OpEd

Përvjetori i maskave

Pavarësisht ambicieve dhe përgatitjes profesionale dhe politike të Osmanit, nëse nuk arrihet mirëkuptimi, e gjithë një Kosovë nuk mund të bëhet peng i saj. Pra, ajo do të duhej të vepronte bash krejtësisht ndryshe nga Thaçi, pra të dëshmonte se Kosova është mbi të gjitha

Pasojat e fushatës zgjedhore vazhdojnë të paraqiten në trajtën e numrave të personave të infektuar me COVID: dje (sërish) u shënua rekordi për sivjet, 828 persona, përcjellë nga 8 vdekje të reja. Në javën e shkuar u regjistruan 4.511 raste, kurse numri i fataliteteve u shtua edhe për 56. Pra, gjithsej 80.621 raste dhe 1.744 të vdekur zyrtarisht.

Në secilën zgafelle po e shkruaj "zyrtarisht", për shkak se numri i përgjithshëm i vdekjeve në Kosovë, krahasuar me vitet paraprake ka shënuar rritje enorme. Në një studim të realizuar nga Avokati i Popullit është konstatuar se në korrikun e pandemisë ka pasur 1.126 vdekje, kurse një vit më parë kishte pasur 761. Zyrtarisht, atë muaj nga COVID-i kishin humbur jetën 196 persona.

E se trendi ka vazhduar edhe më tej, e dëshmon edhe shënimi për muajin gusht 2020: 1306 vdekje, krahasuar me 779 raste më 2019. Zyrtarisht, në gusht të 2020-s, 290 veta e humbën betejën me COVID-in. Janë 237 persona më shumë, apo 20% më shumë.

Një shpjegim i logjikshëm mund të jetë se këta persona do të kenë mundur të ishin të prekur nga virusi, do të mund të kishin dalë negativë pas shërimit, porse nuk ia kanë dalë t'i shmangin pasojat që ky virus i ka lënë në organizëm. Ose thjesht, ishin njerëz pa mundësi për t'i mbuluar shpenzimet jashtëzakonisht të larta për shërim në kushte shtëpie.

Sido që të jetë, kjo vetëm sa po e dëshmon se sa i rrezikshëm është virusi dhe sa dëm mund të shkaktojë. Dëshmon edhe për sistemin tonë të çalë shëndetësor dhe mbi të gjitha tregon për pakujdesinë tonë kolektive dhe moskuptimin, ende, se masat e distancimit social, dezinfektimit dhe bartjes së maskës nuk janë dënim, por janë shpëtim.

Ndërkohë, Qeveria në largim ende pretendon se i ka gjërat nën kontroll dhe ende nuk di të tregojë se kur do të vijnë vaksinat e para në Kosovë - të cilat janë nisur nga India para dy ditësh. Se me çfarë mjeti transporti, mbetet të kuptohet.

* * *

Ndërkohë, jeta politike në vend nuk u ndal. Të shtunën e kaluar u certifikuan rezultatet, dhe fitorja absolute me mbi 50% u takoi VV-së dhe Listës Vjosa, që u përkthye në 58 ulëse në Kuvend, për shkak të sistemit të llogaritjes që i përjashton vendet e rezervuara. Pra, për ta bërë shumicën absolute, do t'u nevojiten edhe tri vota nga pakicat joserbe që të votohen kryetari i Kuvendit dhe Qeveria e re.

Paksa problematike, dhe nuk do të mund të ishte ndryshe, do të jetë zgjedhja e kryetarit/kryetares së shtetit, ngase, sipas edhe një margaritari të Gjykatës Kushtetuese, në sallë duhet të ketë kuorum me shumicë të kualifikuar prej dy të tretave. Pra, vetëm nëse krejt pakicat joserbe dhe LDK-ja do të ishin në sallë (83, pra 3 më shumë se kuorumi i kërkuar), do të mund të zgjidhej, në raundin e tretë, njëri nga dy kandidatët që i merr minimum 61 vota.

