëmijëve në shtëpinë që e kishte kapluar flaka në Ujz të Gjakovës.

Ende nuk dihen shkaqet që e shkaktuan zjarrin, porse pamjet prej atje tregonin për shkatërrimin e themeltë të shtëpisë që ka mundur të jetë shkaktuar nga rryma. Dhe jo domosdo nga ndonjë defekt i KEDS-it, i cili megjithatë nuk duhet përjashtuar. Rasti, natyrisht, është nën hetime.

Disa orë më vonë, doli informata se 24 veta nuk ia kishin dalë t'i shpëtonin virusit. Ndërkohë, derisa po pritej fillimi i ndeshjes kundër Spanjës, u bë e ditur se dy njerëz kishin vdekur në Pejë. Fjalët e para që erdhën nga Peja linin të nënkuptohej se bëhej fjalë për një atentat ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të Pejës.

Më vonë u kuptua, se në fakt dy të vdekurit ishin që të dy anëtarë të PDK-së dhe se në fakt kishin pasur konflikt të armatosur të ndërsjellë.

Çështja e zyrtarëve të PDK-së mbetet shumë e paqartë, edhe pas marrjes në pyetje të personit të tretë të përfshirë në këtë ngjarje tragjike. Shumë kundërshti e alogjizma në atë që kemi dëgjuar deri tash.

Tash pos dëshmitarëve okularë, që duket se ekzistojnë, çelësi i zgjidhjes së kësaj tragjedie duket të jetë te kamerat e sigurisë të objekteve përreth vendit ku ka ndodhur kacafytja.

Shtrohet pyetja shumë legjitime se përse dy kolegë partie, ani pse prej komunave të ndryshme, janë takuar dhe me vete kanë bartur armë?

Njëmend është tepër e pakuptueshme se përse duhet bartur armë, posaçërisht zyrtari i një partie, nëse kjo nuk është punë që ia rekomandojnë autoritetet e sigurisë, për shkak të ndonjë kërcënimi. Përse cilado mosmarrëveshje, e supozoj se këtu ka ekzistuar një e tillë, duhet të zgjidhet me armë. Në këtë rast, as njëri e as tjetri nuk i mbijetuan duelit plot plumba. Dhe më e keqja është se cilado të ketë qenë arsyeja, nuk ia ka vlejtur jetën e asnjërit prej tyre.

Mbrëmja u mbyll me një tjetër tragjedi, kësaj radhe në Tetovë.

Ndërtesa montazhe ku ishin vendosur për trajtim rastet me Covid, u dogj. Oksigjeni brenda vetëm e lehtësoi procesin, i cili i mori jetët e 14 personave. Dymbëdhjetë pacientë dhe dy përcjellës.

Shumë gjëra mbetën të paqarta - nëse objekti ka qenë teknikisht në rregull; pse nuk ka pasur sistem alarmi dhe të mjeteve për fikjen e zjarrit në rast urgjence dhe si u bë që asnjëra nga viktimat të mos jetë personel mjekësor. Porse vijuan veprimet politike me të cilën u mor përgjegjësia, qoftë edhe morale, për tragjedinë e ndodhur: dhanë dorëheqjen dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, zëvendësministri i Shëndetësisë (që të tre shqiptarë) dhe në fund edhe vetë ministri maqedonas, Filipçe.

Mbas një kohe shumë të gjatë na bie të dëgjojmë se dikush ka dhënë përgjegjësi morale për një tragjedi që me siguri ka mundur të shmangej. Nëse hetimet do të zhvillohen me seriozitet, mbase përfundimi do të jetë se dikush do të japë edhe përgjegjësi penale për këtë ngjarje të tmerrshme.

Në Kosovë, me gjithë numrin e madh të viktimave e të të infektuarve për shkak të hapjes së pakontrolluar në qershor, dorëheqje nuk dhanë as drejtori i IKSHKP-së e as ministri i Shëndetësisë.

Po të kishin ndodhur dorëheqjet, kjo do të kishte qenë vendosje e një standardi që vazhdon të mungojë në vendimmarrjen kosovare.

