Derisa trajektorja shqetësuese e marrëdhënies ushtri-civilë në SHBA ka krijuar territor të pëlleshëm për radikalizimin e disa pjesëtarëve, është me rëndësi që të mbahet mend se kryengritësit përbëjnë një përjashtim. Ushtria amerikane ka mbrojtur demokracinë e Amerikës për shekuj me radhë dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën, duke e vazhduar traditën tonë fisnike
Zbulimi se në kryengritjen e Capitolit kishte të përfshirë shumë pjesëtarë të dikurshëm dhe të tanishëm të forcave të armatosura të Amerikës ka nxitur alarm. Dhe megjithëkëtë, si një veteran prej 35 vjetësh dhe komandant i pensionuar i forcave detare amerikane, unë i shoh ngjarjet e 6 janarit si kulmim të parashikueshëm të një shkëputjeje në thellim midis ushtrisë amerikane dhe shoqërisë civile.
Është kjo një përplasje me rrënjë të thella historike. Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën ngadhënjimtare nga Lufta e Dytë Botërore, i kishin përmbushur një varg synimesh strategjike të artikuluara qartë. Pa marrë parasysh nëse bartnin apo jo uniforma, amerikanët ishin “të gjithë bashkë”, të etur për t’i bërë sakrificat e nevojshme për mposhtjen e forcave të Boshtit të së Keqes.
Kur lufta kishte marrë fund, ushtarët dhe ushtaret amerikane u kthyen në një vend që ishte krenar për atë që ata kishin arritur, të bashkuar dhe të etur për të ecur përpara. Në atdhe, shumë veteranë iu bashkuan organizatave, si “Veteranët e Luftërave të Huaja” dhe “Legjioni Amerikan”, ku ishin të rrethuar nga njerëz të njëmendësisë, të cilët kishin shërbyer, vuajtur dhe sakrifikuar bashkërisht. Vendet e punës ishin të bollshme dhe amerikanët u sollën krenari vendit dhe ushtrisë së tyre.
Në mënyrë të ngjashme, në Luftën e Koresë së më pak se një dekade më vonë, ani pse asokohe Amerika kurrë nuk ishte “bashkë”, ajo megjithatë kishte synime të qarta strategjike. Sikurse në Luftën e Dytë Botërore, ushtarët dhe ushtaret amerikane bënë punë të jashtëzakonshme dhe u kthyen prapa në një vend mirënjohës.
Por pastaj ndodhi Vietnami, ku shumica e amerikanë kurrë nuk e ditën përnjëmend se pse vendi i tyre fare kishte luftuar. Kur konflikti më në fund përfundoi përbuzshëm në prillin e 1975-s, nuk kishte ndonjë fitore për ta festuar (dhe qartazi nuk pati as fishekzjarrë që u ngritën nga çatia e Ambasadës amerikane në Saigon). Për dallim prej gjeneratave të mëhershme, ata që luftuan në Vietnam nuk ishin nderuar për shërbimin dhe sakrificën e tyre. Po kaq e rëndësishme është se kundërreagimi publik ndaj luftës i shpiu fundit të rekrutimit ushtarak, i cili e transformoi rrënjësisht marrëdhënien midis ushtrisë dhe popullit amerikan. Përçarja e krijuar nga kthesa në ushtrinë përherë vullnetare është thelluar edhe më shumë që atëherë.
Pas Vietnami, lufta e ardhshme më e madhe e Amerikës ishte “Desert Storm”, më 1990. Sërish, synimet e qarta strategjike ishin përmbushur në mënyrë dramatike, dhe ushtarët dhe ushtaret amerikane ishin kthyer në një vend krenar – në kulmin e shndërrimit në superfuqinë e vetme të mbetur në botë, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik vitin pasues.
Megjithëkëtë, deri në përfundimin e Luftës së Gjirit, globalizimi dhe ndryshimet teknologjike veçse kishin nisur ta riformësonin shoqërinë amerikane. Industritë e linjës së moçme po ngriheshin në këmbë dhe shumë vende pune në prodhimtari po zhdukeshin. Ndonëse imigrimi kishte ende një ndikim minor në peizazhin e madh ekonomik, çështja u shndërrua në një temë të nxehtë për ata që ngeleshin pa vende pune. Në të njëjtën kohë, një valë e re e çështjeve socio-juridike po ashtu kishte nisur të fitonte vrull gjatë kësaj periudhe. Si një mikrokozmos i Amerikës, ushtria amerikane nuk ishte imune kundruall këtyre dinamikave politike.
