OpEd

Kuptimi i emrit

Çështja e emrit nuk është asnjëherë e thjeshtë, ndonëse në thelb është vetëm arbitrare…

Ettore Schmitzin nuk e njeh askush! Madje as adhuruesit e tij më të mëdhenj, e që nuk janë të paktë. Ai ishte një njeri i zakonshëm. Fillimisht filloi punën si bankier në një bankë austriake në Itali. Schmitz martohet me një kushërirë të afërt. Asgjë e jashtëzakonshme: Kjo është praktikë normale e tepricave të feudalizmit. Kjo praktikë ishte e zakonshme edhe ndër ato pak familje të pasura te shqiptarët. Lapërdhishmëria e klasës së lartë është konstante gjatë të gjitha formacioneve shoqërore; variabla konsiston vetëm në format e manifestimit shoqëror të saj. Pas martesës – dhe ato bëhen, mes tjerash, për të mirëmbajtur koncentrimin e kapitalit në pak duar – ai jo vetëm që u punësua në biznesin e kushërinjve, të cilët në të njëjtën kohë janë edhe miqtë e tij, por shkoi të jetonte në mansionin e tyre në Passeggio, Sant’Andrea. Si pasojë, ai fillonte të udhëtonte në Londër, sepse familja e tij vendosi të hapte një degë të biznesit atje. Mirëpo kur u hap biznesi në Londër, Schmitz u ballafaqua me një sfidë serioze. Ai nuk fliste anglisht.

Në atë kohë, në të njëjtin qytet me të, rastisi të jetonte njëri ndër novelistët më të mëdhenj të shekullit të kaluar, i cili punonte si mësues i gjuhës angleze për fëmijët e klasave të mesme të atij rajoni. Ky shkrimtar ishte James Joyce.

Dhe, këtu ndodh diçka interesante. Për shkak të nevojave të biznesit, Schmitz detyrohet të mësojë gjuhën angleze. Dhe, mësuesi i tij rastis të jetë James Joyce –ndoshta ndër novelistët më të mirë të të gjithë historisë së letërsisë botërore. Çfarë takimi! Joyce jo vetëm që bëhet mësues i Schmitzit, por për më tepër ata krijuan shoqëri të afërt. Mirëpo Joyce nuk e admironte fort nxënësin e tij. Tek e fundit, kjo nuk është e çuditshme – kërkohet talent i veçantë të kesh simpati për apo raporte normale të pëlqimit me bankier. Ekziston një diskrepancë e madhe ndërmjet realitetit intelektual të bankierit (apo, secilit burokrat e teknokrat tjetër) dhe pretendimeve të tyre. Kjo diskrepancë manifestohet në forma të ndryshme. Për shembull, Schmitz flirtonte me socializmin dhe madje identifikohej si i tillë. Kjo është karakteristikë e të gjithë punonjësve të sistemit. Bankierët, burokratët, madje edhe disa politikanë, pavarësisht qëndrimeve zyrtare dhe profesionit të tyre, kanë dëshirë të identifikohen me një rrymë subversive, qoftë ajo politike, teorike apo artistike. Dhe, këtë e thonë me gjysmë zëri, e me gjysmën tjetër si mburrje. Por subversioni është elementi i domosdoshëm konstitutiv i pozicionit të tillë ideologjik e politik. Nuk ka pozicion ideologjik pa një shkallë të subversionit. Dallimi ndërmjet perversionit dhe histerisë pahtësohet këtu. Perverzioni nuk është e kundërta e linjës zyrtare, nuk është subversion, por është shkalla riprodhuese e ideologjisë zyrtare. Ajo është gjithmonë rikonfirmim i asaj që tashmë është e etabluar. Perversioni asnjëherë nuk është subversiv. Në anën tjetër, histeria është pozicioni i vetëm subversiv, ajo që gjithnjë e rrezikon linjën zyrtare e të etabluar. Histeriku është gjithnjë-tashmë i pakënaqur dhe vë gjithçka ekzistuese në pikëpyetje. Në kuptimin psikoanalitik, mashkulli është perversi, ndërsa në pozicionin tipik e klasik të shovinizmit të tij, e quan gruan si histerike. Parehatia që ajo ia shkakton atij, duke i vënë në pikëpyetje pikërisht atë që ai e merr të mirëqenë për vetveten, është e papërballueshme për ekonominë e tij psikike. Prandaj, ai e quan gruan histerike, duke besuar e menduar se me këtë ai e zhvendos atë në departamentin e paqëndrueshmërisë nervore, por pozicioni i vetëm subverziv e progresiv është ai i histerisë. Një shembull tjetër i kësaj, në domenin e politikës, është raporti ndërmjet aktivistit dhe militantit. Përderisa i pari i takon domenit të establishmentit, pra të kategorisë së parë, militanti gjithnjë vepron nga pozicioni histerik.