* * *

Mosdorëheqja e Vitisë natyrisht se lidhet për zgjedhjet e tetorit. Është kandidati i VV-së për Prishtinës.

Po të jepte dorëheqjen si ministër për shkak të valës së pakontrolluar të pandemisë, e jo për shkak të fushatës apo edhe zgjedhjeve, gjithsesi do të interpretohej si dështimi i tij personal. E kjo, natyrisht se do të mund të ndikonte te votuesit.

Sot pritet të shihet nëse Qeveria e miraton zgjatjen e masave edhe për dy javë, siç, nga burimet, e paralajmëruam dje. Mbetet të shihet edhe nëse, mbështetur në Ligjin për Pandeminë, do të dilet me propozimin që të mos ketë fushatë me prani fizike për këto zgjedhje.

Të gjitha masat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren gjatë ditëve në vijim nuk do të kenë asnjë kuptim të vetëm përderisa do të lejoheshin tubimet me qindra apo edhe mijëra njerëz, "me kusht që mbajnë maska e distanca". E kemi dëshmuar se nuk kemi fije disipline dhe te politikanët gjejmë shembullin më të keq të mundshëm, sepse janë shkelësit e parë të rregullave që i caktojnë vetë.

Pra duke i pasur krejt këto parasysh, prapë po e përsëris atë që e kam shprehur publikisht ka disa javë: se nuk duhet lejuar asnjë ditë fushate me prani fizike në asnjë vend të vetëm në Kosovë. Se po qe se merret vendimi që të mos ketë fushatë, do të jepet autorizim i veçantë policisë që t'i arrestojë ata që e thyejnë këtë vendim. Ditën e zgjedhjeve duhet siguruar që të mos ketë tollovi nëpër ndërtesa ku votohet - që të kufizohet numri i atyre që hyjnë të votojnë dhe të mbahet rendi i pritjes me distancë.

Këto janë ca propozime, edhe pse një mike imja e dha edhe një propozim edhe më drastik: që votimi t'u lejohet vetëm atyre që e kanë kartonin e vaksinimit. Do të ishte mirë, porse nuk më duket se do të gjente mbështetje ligjore. E do të ishte tepër e koklavitur që lënda më pas të shkonte në Kushtetuese e që zgjedhjet të anuloheshin për këtë arsye.

Sido që të jetë, janë propozime shumë të realizueshme dhe aspak të komplikuara. Porse nuk e besoj se janë propozime që u konvenojnë kandidatëve dhe të tjerëve, pavarësisht faktit se do të kenë hapësirë të madhe mediatike në ditët në vijim, për shkak se të gjitha mediumet do të merren me zgjedhjet.

Për më tepër, me paraqitjen e tyre nëpër ekrane televizive, do t'i detyronin edhe përkrahësit e tyre të rrinin në shtëpi për t'i dëgjuar. Pos në rastet kur marrin detyra partiake për "t'i bindur" të papërcaktuarit dhe kur për këtë punë duhet të shkojnë kafeve ose shtëpi më shtëpi.

* * *

Asgjë pos shëndetit dhe jetës së njerëzve që e bëjnë popullin në këtë shtet nuk kanë vlerë më të madhe. As edhe një vdekje e parandalueshme nuk mund të arsyetohet me thënien "e kemi ditur se do të shpërndahet virusi, por jo kaq shpejt". Po ta kishit ditur, po të kishit besuar se do të shpërndahet shpejt, nuk do të dorëzoheshit para presionit të dasmaxhinjve.

Do të thoshit: shëndeti dhe jeta janë para të gjithave.

Tash e keni rastin që të mos e përsëritni gabimin e qershorit. Fushatën nuk duhet lejuar me prani fizike asnjë ditë të vetme, pavarësisht çmimit politik që do të mund ta paguante cilado parti. Ky çmim përherë do të ishte më i ulët sesa madje edhe një jetë që ka mundur të ruhet e shpëtohet.

flaka@koha.net