Se a do të bëjë punë trysnia elegante ndërkombëtare e ditëve të fundit te partitë politike të opozitës, mbetet të shihet me gjasë javën që vjen. Porse një gjë është shumë e sigurt: gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë Kosovës është të shkojë në zgjedhje përsëri.

Pra, skenari pak a shumë është i qartë: zgjidhen Kryesia e Kuvendit dhe kryetari, që do të jetë Glauk Konjufca; më pas Osmani, me gjasë, ende si u.d. kryetare e mandaton Kurtin dhe mbahet seanca ku zgjidhet Qeveria. Thuhet se do t'i ketë 15 ministri, ku, prapë thuhet, do të jenë 5 gra, pra jo 50%, por vetëm 30% - që është lajm dëshpërues. Pas kësaj, do të caktohet seanca për zgjedhjen e kryetarit/kryetares së shtetit dhe institucionet do të jenë të formuara. Ose, në rast të dështimit, shkohet në zgjedhje të përgjithshme.

Pavarësisht ambicieve dhe përgatitjes profesionale dhe politike të Osmanit, nëse nuk arrihet mirëkuptimi, e gjithë një Kosovë nuk mund të bëhet peng i saj. Pra, ajo do të duhej të vepronte bash krejtësisht ndryshe nga Thaçi, pra të dëshmonte se Kosova është mbi të gjitha.

Nëse arrihet marrëveshja me partitë opozitare, atëherë zgjedhja e Osmanit do të ishte e mirëseardhur për Kosovën. Për shumë arsye. E para, ngase është grua, e legjitimuar me vota dhe nuk është e dalë nga zarfi. E dyta, ngase ka përgatitje profesionale të specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe e flet dhe e kupton anglishten shumë mirë. E treta, sepse nuk ka hipoteka që do të mund ta bënin të shantazhueshme.

* * *

E kur jemi te Osmani, ajo para ca ditësh ishte mysafire në Hard Talk të BBC-së, pra një emision ku shtrohen pyetjet e rënda dhe jo përherë të këndshme. Osmani iu përgjigj të gjitha pyetjeve; foli për krimet e Serbisë dhe për moskërkim faljen nga ajo dhe për faktin se edhe pas 20 e sa vjetësh ende ka persona të pagjetur; foli për dialogun që duhet të jetë ndryshe nga ky që e kemi pasur deri tash dhe e tha në fund se detyra parësore e pushtetit të ri do të jetë luftimi i krimit dhe i korrupsionit, që në Kosovë është bërë endemik.

Pra, kjo e fundit, se Kosova është shtet i korruptuar ku ka krim, shkaktoi reagimin e jo pak njerëzve që e akuzuan se po e njolloste shtetin e vet para botës. Thuajse bota tashmë nuk e di se jemi shtet i sunduar nga krimi e korrupsioni, e që për pasojë nuk e kemi pasur thuajse asnjë investim të vetëm nga jashtë, duke na lënë edhe shtetin më të varfër në rajon.

Osmani nuk tha asgjë që nuk e ka thënë deri tash. Dhe nuk tha një diçka që populli nuk e përsëritur dita më ditë. Për më tepër, atë që e bëri Osmani, me apo pa vetëdije, është se e mori një detyrim shumë të madh publik: se do ta luftonte krimin e korrupsionin me mekanizmat që i ka në duar: po mbeti deputete, në Kuvend; po u bë pjesë e ekzekutivit, atëherë nëpërmjet trupit që e udhëheq shtetin, e po u bë kryetare, nëpërmjet dekreteve, ngase në duar do ta ketë edhe kontrollin mbi sigurinë, mbi diplomacinë e edhe mbi gjyqësinë.

Kritikuesit e saj janë në të drejtën e tyre që të mos pajtohen me të. Porse asnjë ndryshim radikal në shoqëri nuk do të mund të ndodhë po qe se nuk nis nga identifikimi dhe pranimi i gabimeve vetjake.

