OpEd

Vaksinohu!

Në këtë çast, edhe pas 15-16 muajsh jete me një virus që askush nuk e deshi, më e rëndësishmja, ndër të gjitha, është shëndeti i popullatës. Për aq sa kanë përgjegjësi punëtorët shëndetësorë që të kujdesen për ne, edhe ne duhet të kujdesemi për veten dhe të tjerët. E mënyra më e lehtë, në këtë rast dhe këtë çast, është që t'i marrim të dyja dozat, e po qe nevoja edhe të tretën për t'u mbrojtur nga ky virus. Vaksina shpëton jetë. Nuk ka arsye për të mos e marrë. Përkundrazi.

Në tri ditët e fundit ka nisur të rritet numri i të infektuarve me koronavirus dhe nuk është e qartë po qe se bëhet fjalë për variantin Delta apo cilin variant, sepse ky detaj nuk po bëhet publik.

Ndërkohë, pas piskamës shumëmujore që e bëmë për vaksina dhe faktin se ishim shteti i fundit në Evropë që nisi me vaksinimin masiv të popullatës, pas tre muajsh qëkur ka nisur vaksinimi, gjithsej janë vaksinuar mbi 241 mijë qytetarë me dozën e parë dhe mbi 102 mijë me të dytën.

Pra nëse thuhet se duhen vaksinuar 1.2 milionë njerëz (pra 70% e popullsisë), atëherë del se 20% e kanë marrë dozën e parë dhe 8.5% të dyja dozat. Pas tre muajsh dhe të gjitha atyre dozave që kanë mbërritur, kjo është shifër e pamjaftueshme.

Përderisa ishte e qartë se në fillim nuk mund të vaksinoheshin shumë njerëz për shkak se nuk kishte doza të mjaftueshme, tash doza ka, porse duket se nuk ka vullnet të madh për t'u vaksinuar. Arsyet pas një sjelljeje të këtillë mund të jenë disa - dhe të parat mund të lidhen me ngathtësinë operative të MSH-së me sistemin e paraqitjeve online dhe me përparësinë që iu dha, me të drejtë, grupeve të rrezikuara.

* * *

Problemet e para te vaksinimi u shfaqën me sjelljen e punëtorëve shëndetësorë që refuzuan ta merrnin vaksinën Astra Zeneca, me shumë arsyetime të kota. Dhe kjo ishte porosia e parë dhe e keqe për të gjithë popullatën, posaçërisht për ata që kishin dyshime edhe ashtu nëse duhej marrë dozën ose jo.

Me vaksinat e para që na kishin arritur në mars, megjithatë doli se stafi shëndetësor nuk u vaksinua i tëri, për shkak se shumë sish mbetën në pritje të Pfizerit, që do të vinin në maj a qershor.

Komplikime pati me sistemin e regjistrimit online - përderisa në fillim u kërkuan ca selfie kot, më pas kjo procedurë u thjeshtësua, porse caktimi i terminëve bëhej tepër i vështirë. Përgjigjja e zakonshme që paraqitej në ekran qe se nuk kishte termin të lirë, në kohën kur numri i të vaksinuarve ishte relativisht i vogël.

Pasi iu dha përparësi rasteve kronike, shumëkush e keqpërdori këtë mundësi dhe mori vaksinën para grupeve njëmend të rrezikuara. Vetëm ankesat e shpeshtuara e detyruan MSH-në që t'i udhëzonte mjekët që të kërkonin dëshmi se ata që vinin për t'u vaksinuar me këtë mundësi, njëmend ishin raste kronike.

Dikur edhe kjo fazë kaloi, dhe më në fund MSH-ja vendosi ta hapte sistemin për të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç. Fluksi i ditëve të para u ndërpre menjëherë në çastin kur u vendos të administrohej vetëm Astra Zeneca, së cilës po i kalonte afati. Për kot, njerëzit ktheheshin prapa, të frikësuar nga efektet e mundshme anësore që kanë qenë tepër të rralla në të gjithë botën me të gjitha vaksinat, e jo vetëm me Astran.

* * *

Hapja e mundësisë për të gjithë pësoi edhe një goditje tjetër të radhës me një vendim absolutisht të çuditshëm të MSH-së: që qendrat e vaksinimit, së paku kjo më e madhja në Prishtinë, të mos punonin për fundjavë. Apo edhe për Bajram. Nuk ka vendim më absurd se ky, kur bëhet fjalë për emergjencë shëndetësore. Për shkak se jo të gjithë qytetarët dalin jashtë Kosove për vikend, e as të gjithë nuk e festojnë Bajramin. Përderisa në të dyja rastet ka mundur të zvogëlohej numri i ekipeve të angazhuara për vaksinim, mbyllja e sallës “1 Tetori” e besoj se është gabim.

Një vendim i këtillë mund të ketë logjikë vetëm nëse nuk ka doza të mjaftueshme, dhe nëse është kështu rasti, atëherë MSH-ja duhet të dalë e të tregojë se nuk ka mjaft doza. Porse doza duket se ka - mirëpo ka edhe shumë të tillë që nuk duan ta marrin vaksinën për një arsye ose tjetrën.

Pra, në javën e fundit janë vaksinuar 32,534 njerëz, mesatarisht nga 4.600 njerëz në ditë - që janë pak, shumë pak, duke e pasur parasysh shkujdesin maksimal që e tregojnë qytetarët në Prishtinë (po e besoj njësoj është edhe në komunat e tjera).

Prejse ka nisur vaksinimi masiv, maskat janë bërë objekt talljeje me ata pak njerëz që vazhdojnë t'i bartin, pavarësisht nëse e kanë marrë vaksinën ose jo.

