Vështrime

“Ballkani i hapur“ - mos u vaftë mendja

Historia e shkurtër e përpjekjes që, me idenë dhe logjikën e komunikimit më të mirë dhe bashkëpunimit ekonomik të vendeve të pjesës lindore të ish-Jugosllavisë, të përmirësohen marrëdhëniet dhe të sheshohen “pjerrinat” e shumta ndërshtetërore dhe ndërkombëtare, mosmarrëveshjet dhe përplasjet, merr fund, sipas të gjitha gjasave, me përpjekjen e ngathët me emër të hapur dhe me motive e synime të (pa)qarta dhe të (pa)njohura. Korniza e re e paralajmëruar në mënyrë bombastike e “bashkëpunimit rajonal” nuk i anashkalon vetëm përpjekjet dhe përvojat e të dikurshmit Pakt Stabiliteti, të CEFTA-s, Procesit të Berlinit, tregut të përbashkët rajonal, Minishengenit dhe nismave e përpjekjeve të shumta të tjera, por në rastin më të keq dhe më të rrezikshëm përvijon nëpër problemet dhe rreziqet e hapura rajonale – pikësëpari atyre që kanë të bëjnë me marrëdhënien serbo-kosovare, por edhe gjendjes së brishtë në Bosnjë-Hercegovinë. Vuçiqi dhe Rama, e edhe Zaevi i kyçur, do t’i bënin shërbim të madh Ballkanit Perëndimor sikur të lejonin që fqinjët të mendojnë ndonjë gjë dhe të propozonin. Aleatët dhe këshilluesit e kësaj tresheje, pa marrë parasysh se prej cilës anë të botës vijnë, harruan t’ua sugjerojnë këtë “imtësi” të dobishme”

Pothuajse askush nuk e veneroi se negociatat Kurti-Vuçiq dështuan para se të nisnin. Aty presidenti serb, në praninë e dyshes spanjollo-sllovake të BE-së – Borrell dhe Lajçak, të cilët, falë rrjedhës së pafat dhe të rastësishme të ngjarjeve, vijnë pikërisht nga vendet që (ende) nuk e kanë pranuar njërën palë negociuese si vend të pavarur – e refuzoi me vendosmëri morinë e përgatitur kujdesshëm të propozimeve të kryeministrit kosovar.

Raundi i parë i këtyre negociatave, potencialisht shumë më të rëndësishme për të gjithë Ballkanin, e edhe më gjerë, pra ka përfunduar pa rezultate, si rrjedhojë e paaftësisë me sy të dukshme të përfaqësuesve evropianë për ta përmëshiruar Vuçiqin (i cili, me këtë rast, i merr funksionet kushtetuese të kryeministres serbe, meqë ra fjala) dhe për ta krijuar situatën që negociatat të kenë sadopak kuptim dhe që të paktën të tregojnë disa rezultate pozitive në një të ardhme të parashikueshme. Mossuksesi ishte i dukshëm edhe në sytë e atyre që nuk i njohin rrethanat, andaj edhe shtypi servil serb, në Serbi dhe në rrethinë, e heshti “në mënyrë elegante” një tjetër “fitore” diplomatike të presidentit të Serbisë dhe kreut të serbëve.