OpEd

Mobilizimi i qyteteve në bashkëpunim me qytetarët

Duhet ta mbajmë në mend këtë mësim, kur përballemi me probleme të tjera të tilla, si ndryshimi klimatik dhe padrejtësia socio-ekonomike. Përderisa mijëra njerëz të dëshpëruar u janë drejtuar qeverive të tyre lokale për t’i mbështetur financiarisht, janë zbuluar papërshtatshmëritë e rrjeteve të sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara

“Qytetet e kanë aftësinë të sigurojnë diçka për të gjithë”, kishte thënë dikur urbanisti amerikan Jane Jacobs, “vetëm sepse, dhe vetëm kur krijohen nga të gjithë”.

Sot duhet ta zbatojmë atë fragment mençurie në politikëbërjen pas pandemisë COVID-19. Nëse rimëkëmbja nga pandemia nuk ndihet në vendet ku njerëzit jetojnë, nuk do të jetë sukses dhe nuk do t’i trajtojë pabarazitë dhe padrejtësitë themelore që qëndrojnë në zemër të kësaj krize.

Për të arritur rimëkëmbjen e vërtetë ekonomike dhe shoqërore, për të cilën kemi shumë nevojë, qeveritë qendrore duhet të bëjnë më shumë për t’i fuqizuar qytetarët, komunitetet dhe qeveritë lokale.

Mendoni për Camden, një nga qytetet më të brendshme të Londrës. Pasi ka kaluar më shumë se një vit nëpër humbje dhe dhimbje, banorët dhe qeveria lokale tani refuzojnë të vendosin për t’iu kthyer “normalitetit të vjetër” që po dështon te njerëzit dhe planeti. Ata janë pjesë e një konsensusi të gjerë dhe në rritje që mbron një ekonomi të re, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme - dhe kanë rol kryesor në formësimin e saj.

Në mars të vitit 2020, muaji kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19 pandemi, Këshilli i Camdenit u zotua zyrtarisht se asnjë banor nuk do të mbetej i uritur dhe as nuk do të dëbohej nga shtëpia; që asnjë punonjës i kujdesit nuk do ta humbte vendin e punës për shkak se është sëmurë; dhe se të gjithë do të vlerësoheshin dhe trajtoheshin me dhembshuri.

Për t’i përmbushur këto premtime, Këshilli u riorientua dhe mobilizoi një ekip të stafit të rishpërndarë dhe mijëra vullnetarë, për të ofruar shërbime të reja, për ta parandaluar urinë, për t’i mbështetur bizneset në gjendje të vështirë, për t’i mbrojtur fëmijët e pambrojtur dhe të rriturit e izoluar dhe për t’i siguruar të rinjtë që mund të vazhdojnë të mësojnë në shtëpi. Qyteti krijoi shpejt qendrat lokale të testimit COVID-19 dhe njësitë lëvizëse të vaksinimit (përfshirë një autobus shkollor të ripërdorur), duke ndihmuar në kompensimin e disa prej gabimeve të qeverisë qendrore dhe caktimin e shërbimeve atje ku ishin të nevojshme në zemër të komunitetit.

Camden nuk është unik. Në të gjithë botën qytetarët dhe qeveritë lokale kanë punuar shumë së bashku për ta menaxhuar krizën. Modelet dhe eksperimentet lokale gjetën mënyra për ta zgjeruar mbështetjen për ata që mbeten pas nga sistemi qendror. Kur qeveritë lokale dhe komunitetet kanë burimet e nevojshme dhe kur janë të autorizuar të veprojnë, do të krijojnë zgjidhje efektive, që askush në nivelin qendror as nuk do t'i kishte menduar - zgjidhje që i sjellin më të mirat në marrëdhëniet dhe burimet dhe kapacitetet tona të përbashkëta.

Duhet ta mbajmë në mend këtë mësim, kur përballemi me probleme të tjera të tilla, si ndryshimi klimatik dhe padrejtësia socio-ekonomike. Përderisa mijëra njerëz të dëshpëruar u janë drejtuar qeverive të tyre lokale për t’i mbështetur financiarisht, janë zbuluar papërshtatshmëritë e rrjeteve të sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara. Fakti që secila valë e COVID-19 ka goditur më rëndë komunitetet pakicë, flet për pabarazi sistematike racore që kanë nevojë për vëmendjen tonë urgjente.

Por nëse qeveritë lokale duan të përballen me këto sfida, nevojiten më shumë investime. Në Mbretërinë e Bashkuar këshillat po përballen me mungesa të mëdha pas një dekade të financave të ulëta dhe Qeveria qendrore tashmë duket se po tërhiqet nga zotimet e bëra gjatë krizës. Në vend ekziston një vrimë për vitet 2021-22 prej 2.6 miliardë funtesh në financat e këshillit nga boshllëqet ekzistuese dhe ato shkaku i pandemisë.