Por të kthehemi te Schmitz. Ky ishte i pamjaftueshëm. Si për vetveten, po ashtu edhe në vetvete. Dhe çka bëri Joyce? Ai e donte një tjetër njeri të quajtur Italo Svevo. Ky është njëri ndër shkrimtarët më të mirë e më të mëdhenj italian të shekullit të kaluar. Joyce filloi ta admironte Svevon. Madje aq shumë e admironte saqë ia dha ta lexonte dorëshkrimin e librit të tij Dublinasit para se ai të botohej. Pra, jo Schmitzit, por Svevos. Raporti mes Schmitz dhe Svevos është interesant, sepse po flasim për të njëjtin person. Svevo është pseudonimi letrar i Schmitzit.

Në linguistikë, sidomos në atë strukturaliste, emri është arbitrar. Në instancë të fundit, ai nuk kanë kurrfarë vlere epistemologjike apo linguistike. Emri në vetvete është një asgjë (gati në nivelin ontologjik). Mirëpo emri asnjëherë nuk është i zbrazët, ai gjithmonë-tashmë është shfaqja e fantazmës së saj. Duke emëruar diçka (njeri, fenomen, apo çfarëdo tjetër), ne në këtë mënyrë evokojmë një fantazmë. Sikurse edhe gjithçka tjetër, edhe kjo gjë fillon me Platonin. Pra, problematika e emërimeve, thirrjeve, prirjeve apo pamundësisë së emrave dhe emërimeve. Madje, edhe aftësisë apo jo të emrave që të kenë kapacitetin për të shënjuar atë që mëtojnë. Kjo është objekti i diskutimit ndërmjet Sokratit, Kratylisit dhe Hermogjenit në Athinën antike, në dialogun Kratylis të Platonit. Por, më shumë se një mijëvjeçar më vonë, në të famshmin Romeo e Xhulieta, Shakespeare e shtroi të njëjtën pyetje: “Çka ka në emër?”, apo ndoshta pak më mirë: “Çka është në kuptimin e emrit?”. Dhe përgjigjja është: atë që e quajmë trëndafil/e cila me çfarëdo emri tjetër, prapë do të kishte aromë të ëmbël.” Emri në vetvete nuk mbart kurrfarë vetie, as nuk ka vlerë në vetvete a kuptim për vetveten. Emrat janë asgjë më shumë sesa etiketa që shërbejnë për të dalluar një individ nga tjetri. Te Shakespeare, Xhulieta e përdor këtë metaforë për Romeon, pavarësisht se cilin emër ai do ta kishte, ai prapëseprapë do të ishte mashkulli që ajo e dashuron. Rasti më kurioz është ai i Freudit, i cili në kryeveprën e tij, Interpretimi i Ëndrrave, flet për mënyrën se si ai ua ka lënë emrat gjashtë fëmijëve të tij. Nuk besoj se ka ndonjë prind që është relativisht “normal”, e që në një nivel nuk është së paku jashtëzakonisht i hutuar rreth emërtimit të fëmijëve të tyre. Ndonëse nga perspektiva psikoanalitike është vështirë që riprodhimi biologjik të vendoset në perspektivën e “normalitetit.” Shtatzënia apo pamundësia e saj janë ndër shkaktarët kryesorë të psikozës te gratë, dhe në literaturën bashkëkohore psikoanalitike, jo rrallëherë akti i lindjes vihet në paralele të drejtë me atë të jashtëqitjes. Tani, dilema është se cila nga këto dyja është biologjikisht esenciale! Për mënyrën e emërtimit të fëmijëve të tij, Freud zihet në dimensionin e fantazmave të së kaluarës dhe të së tashmes së tij, nga të cilat ai në një nivel nuk dëshironte të hiqte dorë. Siç shkruan ai aty, pas një momenti Freud filloi të mendonte nëse kjo ishte mënyra e tij për të arritur pavdekshmërinë. Çfarë koncepti anti-psikoanalitik; dhe thellësisht obskurantist, pra religjioz, si emër i neurozës kolektive.

