Vështrime

Pse NATO-ja

1.

Dhjetë vjet prej fillimit të dialogut Kosovë-Serbi ka ardhur koha që ai të jetë produkt edhe i dialogut BE-NATO, në mënyrë që Rusia më të mos e ketë të drejtën e vetos në proces

1.

Po, kaluan dhjetë vjet prej fillimit të “dialogut” Kosovë-Serbi dhe nuk kishte ndonjë arsye atëherë kur ai filloi, të mendohet se do të arrihet ndonjë marrëveshje e shpejtë. Është lehtë të thuhet se dhjetëvjetëshi i lehtësimit të BE-së nuk qe ndonjë sukses (dhe për këtë kam shkruar mjaft) dhe nuk është vështirë të thuhet se në këto kushte, me këto premisa, BE-ja nuk do të arrijë ndonjë marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi (as për këtë nuk kam shkruar pak). Premisa e “lehtësimit” vazhdon të jetë e pamjaftueshme për suksesin: mbështetet në besimin se nëse arrihen një sërë marrëveshjesh të nivelit më të ulët, në fund Serbia do ta njohë Pavarësinë e Kosovës, gjegjësisht të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si e pavarur. Apo se do të ndodhë e kundërta, se Kosova do të mohojë shpalljen e vet të Pavarësisë dhe do të kërkojë që të administrohet nga Serbia.