Trajtimi i këtyre çështjeve kërkon ambicie. Nga ana e tij, Këshilli i Camdenit po përdor një qasje të bazuar në mision, përmes së cilës organizatat publike, private dhe civile do t’i ndajnë burimet dhe do të punojnë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta. Kjo mund të jetë një epokë e re e qeverisjes lokale, ku këshillat mendojnë për veten e tyre, jo si rregullues që ulen prapa, duke u shfaqur vetëm kur gjërat shkojnë keq, por si formues të tregut, që luajnë rol qendror në mënyrën se si krijohen dhe shpërndahen vlerat në nivel lokal.

Qeveritë lokale mund ta bëjnë këtë në mënyra të ndryshme. Përmes taksave lokale mund të krijohen fonde, me paratë e investuara në komunitet. Dhe duke vendosur kushte për investimet private, mund të sigurojnë që sipërmarrjet e tilla t’u shërbejnë interesave publike.

Në Camden, kjo punë po bëhet përmes një partneriteti mes Këshillit dhe Institutit për Inovacion dhe Qëllime Publike në Universitetin e Londrës. Kemi filluar me Komisionin e Rinovimit, një task-forcë e përkushtuar për t’iu ndihmuar organizatave publike, private, akademike dhe civile që të investojnë në çdo pjesëtar të komunitetit tonë.

Komisioni beson se politika fillon duke i dëgjuar të tjerët. Gjatë gjashtë muajve të fundit kemi qenë duke dëgjuar kontributin e partnerëve dhe komuniteteve tona dhe duke prodhuar misione të dizajnuara për t’i trajtuar sfidat e ndërthurura të pabarazisë racore, varfërisë ushqimore dhe ndryshimit klimatik. Këto misione të drejtuara nga komuniteti do të gjallërohen në shkolla, banesa, rrugë, biznese dhe qendra rinore - vende ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin çdo ditë.

Duke punuar me sipërmarrësit socialë dhe me studiuesit e komunitetit nga çdo fushë e jetës, qeveritë lokale mund të zhbllokojnë një epokë të re të udhëheqjes qytetare. Kjo tashmë ka filluar të ndodhë. Në qytetin Kentish të Camdenit, një sipërmarrje e re qytetare, e drejtuar nga vendësit, po ofron hapësirë ​​për projekte të reja, një kooperativë ushqimore dhe mbështetje për refugjatët.

Po e zbulojmë fuqinë që qytetarët e kanë për t’i përmirësuar lagjet e tyre, së bashku me Këshillin që ka një rol ndihmues. Për shembull, pasi dëgjuan nga të rinjtë zezakë se kishin problem ta imagjinonin veten në pozita të rëndësishme sepse historinë e tyre e kanë parë vetëm përmes skllavërisë, shkollat ​​e Camdenit tani po punojnë për ta mbushur me diversitet programin mësimor.

Asambletë e qytetarëve gjithashtu mund të ndihmojnë për të krijuar koalicione të reja për ndryshime. Pas organizimit të asamblesë së parë të qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2019, Camden e ka dyfishuar gjatësinë e rrjetit të korsive të biçikletave dhe e ka përfunduar punën në një projekt të madh me energji të ulët dhe karbon të ulët. Camden është gjithashtu duke punuar në prona për t'ua dhënë pushtetin qiramarrësve - duke i mbështetur që të vendosin se si të shpenzojnë buxhetet e komunitetit dhe të investojnë për një kohë të gjatë.

Të gjithë mund të frymëzohemi nga udhëheqësit lokalë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën, të cilët po e zbatojnë rregulloren dhe po ndajnë pushtetin me komunitetet e tyre. Përvoja gjatë pandemisë në Camden e ka shpërfaqur nevojën urgjente për ta trajtuar pabarazinë - si dhe atë se çfarë mund të arrihet kur ka qëllim të përbashkët dhe zotim për të punuar me komunitetet. Mbi të gjitha, rimëkëmbja ekonomike nuk do të matet vetëm duke trajtuar bizneset e reja, GDP-në ose vendet e punës, por edhe duke trajtuar indekset që matin lidhjen, përkatësinë, arsimin joformal, sigurinë ekonomike dhe barazinë.

Besojmë se shembujt lokalë si Camden mund të bëhen histori kombëtare në shumë vende. Por së pari qeveritë e shteteve duhet t’u japin më shumë pushtet dhe burime autoriteteve lokale. Komunitetet lokale kanë kreativitet dhe energji për t'u transformuar, vetëm nëse i lejojmë.

(Mariana Mazzucato, profesoreshë e Ekonomisë së Inovacionit dhe Vlerave Publike në Universitetin e Londrës, është drejtoreshë e Institutit për Inovacion dhe Qëllime Publike. Është autore e librit “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism”. Georgia Gould është udhëheqëse e Këshillit të Qytetit të Camdenit dhe kryetare e Këshillave të Londrës. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)