OpEd

Optimizmi klimatik i Azisë

Descriptive Text

Ne duhet të vazhdojmë së ndërtuari sisteme infrastrukturore dhe të transportimit për t’i mbështetur rezultatet me nivel të ulët karboni, për t’i rikonstruktuar ndërtesat sipas efikasitetit të energjisë dhe për ta përmirësuar shëndetin jashtë tyre, por edhe caktuar rregulla të ndërtimit dhe urbanizimit të gjelbër. Dhe mund të nisim qysh tani

Hong-Kong, 18 janar – Optimizmi shihet në ajër kudo nëpër Azi, ku Partneriteti i ri Gjithëpërfshirës Rajonal Ekonomik ka rritur gjasat për rimëkëmbje pas pandemisë dhe për ringjallje të multilateralizmit. Në mënyrë edhe më premtuese, ekziston një dakordim përherë më i madh rajonal për domosdoshmërinë e adresimit të ndryshimeve klimatike.

Njoftimi i paradokohshëm nga Kina se do ta synojë neutralitetin e karbonit deri më 2060 – duke u pasuar nga zotimet prej Japonisë, Koresë Jugore dhe Hong-Kongut për zero emetime deri më 2050 – tregon se Azia Lindore po e trajton me seriozitet këtë çështje. Por, për ta bërë përnjëmend ndryshimin do të kërkohej rishikimi i modelit tradicional aziatik i zhvillimit, i cili ka toleruar prej kohësh degradimin mjedisor në interes të maksimalizimit të rritjes.

Derisa përkushtimi i Kinës për neutralitet të karbonit deri më 2060 është një fillim i mirë, kërkesa për energji elektrike veçse parashihet që të dyfishohet deri më 2050 (krahasuar me nivelet e vitit 2017). Vendi gjithashtu duhet që t’i çojë përpara urgjentisht përpjekjet për përmirësimin e prodhimit të energjisë, t’i adaptojë energjinë e gjelbër dhe me nivel të ulët karboni, të zgjerojë ruajtjen e energjisë, të vendosë teknologji të kapjes dhe sekuestrimit të karbonit, dhe të zhvillojë një kornizë të urbanizimit me nivel sa më të ulët karboni. Shumë prej teknologjive të nevojshme veçse janë të disponueshme dhe Azia Lindore i ka mundësitë për t’i ulur kostot në nivelin që do ta mundësonte adoptimin e gjithmbarshëm.

Për më tepër, në një kohë të likuiditetit të lartë (nga bankat qendrore) dhe kapacitetit të tepërt, nuk ka mungesë në fonde për kapërcimin aziatik në skemën e uljes së karbonit. Pyetja tani është se si të kanalizohen më së miri këto resurse ekzistuese për projektet e duhura. Roli i financave të qëndrueshme duhet të zgjerohet thelbësisht.

Korporatat në Azinë Lindore veçse janë duke lëshuar më shumë bonde të gjelbra sesa në të kaluarën, në mënyrë që të jenë në një linjë me kornizat e reja politike (siç ndodh rasti me Hong-Kongun). Por janë të paktën tri mënyrat se si të ngrihen në nivel edhe më të lartë këto përpjekje.

Pikë së pari, politikëbërësit dhe të tjerët me ndikim mbi standardet industriale duhet t’ua lehtësojnë kompanive, të mëdha dhe të vogla, prezantimin e kredencialeve të tyre të gjelbra për investuesit. Kapërcimi global kah raportimi i unifikuar i karbonit është një fillim i mbarë, por ai zbatohet kryesisht te vendet e mëdha shumëkombëshe që i posedojnë kapacitetet e nevojshme. Udhëzimet që funksionojnë për ndërmarrjet e mëdha dhe të voglat njëherësh janë ende të nevojshme. Në këtë aspekt, Këmbimi i Qëndrueshëm dhe i Gjelbër (STAGE) i Hong-Kongut është një hap i duhur në drejtimin e duhur.

Së dyti, investuesit e zakonshëm duhet që të jenë në gjendje t’i kuptojnë dhe t’u qasen mjeteve financiare që shpijnë drejt ekonomisë me nivel të ulët karboni. Krijimi i një tregu mbarërajonal për fondet, iniciativat dhe kompanitë e gjelbra do të ndihmonte, duke i përfshirë edhe më shumë pjesëmarrës të tregut financiar në këtë përzierje.