Çështja e emrit nuk është asnjëherë e thjeshtë, ndonëse në thelb është vetëm arbitrare. Aspekti simbolik i tij e përtej-shkon arbitraritetin e emrit. Në rrafshin simbolik, ai është gjithnjë “emri i babait”, ku babai ekziston (thënë thjesht) si organizatori i konsensusit e rregullit. Ka diçka thelbësisht autoerotike në thirrjet publike, apo në titujt simbolikë, si p.sh. profesor, mbret, doktor, burrë, grua, prind/e, president… e kështu me radhë. Subjekti është gjithnjë i pamjaftueshëm në vetvete dhe si pasojë për vetveten. Prandaj, padurueshmëria e patetizmit të arbitraritetit të substancës individuale, e bën atë të kalojë në identifikimin me simbolikën. Kjo do të ishte tërësisht normale, sikur hapi tjetër të mos ishte i domosdoshëm. Identifikimi me titullin simbolik – i cili është i domosdoshëm për të shpëtuar nga vetvetja. Hapësira, apo diskrepanca midis realitetit të menjëhershëm të individit, dhe ikjes nga ajo nëpërmjet identifikimit, prodhon shkarje serioze në ekonominë psikike. Ndërsa efekti gjithsesi se është komik. Mjafton vetëm t’i kujtojmë momentet kur i drejtohemi dikujt me titullin e tij/saj simbolik – distanca është konstitutive dhe e pamundur për t’u realizuar. Mosmarrja seriozisht e titullit simbolik të personit të cilit i drejtohemi është konstitutive e vetë titullit simbolik. Kastrimi është gjithmonë tashmë baza e subjektivitetit. Çështja është se si e sa subjekti e merr seriozisht titullin e tij. Zatën, kjo është masa a matjes së psikozës. Titulli simbolik nuk është kurrë në vetvete, nëse nuk merret parasysh baza e saj: Çka përfaqëson simbolika e cila është e përfaqësuar?

Në politikë çështja e emrit është po aq interesante. Raporti ndërmjet identitetit dhe identifikimit është fondament i organizimit politik. Emrat e identiteteve, si i majtë, i djathtë, konservator, nacionalist, punëtor, borgjez, proletar… janë shënjues të zbrazët; pa përmbajtje e kuptim në vetvete. Identiteti – cilido dhe secili, pa asnjë përjashtim: nga ato të thjeshtat si ai kulturor e kombëtar, deri tek identitetet e ‘komplikuara’ sikurse ato seksuale – janë të krijuara në ndarje, apo mbi një çarje konstitutive. Në anën tjetër, identifikimi është proces më i komplikuar. Madje, në psikoanalizë, termi elementar është identifikimi, jo identiteti. Identifikimi nuk është apo nuk konsiston vetëm në përcjelljen (e verbër) të një mantre apo rutine tashmë të parapërcaktuar. Ajo konsiston në një qark, apo zinxhir të pamundësisë në nivelin e kontradiktës konstitutive (por jo çarjes, apo zbrazësisë). Për shembull, në psikoanalizë, në nivelin elementar, identifikimi (në fushën imagjinare) ka të bëjë me procesin e transformimit të përhershëm të subjektit kur ai e merr, pranon, apo pretendon në një imazh-si-objekt.

Kohëve të fundit, në përpjekjet e tij pothuajse të pamundshme për të përshkruar apo definuar, apo thjesht për të vendosur konturat e liderit (pa dyshim lideri nuk mund të tejkalojë horizontin Hegelian), Slavoj Žižek mendon se lideri i mirë, apo adekuat është ai që nuk fle natën. Pra, nuk fle natën për shkak të vendimeve që i ka marrë sot, dhe atyre që do të duhej t’i merrte nesër. Tingëllon mirë, madje edhe në nivelin moral nuk ka përmbushje më adekuate, kuptimplote e të realizuar. Por kjo është esencialisht e pamjaftueshme. Edhe në nivelin etik. Thënë shkurt, pavarësisht sfidave apo problemeve që i ka përpara, secili lider bën gjumë shumë të rehatshëm. Pushteti tjetërson, madje edhe deri në nivel të arrogancës. Kjo është esenciale dhe konstitutive në vetë idenë dhe natyrën e pushtetit. Në vetë emrin e pushtetit. Dhe, në vetvete, nuk ka asgjë a priori të keqe në këtë tjetërsim. Çështja është në formën e tjetërsimit e arrogancës. Pyetja adekuate është: Tjetërsim e arrogancë po, por ndaj kujt, për çka? Këtu gjërat fillojnë e komplikohen, madje shumë shpesh transformohen në përmasa jo të lezetshme, e më shpesh edhe në nivele të dëshpërueshme.

