OpEd

Heroi(na) ime e zgjedhjeve

Shpeshherë nuk e kuptoj pse ftohen mysafirë të partive politike, të cilët as nuk janë pjesëmarrës në zgjedhje e as që kanë qenë pjesë e legjislativit të fundit. Në emër të kujt flasin ata aty dhe çka përfaqësojnë? Nuk përfaqësojnë asgjë më shumë se Habibi, berber i lagjes sime. Respekt për Habibin! Atyre qytetari ua ka treguar vendin, prandaj është humbje kohe të dëgjosh se çfarë kanë ata për të thënë, e që edhe ashtu kryesisht është një propagandë e lodhët idhnake

Në përshkrimin e ditarit tim të javës së kaluar jua përshkrova përvojën time me KQZ-në, si dhe mosfigurimin e emrit tim në listën e votuesve me postë, me gjithë faktin se unë e kisha bërë aplikimin valid, dhe përveç asaj unë veçse jam i regjistruar dhe figuroj në listën zgjedhore dhe vendvotimin në shkollën fillore "Ismal Qemajli", në Prishtinë. Natyrisht, unë mund të jem vetëm njëri nga dhjetëra e mijëra personat, të cilëve na u shkurtua e drejta themelore kushtetuese për të votuar. Mirëpo që nga java e kaluar pati edhe një zhvillim tjetër. Të premten e kaluar kisha pranuar një mesazh privat në Facebook nga një mik/mikeshë, të cilin/cilën do ta mbaj anonim për arsye të mbrojtjes nga reperkusionet të cilat do të mund t’i pësonte në vendin e punës. Pas prezantimit që ia bëri vetes, personi anonim më tregoi se punonte në KQZ dhe se i kishte lexuar disa nga statuset e mia në Facebook, si dhe kolumnen në “Koha Ditore”, dhe se ishte ndier shumë keq për pamundësimin e votimit për mua. Kërkoi nga unë që e-mailin të cilin e kisha dërguar në KQZ ta ridrejtoja tek adresa e tij/saj dhe se më pas ai/ajo do të përditësonte listën dhe unë do ta pranoja një e-mail, ku do të më thuhej se unë e kam të drejtën e votimit me postë dhe se aplikimi im ka qenë i suksesshëm.

Ashtu edhe ndodhi. Nuk vonoi shumë dhe unë me të vërtetë e pranova atë e-mail konfirmues e më pas edhe e-mailin me fletëvotim. Nuk vonova, me të pranuar fletëvotimin veprova sipas instruksioneve për votimin me postë dhe shkova në përfaqësinë e DHL-it për ta nisur atë fletëvotim me postë të shpejtë, ashtu siç vepruan edhe dhjetëra e mijëra bashkëkombës të mi anembanë botës.

Ky rast edhe njëherë më dëshmoi atë të cilën shpeshherë e përsëris këtu, se Kosova ka shumë njerëz të mirë, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Ky personazhi anonim kishte marrë mbi vete një mision fisnik, që sa më shumë bashkatdhetarëve, të cilëve u ishte bërë ajo padrejtësi për moslejim të votimit, t'ua mundësonte votimin me postë. Ai/ajo me vetiniciativë po i identifikonte këto raste nga statuset e shumta të njerëzve në Facebook me ankesat e tyre për mospranim të aplikimit të tyre për regjistrim të votës me postë.

Unë i falënderohem përzemërsisht në emër timin dhe të të gjithë atyre qytetarëve të tjerë, të cilëve ky personazh anonim u doli në ndihmë. Unë këtë e çmoj jo vetëm si një akt i një qytetarie civilizuese, por thjesht edhe akt patriotik. Ky personazh anonim mbetet heroi(na) ime e këtyre zgjedhjeve.

Por prapë, ana e dhimbshme e këtij rrëfimi mbetet fakti se këtu pasqyrohet në mënyrë flagrante atë që e quajmë kapje të shtetit. Pse do të duhej që një punonjës/punonjëse diku në mënyrë klandestine ta përditësonte listën me aplikime edhe ashtu valide të qytetarëve kosovarë në mërgatë për votimin me postë.

Mendimi im është që Ligji zgjedhor do të duhej të ishte njëra nga gjërat e para, të cilat legjislativi dhe Qeveria do të duhej t’i rishikonin, e sidomos për votat nga mërgata të aplikohen metoda të tjera më praktike dhe të thjeshtëzuara të votimit. Ai do të mund të bëhej në mënyrë elektronike apo edhe nëpërmjet ambasadave dhe konsultave në shtetet përkatëse ku ato veprojnë.

Fushatat zgjedhore të partive politike janë në vlugun më të madh dhe ngadalë do t’i afrohen përfundimit të tyre para ditës së zgjedhjeve, të dielën më 14 shkurt. Që të gjitha deklarojnë se do të dalin fituese dhe se vizitat nga terreni ua konfirmojnë një mobilizim "enorm" të elektoratit të tyre. Premtojnë vaksinim të popullatës, por në të njëjtën kohë secila nga to shkel rregullat për mbrojtje të popullatës nga infektimet Covid. Në këtë pikë që të gjitha partitë politike janë treguar hipokrite me qasjen e tyre, secila duke e vendosur interesin e saj partiak mbi interesin e mbrojtjes së popullatës nga një shtim i mundshëm i numrit të të infektuarve me Covid-19.