* * *

Në kohën e karantinës ishim të frikësuar kolektivisht, dhe u jemi përmbajtur udhëzimeve për ruajtjen e higjienës dhe të pastërtisë. Të rrallë kanë qenë ata që nuk e kanë bartur maskën, e madje edhe dorëzat e gomës kur i kanë frekuentuar supermarketet (të vetmet të hapura në atë kohë).

Ka disa muaj që jo vetëm se nuk ka dezinfektues nëpër shitore e markete, porse nuk ka as maska e as mbajtje të distancës. Me ardhjen e mërgimtarëve për pushime, qyteti është mbushur përplot, dhe lëre që të gjithë ecin tubë, por të gjithë konsumojnë shtalb e të ngjashme në ecje e sipër, pa u brengosur fare për distancë apo maskë. Me gjasë do ta kenë përjetuar çlirimin nga masat në shtetet prej nga kanë ardhur. E duke i marrë ata për shembull edhe ne "vendasit" kemi vendosur të veprojmë njësoj: të bëhemi të gjithë "laba" e të dalim e të themi se virusi nuk ekziston.

Sinqerisht, nuk e kam hallin nëse infektohen ata që refuzojnë ta bartin maskën. E kam hallin se shumëkush mund të infektohet nga ta, sepse këta janë potencialisht bartës të virusit, i cili, qëmoti e kemi të qartë, nuk do të zhduket vetvetiu.

Hapja edhe e lokaleve për ahengje e dasma do ta rrisë gjithsesi numrin e të infektuarve, sepse vështirë se pronarët e lokaleve do t'u përmbahen rregullave: kanë ndenjur një vit e disa muaj pa punuar fare dhe tash e shohin rastin për të gjeneruar të hyra. Nuk ka dert nëse ndokush edhe e merr virusin. U mësuam më.

* * *

Me një status në FB e kisha shpjeguar se më 1996 Kosova kishte ndërmarrë, në kushte të okupimit, një fushatë për t'i vaksinuar fëmijët të moshës 0-5 vjet kundër paralizës së fëmijëve. Për ta realizuar këtë synim, 7 mijë aktivistë të SHHB "Nëna Terezë" kishin shkuar derë më derë për t'i regjistruar fëmijët dhe për t'ua nisur ftesat për vaksinim. Dhe bëhej fjalë për 240 mijë fëmijë në të gjithë Kosovën, në kohën kur nuk ka pasur as internet e as telefona të mençur. Bile në rastin e Kosovës as mediume, pos lajmeve të orës 18:30 që i shikonim "në satelit".

Për t'i bindur prindërit se kjo nuk ishte fushatë sterilizimi a infektimi të qëllimshëm, siç dëgjohej që flitej, së bashku me dr. Gani Demollin, ai në emër të Shoqatës e unë në emër të UNICEF-it, nuk kemi lënë derë pa trokitur dhe pa i vizituar përgjegjësit e arsimit në secilën komunë, pa vizituar oda nëpër fshatra në kërkim të përkrahjes së kryepleqve dhe në fund pa u takuar me prijësit myslimanë e katolikë në Kosovë.

Të gjithë, me aq autoritet sa kishin, u flisnin bashkëfshatarëve dhe i ftonin prindërit t'i çonin fëmijët në vaksinim. Nga ana tjetër, BIK-u kishte udhëzuar imamët që xhumanë para fushatës t'ia kushtonin vaksinimit, e Ipeshkvia e Kosovës, të ngjashmin udhëzim ua kishte dhënë famullitarëve, duke kërkuar që mesha e së dielës t'i kushtohej kësaj thirrjeje.

240 mijë fëmijë u vaksinuan - dhe Kosova pas disa vjetësh u shpall vend që nuk ka më poliomielit. E megjithëkëtë, brezat e pasluftës vazhdojnë ta kenë të obligueshëm vaksinimin kundër poliomielitit.

Vaksinimit kundër COVID-it i mungon mobilizimi social, siç e patëm quajtur atëherë. I mungon një fushatë vetëdijesimi, e thjeshtë, por e efektshme; mungon komunikimi direkt me masën nga ana e profesionistëve shëndetësorë, mungon edhe ndihma nga komunitetet fetare që mund të ndikojnë te besimtarët e tyre. Mungon prezenca e artistëve shumë të popullarizuar që me shembullin e tyre t'i tërheqin ata që hamendësohen apo thjesht përtojnë ta marrin vaksinën.

Kosova nuk e ka luksin që të karantinohet sërish. Shifrat e rritjes ekonomike që po përmenden nuk e di sa janë reale - ngase e marrin për bazë sasinë e të hollave që i mbledh buxheti. Kjo nuk është rritje, është disiplinë më e mirë fiskale. Porse fakti mbetet se shumë njerëz kanë humbur punën dhe ato vende pune janë shumë zor të rihapen në këto kushte. E veç paramendoni se si do të ishte po qe se do të mbylleshim sërish.

* * *

Në këtë çast, edhe pas 15-16 muajsh jete me një virus që askush nuk e deshi, më e rëndësishmja, ndër të gjitha, është shëndeti i popullatës. Për aq sa kanë përgjegjësi punëtorët shëndetësorë që të kujdesen për neve, edhe ne duhet të kujdesemi për veten dhe të tjerët. E mënyra më e lehtë, në këtë rast dhe këtë çast, është që t'i marrim të dyja dozat, e po qe nevoja edhe të tretën për t'u mbrojtur nga ky virus.

Vaksina shpëton jetë. Nuk ka arsye për të mos e marrë. Përkundrazi.