Andaj, emri i çkaje është lideri? Lideri është apo/dhe bëhet i tillë kur nuk është, apo është, por është mohimi i asaj që sot na thuhet se është lideri. Emrat që përfaqësojnë veti, si: popullor, karizmatik, modest, unifikues nuk janë asgjë tjetër veçse arbitraritet i emrave. Pra, të nevojshme, por assesi të domosdoshme. Politika është dominim e jo konsensus e dialog. Duke qenë se është dominim, është tashmë gjithnjë betejë. Ky është emri, por emri shënjues i politikës. Njeriu heq dorë nga politika, dhe degradon në nivelin e teknokracisë jo atëherë kur e pranon realitetin si horizontin ekzistues si përfundim të veprimit politik. Por ky degradim i padinjitetshëm ndodh kur politika heq dorë nga mendimi. Teknokracia është esenciale për politikën qeverisëse, por ajo mbetet teknokraci. Mendimi e bën politikën të tillë. I konstituon ato. Politika është emri i dinjitetit, jo i arbitraritetit. Mendimi ka një emër: ai është konceptual, epistemologjik, paradigmatik, strategjik, e madje taktiko-ushtarak. Me fjalë të tjera, mendimi politik, në instancë të fundit, është tashmë gjithnjë filozofik.

Filozofia është e pashmangshme, ajo ekziston tashmë gjithnjë përherë. Sikurse tek emri, prezenca e saj fantazmatike është e pashmangshme.

Sveo në kryeveprën e tij, që u botua pas insistimit heroik të Joyce dhe që e bën situatën edhe më bizare, karakteri kryesor shkon te psikoanalisti për shkak të një simptome të “thjeshtë”: lënien e cigares. Zeno, si karakteri i novelës, e koncepton secilën cigare që e ndez si të fundit. Ekonomia e kënaqësisë këtu merr formën e përsëritjes, por përsëritjes që fundin e ka fillim dhe premisë. Problemi shfaqet atëherë kur fundi merr formën e shfaqjes apo manifestimit në përsëritje.

Lideri, përderisa është përfaqësimi i emrit të tij, dhe jo arbitrariteti i tij elektoral, do të përballet me tri paradigma. Së pari, janë liderët që citojnë proverba. Ata janë asgjë tjetër përveçse common sense. D.m.th. nga ta nuk pritet asgjë interesante apo transformuese. Kategoria tjetër janë ata që nuk citojnë proverba. Këta janë teknokratët e pamëshirshëm, për të cilët fjala e ligjit është themeli dhe horizonti i veprimit. Ndërsa grupi i tretë në tipologjinë e liderëve është qenësori: ata që krijojnë proverba. Këta janë liderët transformues, revolucionarë, emancipues, etj. Në tipologjinë e liderëve (sepse politika pa liderë është e pamundur, dhe lideri duhet të jetë i fortë e i fuqishëm), lehtë është të merren shembuj. Në grupin e parë hyjnë Lula, Chavez, etj., kurse Merkel, Draghi, Xi… kategorizohen në grupin e dytë. Ndërsa grupi i tretë i liderëve është vështirë të mendohet. Dekadave të fundit, vetëm Jean-Bertrand Aristide e Alvaro Garcia Linera mund të thuhet se i takojnë kësaj kategorie.

Kjo tipologji nuk është e reduktueshme vetëm në politikë. E njëjta ndodh në letërsi, kinematografi (madje, në këtë disiplinë të artit, komplikimet janë shumë më interesante), seksualitet, filozofi... dhe (sidomos) në psikoanalizë.

Andaj, me Svevon e Shakespearen: “Çka është në kuptimin e emrit?”

(Autori është profesor i filozofisë)