Vështrime

Zhurma dhe furia e Putinit

Rusia e Putinit mund ta zgjidhte modernizimin, në vend të vrasjes. Prijësi politik i Putinit, Bashkimi Sovjetik, gjithashtu kishte ndjekur shtegun e fundit dhe Rusia e së sotmes i ngjan përherë e më shumë ish-BRSS-së, të prirë asokohe nga një burrë tjetër i KGB-së, Yuri Andropov. Rusia ka arritur në Ukrainë pikërisht aq sa ish-Bashkimi Sovjetik kishte arritur në luftën e viteve 1979-89 në Afganistan. Tani, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka njoftuar se Rusia do ta fillojë tërheqjen e trupave të saj nga rajoni kufitar i Ukrainës. Qartazi, fjalimi i Putinit përnjëmend ishte i tëri vetëm zhurmë e furi, për të sinjalizuar se ai po e humbasë ndikimin si brenda ashtu edhe jashtë vendit

Adresimi i fundit vjetor i presidentit rus, Vladimir Putin, përpara kombit të tij ishte aq dukshëm kërcënues sa tingëllonte qetësues. Ai jo vetëm se ia ndaloi Perëndimit që t’ia kalonte vijat e kuqe; por madje shpalli se vetë ai do të përcaktojë se ku janë këto vija. Nuk ka specifikuar nëse do ta informojë ndokënd tjetër – sikur të ishte përherë krijuesi, e jo politikanët, që i përcaktoi vijat e kuqe më herët.

Ai qartazi luajti me veten – pa dyshim se jo me topitjen kronike të Perëndimit. Të paktë janë ata që do t’i besojnë Putinit, kur ai sugjeron se Rusia është e kërcënuar nga fuqia e Bashkimit Evropian, e cila nuk mund të ballafaqohet as me Hungarinë. E njëjta vlen edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ani pse administrata e presidentit, Joe Biden, veçse i ka zbatuar sanksione Rusisë, ato duken të jenë edhe më simbolike sesa ato të përgatitura nga Donald Trumpi – presidenti i zgjedhur me ndihmën e Rusisë. Me sanksionet e reja, rubla ruse është zhvlerësuar për dy ditë radhazi, por mandej është ngritur në vlerë.