* * *

E mbase shenjat e ndryshimit kanë nisur tashmë të shfaqen në Kosovë.

Të dielën e kaluar LDK-ja, me leje speciale për t'i shkelur rregullat anti-COVID, mbajti Kuvendin zgjedhor, ku zgjodhi kryetarin e ri, edhe në moshë edhe në post, Lumir Abdixhiku.

Sikurse edhe Osmani, Abdixhiku ka përgatitje të mirë profesionale, është inteligjent dhe ambicioz, porse ka më pak përvojë politike sesa Osmani. Megjithatë, hapi i ndërmarrë nga LDK-ja për ta zgjedhur Abdixhikun shef të ri të partisë është për t'u përshëndetur, pavarësisht komenteve të shumëkujt se ky në fakt është vetëm vazhdimësi e Isa Mustafës.

Është paragjykuese të thuhet çfarëdo përderisa nuk i kalon së paku 100 ditë në krye të partisë, të cilën e merr në gjendje të katandisur dhe me shumë probleme klanesh të brendshme. Tre muaj do të duhej t'i mjaftonin për ta pasur një vizion dhe strategji se si do ta ringjallë partinë e cila është vetë fajtore për gjendjen në të cilën është. Dhe do të duhej t'i mjaftonin ta identifikonte një ekip të ri, i cili do ta marrë kontrollin mbi partinë prej "gardës së vjetër" që do të duhej lëshuar rrugë.

Interesat janë të mëdha dhe nuk do ta ketë të lehtë. Porse fakti se pse është në opozitë dhe se nuk e ka përgjegjësinë për ta udhëhequr shtetin dhe për të marrë vendime të rënda do t'ia lehtësojnë punën shumë. Madje, duke pasur parasysh se partia fituese mund të kalojë ligje përherë edhe pa opozitën, tregon se mundi fillestar i opozitës do të jetë i përqendruar nga zgjedhjet komunale në vjeshtën e sivjetme dhe në konsolidimin e strukturave partiake.

Një hap i ngjashëm do të mund të pritej edhe në PDK së shpejti. Sepse kjo parti më shumë se asnjëra duhet bërë ndryshimin thelbësor në qasje dhe punë - ngase 20 vjetët e pushtetit të keq u ndëshkuan fuqishëm në këto zgjedhje.

* * *

E keqja në këtë Kosovë është se krejt muhabetet, ngado që i sjellim, kthehen te politika. Për shkak se për fat të keq, krejt problemet me të cilat ballafaqohemi si shoqëri janë pasojë e politikës dhe e sundimit të keq shumëvjeçar.

Në ditën kur po shkruaj po shënohej njëvjetori i protestës së tenxhereve në ballkon me gjithë përvjetorin e bartjes së obligueshme të maskave. Dhe kur po e kthej filmin prapa, ende nuk mundem ta kuptoj se si u bë që në mes të pandemisë të rrëzohej Qeveria dhe të bëheshin gjithë ato plane nëpër skuta për ta marrë pushtetin kinse për motive të larta: miqësia me SHBA-në dhe menaxhimi i pandeminë.

Miqësia me SHBA-në qe preteksti, e menaxhimi i pandemisë qe rrena. Më e madhja. E dëshpëruar deri në palcë që shëndeti dhe mirëqenia e popullsisë kishin qenë prioriteti i fundit për puçistët e pandemisë - sepse ka kohë që, me gjithë maskat që i bartin, janë zbuluar deri në palcë.

Një vit i ri i maskave nisi. Uroj të përfundojë sa më parë, me kthim në një normalitet i cili nuk do të jetë më ai i moçmi. Do të jetë më ndryshe, për shkak se pandemia na ka lënë të gjithëve me ngarkesa e pasoja. Sa më shpejt të vijë vaksina, aq më shpejt do të lirohemi nga frika, e dikur ndoshta edhe nga maska.

flaka@koha.net