OpEd

Gjuha e ekstremit që përjashton shumicën

Kompania ajrore gjermane “Lufthansa” dhe ajo zvicerane “Swiss” nuk do t’i përshëndesin më pasagjerët me “zonja dhe zotërinj”. Pse? Sepse gjoja kjo përshëndetje nuk i përfshinë edhe ata që s’ndihen as burrë, as grua. Mbi çmendurinë e barazisë të ndjekur nga grupet e interesave partikulare

Veshi i pasagjerit deri më tani ishte kështu i mësuar: “Zonja dhe zotërinj, mirë se vini në bordin e kompanisë ‘Swiss’. Fluturimi ynë për në Prishtinë zgjat...”. Në të ardhmen kjo përshëndetje nuk do të dëgjohet më. Ekipi i avionit do t’i përshëndesë pasagjerët me “përshëndetje gjinoro-neutrale”, për shembull “Mirëmbrëma”, “Mirëdita” ose “Mirë se vini në bord”. Kompania ajrore gjermane “Lufthansa” dhe ajo zvicerane “Swiss” kanë vendosur ta heqin përshëndetjen “zonja dhe zotërinj”. Pse? Sepse gjoja kjo përshëndetje nuk i përfshinë edhe ata që s’ndihen as burrë, as grua. Ky është triumfi i radhës i grupeve që ndjekin interesa partikulare dhe kështu përjashtojnë shumicën, në mbrojtje të pakicave që nuk duan të identifikohen as si burrë, as si grua. Numri i këtyre njerëzve është tmerrësisht i vogël dhe mund të ndodhë që në 99 për qind të fluturimeve të mos jetë asnjë njeri që s’ndihet as burrë, as grua, por këta prapë ia imponojnë shumicës vullnetin e tyre.

Është e vetëkuptueshme se askush nuk duhet të diskriminohet. Aq më tepër nuk guxon të diskriminohet dikush për shkak të identitetit gjinor, seksual e të çfarëdollojshëm. Por, shembulli i heqjes së përshëndetjes “zonja dhe zotërinj” tregon se si beteja për barazi mund të shndërrohet në absurditet. Qe një shembull: në Lojërat Olimpike në Tokio si peshëngritëse do të marrë pjesë Laurel Hubbard. Ajo dikur ka qenë burrë, kur ishte më e re merrte pjesë në gara si burrë, por në moshën 30-vjeçare vendosi ta ndërrojë gjininë. Kjo është e drejtë e saj. Por, tani si 43-vjeçare ajo merr pjesë në gara si grua, ndonëse biologjikisht është burrë dhe, rrjedhimisht, fizikisht ka përparësi ndaj grave.

Te “Paradoksi i tolerancës”, filozofi Karl Popper, babai i shoqërisë së hapur, shkruan: “Toleranca e pakufishme domosdoshmërisht çon në zhdukjen e tolerancës. Sepse nëse tolerancën e pakufishme e zgjerojmë edhe te jotolerantët, nëse nuk jemi të gatshëm ta mbrojmë rendin tolerant shoqëror kundër sulmeve të jotolerancës, atëherë tolerantët do të asgjësohen dhe bashkë me ta edhe toleranca”. Te kryevepra e tij “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj”, Popper nënvizon se duhet përdorur të drejtën për të vepruar kundër jotolerantëve. “Kërkesën për jotolerancë dhe përndjekje duhet ta trajtojmë si kriminale sikur thirrjen për vrasje, plaçkitje apo rikthim të tregtisë me skllevër”.

Se ku arrin absurditeti gjuhësor, tregon rasti i qytetit të Bonnit, ish-kryeqytet i Gjermanisë, i qeverisur nga një politikane e gjelbër, të cilët janë super të ndjeshëm. Në të ardhmen nuk ka më “pronar automjeti”, por “person automjetmbajtës”, s’ka më mërgimtar, por persona me prejardhje migruese, s’ka më parashtrues kërkese, por “person kërkesëshpallës”. Mjeku i praktikës së përgjithshme bëhet “person që praktikon mjekësinë e përgjithshme”, astronauti është “person që shkon në gjithësi”, autori është “person libërshkrues”.

Këtu s’bëhet fjalë për barazi. Këtu bëhet fjalë për ushtrim pushteti me metoda të dyshimta gjuhësore. Çka është krijuar me shekuj, hidhet në bërllok në emër të një tolerance që përjashton shumicën – me gjuhë ekstreme.

Në fluturimet e kompanisë ajrore zvicerane për në Prishtinë deri më tani pasagjerët përshëndeteshin kështu nga ekuipazhi: “Zonja dhe zotërinj mirë se vini në bordin e kompanisë ‘Swiss’. Fluturimi ynë për në Prishtinë zgjat...”. Dhe përshëndetja është edhe në gjuhën shqipe. Mbetet të shihet si do të jetë në të ardhmen. Ndoshta vetëm “Mirëdita të pranishëm”. Ose “mirëmbrëma i madh e i vogël”. Debati për shmangien e diskriminimit do të mund të ishte më racional duke u përpjekur që të mos dëmtohet shumica. E shumica e kësaj bote ende janë – gra dhe burra. Kjo nuk domethënë që duhet përjashtuar të tjerët, por as nuk duhet krijuar ideologji kinse barazie që s’ka asnjë kuptim.