Debatet politike në shumë televizione kosovare gjithashtu janë në vlugun më të madh. Edhe aty të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me hipokrizi në shumë nivele, mercenarizëm gazetaresk e aty-këtu edhe gazetari profesionale dhe informuese. Shpeshherë nuk e kuptoj pse ftohen mysafirë të partive politike, të cilët as nuk janë pjesëmarrës në zgjedhje e as që kanë qenë pjesë e legjislativit të fundit. Në emër të kujt flasin ata aty dhe çka përfaqësojnë? Nuk përfaqësojnë asgjë më shumë se Habibi, berber i lagjes sime. Respekt për Habibin. Atyre qytetari ua ka treguar vendin, prandaj është humbje kohe të dëgjosh se çfarë kanë ata për të thënë e që edhe ashtu kryesisht është një propagandë e lodhtë idhnake. Ai burri vajtues të cilin e lë gruaja dhe nuk lë gjë të keqe pa folur për të, qoftë edhe me çmimin se duhet të shpifë, vetëm të portretizohet se ai është burri i mirë, i lënduar, i tradhtuar.

Nga ajo që mund ta kuptoj nga postimet e miqve të shumtë, pjesa dërrmuese e tyre i kanë pritshmëritë se zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen të dielën do ta përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve dhe politikëbërja kosovare do të shënojë një ndërrim kursi në aspektin se ajo do t’i luftojë korrupsionin, parregullsitë e shumta në kuadër të institucioneve qeveritare dhe publike, do të fuqizojnë meritokracinë, si dhe 1.001 probleme të grumbulluara për shtetin e ri gjatë dy dekadave të fundit.

Së paku mërgata e dëshmoi se këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë dhe ajo vërehet nga numri i madh i dërgesave të fletëvotimeve me anë të postës, me gjithë komplikimet, pengesat dhe obstruksionet të bëra nga ana e KQZ-së. Shumë nga mërgimtarët, pavarësisht pandemisë globale, kanë marrë rrugën për të udhëtuar në Kosovë për të votuar personalisht, me prezencë fizike të tyre në vendvotimin e tyre.

Për fund, desha pak të merrem me rastin tashmë të shumëpërfolur të kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Atë e denoncoi një qytetar duke thënë se ishte sulmuar nga ana e kryetarit të Komunës gjatë vizitës së këtij të fundit në Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë. Këto deklarata u hodhën poshtë nga ana e kryetarit të Komunës, z. Bulliqi, duke thënë se ajo nuk ishte e vërtetë dhe se me të ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë qenë dëshmitarë dhe të cilët do të mund ta konfirmonin të njëjtën gjë. Deri këtu gjithçka në rregull. Mirëpo të nesërmen doli nga mediat një videoxhirim i shkurtër, ku shihet një kacafytje e shkurtër ndërmjet këtyre dy protagonistëve. Nuk dëshiroj që të hyj në detaje se çka pashë unë në atë video, por pjesa e hidhur mbeti gënjeshtra e kryetarit të Komunës e dhënë në deklaratën e tij një ditë më parë, duke deklaruar se nuk kishte ndodhur asgjë. Nuk është më me rëndësi se a ka qenë ai i provokuar apo çka ka qenë në pyetje, deklarata e tij nuk do të duhej të ishte se aty s’kishte ndodhur asgjë, dhe se aty ishin edhe tre persona të tjerë me të të cilët do të mund ta dëshmonin atë gjë.

Ndryshimin të cilin Vetëvendosja e proklamon si parti duhet të ma dëshmojë. Besimi nuk jepet blanko, këtë gjë ata do të duhet që ta kuptojnë. Duke e luajtur rolin e strucit dhe duke e futur kokën nën rërë, duke i ikur problemit për të mos u marrë me të në kohë zgjedhjesh, sepse do të mund t’i dëmtonte, unë mendoj se pikërisht kjo sjellje i dëmton më shumë sesa të ishin distancuar nga sjelljet e tilla, pavarësisht se kush ka qenë iniciues i incidentit.

Udhëheqja me shtetin është përgjegjësi e madhe. Nuk mjaftojnë vetëm premtimet, dëshirat dhe qëllimet e mira. Votuesit dhe populli në përgjithësi dëshirojnë t’i shohin ato ndryshime dhe jo të kenë prapë një kopje të partive të cilat qeverisën deri tashmë.

Partia e cila po pritet se do t’i fitojë këto zgjedhje duhet ta ketë të qartë këtë gjë dhe sa më shpejt që do ta mësojë, aq më mirë do të jetë për ta. Ata mund të llogarisin se për dallim nga partitë e tjera, në mesin e votuesve të Vetëvendosjes do të ketë kritikë konstruktivë, të cilët nuk kanë qasje militanteske, mirëpo i dëshirojnë ndryshimet e mirëfillta në politikëbërjen kosovare.