Ishte në kundërshtim me sfondin politik, shoqëror dhe ekonomik fakti që Amerika e filloi “luftën e gjatë” të saj. Pak a shumë sikurse Vietnami, “luftës ndaj terrorit” i munguan synimet e qarta strategjike dhe ka humbur vëmendjen e publikut me kalimin e kohës. Shumë prej atyre që kishin luftuar në të përkonin me refrenin apokrifik se kur ushtria është në luftë, Amerika është në Walmart. Pasi që shërbyen për kush e di se sa herë në Irak apo Afganistan, ushtarët dhe ushtaret që i sakrifikuan vitet e jetëve të tyre janë pritur me fare pak mirënjohje.
Në librin e tij të 1973-s “The American Way of War”, historiani Russell F. Weigley kishte cituar gjeneralin amerikan, George C. Marshall, tek thoshte: “Një demokraci nuk mund të luftojë në një Luftë Shtatëvjeçare”, për shkak se secili konflikt i tejzgjatur në fund të fundit e humb mbështetjen e elektoratit. Sa më shumë që një luftë zgjat – sidomos kur merr tipar të disa gjeneratave – aq më e madhe bëhet shkëputja midis qytetarëve tipikë dhe ushtarëve, lundruesve, pilotëve e marinsave që shërbejnë.
Lufta kundër terrorit është një rast i qëndrueshëm i kësaj, duke ndikuar njëherësh që t’u hidhet dritë trazirave dhe ekstremizmit që shpërthyen përpara syve të publikut në Capitol. Një pakicë e vogël e shërbyesve të zemëruar, të dikurshëm dhe aktualë, ka konstatuar se diçka nuk shkon për së mbari në Amerikën, për të cilën ata kishin luftuar dhe sakrifikuar. Dy palë zgjedhjet e fundit presidenciale e kanë ushqyer këtë pakënaqësi dhe i kanë bindur disa se e kanë obligim që t’u kundërvihen “armiqve” të perceptuar të brendshëm. Liderët politikë, ndërkohë, i kanë shfrytëzuar këto ndjenja për vetë avantazhet e tyre.
Pandemia COVID-19 i ka kontribuar gjithashtu një stuhie të përkryer. Kur ekonomia i rrënoi vendet e punës – veçmas në mesin e atyre me të ardhurat më të ulëta – bashkëveprimet ballë për ballë më nuk ishin të mundura. Me atomizimin e thelluar shoqëror, ishte bërë edhe më i vështirë përjetimi i solidaritetit.
Ankthi apo mërzia kanë bezdisur shumëkënd dhe disa kanë gjetur strehim në komunikimet online, duke i ekspozuar ideologjitë ekstremiste. Zgjedhjet presidenciale të 2020-s e sollën situatën në pikën e vlimit. Një kryekomandant në detyrë qartazi synoi që t’i përmbyste zgjedhjet e lira dhe të drejta me gënjeshtra dhe frikësime, ndërsa një pakicë e vogël e besnikëve iu përgjigjën thirrjes së tij për veprim.
Por, amerikanët duhet të kenë besim. Pavarësisht disa individëve të veçuar, ushtria amerikane është e palëkundur në mbështetjen dhe dedikimin e saj për Kushtetutën amerikane. Ata që janë në radhët e saj, të cilët ushqejnë qëndrime ekstremiste, do të zbulohen dhe do të trajtohen në mënyrë adekuate. Shikuar përpara, metodat e rekrutimit do të fuqizohen për t’i çrrënjosur ekstremistët. Rekrutuesit do të duhet që ta shikojnë jo vetëm aktivitetin në mediat sociale të kandidatëve, por edhe “ngjyrat trupore” (tatuazhet) e tyre, si dhe indikatorët e tjerë potencialë të simpatizantëve ekstremistë apo racistë. Intervistat do të duhet të jenë më të rrepta, ndërsa trajnimet për pjesëtarët aktivë më të përmirësuara.
Derisa trajektorja shqetësuese e marrëdhënies ushtri-civilë në SHBA ka krijuar territor të pëlleshëm për radikalizimin e disa pjesëtarëve, është me rëndësi që të mbahet mend se kryengritësit përbëjnë një përjashtim. Ushtria amerikane ka mbrojtur demokracinë e Amerikës për shekuj me radhë dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën, duke e vazhduar traditën tonë fisnike.
(Charles C. Krulak, gjeneral i pensionuar me katër yje, është ish-komandant i trupave detare amerikane dhe ish-kryetar i Kolegjit Birmingham-Southern. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).