E treta, Azia duhet ta diversifikojë financimin për të ardhmen e saj me nivel të ulët karboni, duke i përthekuar si borxhin ashtu edhe tregun e ekuitetit, dhe duke e ofruar një platformë për lidhjen e financuesve potencialë me kompanitë dhe projektet që i përmbushin kriteret mjedisore, shoqërore dhe të qeverisjes. Por është me rëndësi që të mbahet mend se teknologjia si e vetme nuk do t’i kapërcejë sfidat e ndryshimeve klimatike. Kemi po ashtu nevojë që ta pranojmë vlerën tejet të madhe potenciale të zgjidhjeve të bazuara në natyrën. Parashikimet e qëndrueshme, tokat e shëndetshme, pyjet, koralet dhe sistemet e tjera ekologjike luajnë që të gjitha rol në sekuestrimin e dyoksid karbonit atmosferik. Në fakt, një e treta e sfidës së zbutjes së nivelit global të dyoksidit të karbonit mund të arrihet thjesht me anë të mbrojtjes së ekosistemeve të shëndetshme dhe përkrahjen e ripyllëzimit.

Për më tepër, mbrojtja e ekosistemeve dhe çuarja përpara e ripyllëzimit janë mënyrë e përkryer e krijimit të vendeve lokale të punës, ofrimit të mundësive për të zhvendosurit me anë të mënyrave transitore të karburanteve fosile. Pandemia na ka treguar se duhet ta rimendojmë marrëdhënien tonë me natyrën dhe mjedisin, duke u hapur rrugën solucioneve që do t’i fuqizonin komunitetet.

Në nivel global, derisa administrata e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, do t’i ringjallë zotimet klimatike të Amerikës, veprimi klimatik ndërkombëtar mund të pësojë po qe se marrëdhëniet SHBA-Kinë nuk përmirësohen. Në ndërkohë, kjo do të ndihmojë në dyfishimin e përpjekjeve të sektorit privat dhe shoqërisë civile, si Fondacionit të Këmbimeve Kinë-SHBA dhe Fondit të Gjelbër SHBA-Kinë, meqenëse do të ndërmjetësojë në veprim më të koordinuar.

Në aspektin më të gjerë, ka ardhur koha që t’i bëhet një shikim më i thuktë gjendjes aktuale të bashkëpunimit klimatik. Inovacioni i gjelbër po lulëzon në shumë vende, megjithëse pa një shkëmbim më të gjerë të të dhënave dhe ideve, shumë projekte bazike nuk do të jetësohen kurrë. Një analogji e mirë janë programet me burime të hapur. Me platforma të hapura digjitale për lehtësimin e bashkëpunimit midis organizatave joqeveritare, bizneseve dhe qeverive, inovacionet për adresimin e ndryshimeve klimatike mund të trajtohen si një e mirë globale publike, dhe të bëhen të qasshme për adoptim të shpejtë me qëllim të bashkëdyzimit të furnizimit me kërkesën.

Arritja e neutralitetit të karbonit brenda 30-40 vjetëve nënkupton që shoqëritë aziatike t’i nënshtrohen një transformimi të gjithmbarshëm shkencor, ekonomik, financiar, teknologjik dhe mjedisor. Asnjë qytetar nuk do të kursehet nga ndikimi, andaj të gjithë duhet të përfshihen. Zotimet publike të qeverive nuk janë të mjaftueshme.

Sfida tani është që të parashikohet se çfarë në fakt nënkupton trajektorja zero për 3 deri në 5 vjetët e ardhshëm, ashtu që të mund ta gjurmojmë përparimin tonë.

Cilat masa politike janë më urgjentet? Si duhet t’i renditim investimet për ta gjeneruar ndikimin më të madh shumëfishues? Çfarë duhet të ndalojmë së bëri brenda tre vjetëve të ardhshëm për ta shpëtuar kapitalin që do të mbetej mes burimeve të kursyera dhe si mund të garantojmë që interesat vetjake të mos e bllokojnë ndryshimin?

Disa prej këtyre çështjeve do të jenë më të lehta për t’u zgjidhur se të tjerat. Ne duhet të vazhdojmë së ndërtuari sisteme infrastrukturore dhe të transportimit për t’i mbështetur rezultatet me nivel të ulët karboni, për t’i rikonstruktuar ndërtesat sipas efikasitetit të energjisë dhe për ta përmirësuar shëndetin jashtë tyre, por edhe caktuar rregulla të ndërtimit dhe urbanizimit të gjelbër. Dhe mund të nisim qysh tani.

(Christine Loh, ish-nënsekretare për Ambient në Hong-Kong, është kryestratege për Zhvillim në Universitetin e Hong-Kongut për Shkencë dhe Teknologji. Pamela Mar është nënkryetare ekzekutive për Dituri dhe Aplikime në Akademinë Fung. Peter Seligmann, themelues dhe shef i “Conservation International”, është shef ekzekutiv i “Nia Tero”. Lin Xiu është udhëheqës i Fondit të Gjelbër SHBA-Kinë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).